Ofensivë diplomatike për nisjen e bisedimeve me BE-në

Ilustrim

Drejtuesit e institucioneve, të angazhuar me çështjet evropiane, po zhvillojnë një ofensivë diplomatike për të bindur, siç thonë, kryeqendrat e Bashkimit Evropian,për marrjen e një vendimi pozitiv në tetor për nisjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, ka qëndruar në Paris, Berlin dhe Bruksel, prej nga ka shprehur besimin e marrjes së datës, duke theksuar se krerët evropianë “do ta kenë të vështirë t’i thonë jo Maqedonisë së Veriut”.

Edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ndodhet në turne diplomatik në Suedi, Çeki, Belgjikë e vende tjera, gjithashtu për të marrë mbështetjen për procesin e integrimit evropian. Pavarësisht problemeve me të cilat përballet vendi në sferën e gjyqësorit, Osmani beson se Maqedonia e Veriut do ta marrë datën e shumëpritur të nisjes së bisedimeve me BE-në.

“Unë mendoj se me atë që kemi bërë mund të bëjmë dallimin se kush ishim para tre viteve e ku jemi tani. Me plotë meritë mund të konstatoj se më 15 tetor Maqedonia e Veriut do ta marrë datën e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Bujar Osmani.

Edhe nga VMRO-DPMNE-ja thonë se po punojnë që vendi të marrë datën, por se kjo do të jetë e vështirë, për shkak të, siç thonë, gjendjes së keqe në gjyqësor.

“Ne gjithandej lobojnë për marrjen e datës së bisedimeve. Këtë çështje e kemi ngritur dhe e përsërisim në të gjitha takimet më përfaqësues ndërkombëtarë, por të gjithë jemi të vetëdijshëm se datë për bisedimet me BE-së vështirë të merret me kriminalitet dhe skandale si ‘Reketi’, që tani është aktual në shtet”, ka deklaruar Dimçe Arsovski nga VMRO-ja.

SHIKONI EDHE: A po e rrezikon Prokuroria Publike datën e bisedimeve?

Njohësit e çështjeve politike thotë se partitë duhet të angazhohet shumë më tepër në takime, por edhe në përmbushjen e obligime që të mos lëshohet ky rast, të cilin ata e vlerësojnë si historik.

“Ministrat duhet të bëjnë përpjekje, para se gjithash në takime me vendet që ende kanë dilema për datën me vendin tonë. Brukseli nuk është problem, por kjo nuk vlen edhe për Parisin. Aty duhet harxhuar më shumë energji. Të shihet apo të punohet që të na ndajnë nga Shqipëria, nëse ajo përfundimisht nuk ka kalon te vendet e BE-së”, thotë Lupço Petkovski, drejtor ekzekutiv i qendrës për strategji evropiane.

Megjithatë, sipas tij, deri në momentin e fundit gjithçka do të mbetet e paqartë. Maqedonia e Veriut, sipas tij, argument të fuqishëm ka Marrëveshjen e Prespës, që tani ka mbetur nën hijen e zhvillimeve tjera në vend.

“Prespa është një argument i fortë në anën tonë, por fatkeqësisht sikur ka nisur të zbehet. Rastin ‘Reket’ mund ta shfrytëzojnë ato shtete që hezitojnë për caktimin e datës. Ato thonë se ne si shtet nuk kemi bërë gjë pasi ja na ndodhin raste të rënda kriminale”, thotë Petkovski.

SHIKONI EDHE: Zaev: Data e kushtëzuar, “ditë e madhe” për Maqedoninë

Maqedonia e Veriut, statusin e shtetit kandidat e ka marrë që në vitin 2005 dhe shumë herë ishte thënë se ajo ka përmbushur kushtet e anëtarësimit në NATO dhe të nisjes së bisedimeve me BE-në, por se kushtëzohej me zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë. Pas mbylljes së këtij problemi në qershor të vitit të kaluar, vendi së shpejti rrumbullkason procesin e anëtarësimit në NATO, por ajo e bisedimeve me BE-në mbetet ende e paqartë.