Ndërlidhjet

Shumë shtete përballen me shifra rekorde të të infektuarve me koronavirus


Rreth 40 shtete kanë raportuar numër rekord të rasteve të reja me koronavirus gjatë javës që po e lëmë pas. Rritja e numrit të rasteve të reja është shënuar edhe në Australi, Japoni, Hong Kong, Bolivi, Sudan, Etiopi, Bullgari, Belgjikë, Uzbekistan dhe Izrael, derisa Shtetet e Bashkuara Brazili dhe India kanë raportuar numrin më të madh të rasteve.

Shumë shtete që kanë lehtësuar masat e kufizimit janë duke u përballur me valën e dytë të virusit, më shumë se një muaj pasi u liruan nga izolimi.

“Ne nuk do të kthehemi në normalitetin e vjetër. Pandemia ka ndryshuar mënyrën se si jetojmë jetën”, ka thënë ditë më parë drejtori gjeneral i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Video: A duhet të mësohemi të jetojmë me koronavirusin?

Rritja alarmante e numrit të rasteve të reja me koronavirus në Shtetet e Bashkuara nuk ka treguar shenja të përmirësimit. Numri i rasteve të konfirmuara që nga përhapja e koronavirusit në SHBA ka arritur në mbi 4 milionë.

Numri i viktimave në Shtetet e Bashkuara ka arritur në mbi 145,000. Për disa netë me radhë, janë raportuar 1,000 viktima të reja.

Pacientët me kancer: Shanse të njëjta nga kapja e virusit, por rrezik më të madh nga sëmundja

Rritja e vazhdueshme e numrit të rasteve të reja po shihet si kërcënim për ekonominë në kohën kur Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë kanë dështuar të pajtohen rreth projektligjit për COVID-19.

Vala e dytë

Shifrat tregojnë një rritje të numrit të rasteve të reja me koronavirus në shumë vende të botës.

Në Australi, qeveria ka rivendosur një izolim të pjesshëm që do të zgjas 6 javë si dhe maskat janë obligative. Australia dhe Japonia, kanë njoftuar se rritja e numrit të rasteve të reja është parë tek të rinjtë.

Në Evropë, ku sezoni veror turistik është në pikun e tij, Spanja si vend tejet turistik nuk do të mund të pres turistë të shumtë këtë vit.

Video: Lloji i ri i COVID-19 më infektiv, a do të ketë vaksinë këtë vit?

Në Afrikë, Kenia ka regjistruar një numër të lartë të të infektuarve më pak se dy javë pas rihapjes.

Në Lindjen e Mesme, Omani ka vendosur ndalesa të reja që fillojnë nga kjo fundjavë, një javë para festës së Bajrami që është në fund të këtij muaji.

Kur pritet vaksina?

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se hulumtuesit janë duke bërë përparim të mirë në zhvillimin e vaksinës kundër koronavirusit, porse përdorimi i saj i parë nuk mund të pritet deri në fillim të vitit 2021.

Mike Ryan, drejtor i programit për emergjenca pranë OBSH-së, tha se është jetike që siguria të mos vihet në pikëpyetje, edhe nëse kjo nënkupton ngadalësimin e zhvillimit të vaksinës.

“Duhet të jemi në gjendje ta shohim veten në sy dhe duhet të jemi në gjendje t’i shohim komunitetet tona dhe t’i sigurojmë se kemi ndërmarrë çdo masë paraprake që këto vaksina të jenë të sigurrta dhe efektive, përpara se t’i jepen popullsisë së përgjithshme”, u tha Ryan gazetarëve.

“Do të jetë pjesa e parë e vitit të ardhshëm kur do të fillojmë të shohim njerëz të vaksinuar”, tha ai.

Ryan tha se disa vaksina të mundshme janë në fazat e treta të testimit dhe se asnjëra nuk ka dështuar në aspektin e sigurisë ose aftësisë për të nxitur reagimin e sistemit imunitar.

Dhjetëra vaksina kundër koronavirusit janë në faza të ndryshme të testimit në gjithë botën.

Këtë javë, Universiteti i Oksfordit ka bërë të ditur se vaksina që ka zhvilluar ai, duket se është e padëmshme dhe se e trajnon sistemin imunitar.

Zyrtarët përgjegjës kanë thënë se testimi në njerëz ka treguar se pas injektimit të vaksinës, në trupat e tyre janë krijuar antitrupa dhe qeliza të bardha të gjakut që mund ta luftojnë koronavirusin.

Megjithatë, ata kanë thënë se është ende herët të dihet nëse vaksina është e mjaftueshme për të ofruar mbrojtje.

Përgatiti: Flandra Marmullaku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG