Maqedonia e Veriut mbetet shteti me nivelin më të lartë të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore bazë, duke shënuar kështu inflacionin më të lartë në mesin e vendeve të rajonit, madje edhe në vendet e Evropës.
Ndërkohë, nga të dhënat e Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë "FAO" si agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara, çmimet e produkteve ushqimore gjatë muajit nëntor kanë shënuar ulje prej 17 për qind krahasuar me marsin e po këtij viti.
Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se shpenzimet për jetesë gjatë muajit nëntor janë rritur për 19.8 për qind krahasuar me po të njëjtin muaj gjatë vitit të kaluar.
Si faktorë kyç që kanë nxitur rritjen e inflacionit në vend llogaritet shtrenjtimi i energjisë dhe rritja e çmimeve të produkteve ushqimore.
SHIKONI EDHE:
Inflacioni në rritje, ekonomia në rënieShkup: Marzha tregtare, paniku dhe blerësit nga jashtë zbrazin raftet e vajitRritet shkalla varfërisë në Maqedoninë e VeriutNë bazë të të dhënave të EUROSTAT-it, inflacion më të lartë ka shënuar Hungaria, Estonia, Lituania dhe Letonia, ku inflacioni sillet nga 21 deri 22 për qind.
Krahasuar me vendet e Ballkanit, inflacioni që ka shënuar Maqedonia e Veriut me 19.5 për qind është shumë i lartë, kundrejt Bosnjë e Hercegovinës me 17 për qind, Malit të Zi dhe Serbisë me rreth 15 për qind, Bullgarisë me 14 për qind, Kroacisë me 13 për qind , Sllovenisë me rreth 11 për qind, Greqisë me 9 për qind dhe Shqipërisë me 8 për qind.
Çka e shkaktoi rritjen e inflacionit në shkallë të lartë?
Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se në shkallën e lartë të inflacionit hise ka rritja enorme e produkteve ushqimore nga ana e tregtarëve dhe mosreagimi adekuat i autoriteteve qeveritare ndaj këtij fenomeni.
“Vetëm për ilustrim, gjatë 7 muajve të fundit nga marsi deri më tani çmimi i produkteve ushqimore është rritur për 33 për qind, ndërkohë që çmimi i produkteve ushqimore në bazë të indeksit të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë ‘FAO’ ka shënuar ulje prej 15 deri 16 për qind. Në berzën botërore çmimi i produkteve ushqimore ka shënuar ulje, kurse në Maqedoni ka rritje të çmimit të produkteve ushqimore".
"Do të thotë, në njërën anë kompanitë në Maqedoninë e Veriut e shfrytëzojnë situatën me inflacionin në nivel global shumë më shumë nga ajo që është e arsyeshme dhe nga ana tjetër, Qeveria vëzhgon situatën në mënyrë pasive, pa reaguar ashpër me sanksione ndaj kompanive që abuzojnë me çmimet e produkteve ushqimore”, thotë Branimir Jovanoviq, njohës i çështjeve ekonomike, i angazhuar në Institutin e Vjenës.
Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ai thekson se për ta ndalur hovin e rritjes së çmimeve, duhet të kufizohet marzha, përkatësisht dallimi mes çmimit të blerjes dhe atij të shitjes.
SHIKONI EDHE: Marzha tregtare pa efekte në Maqedoninë e VeriutNga ana tjetër, Arben Halili, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thotë për Radion Evropa e Lirë se inflacioni është si rrjedhojë e mungesës së ndihmës sistemore nga shteti.
“Inflacioni i lartë tregon se përgatitja e infrastrukturës ligjore, me theks të veçantë mungesa e qartë e mbështetjes së komunitetit të biznesit jo vetëm për t’u zotëruar tregjet vendore, por njëkohësisht edhe tregjet rajonale evropiane dhe pse jo edhe ato botërore, bën që zhvillimi i segmenti ekonomik në vend të çalojë”.
“Maqedonia e Veriut jo vetëm që ka fuqi të ulët konsumuese, por po ashtu edhe fuqia blerëse e kapitalit vendor nuk ka arritur të etablohet në nivelin e duhur që të mund t’u bëjë ballë sfidave, përkatësisht t’u përgjigjet në mënyrë komplementare”, thotë Halili.
Ndryshe, për të ndikuar në uljen e çmimit të produkteve ushqimore bazë të paktën për 10 për qind, Qeveria e Maqedonisë së Veriut mori vendim që nga 1 dhjetori të subvencionojë rrymën për kompanitë e produkteve ushqimore.
Sipas vendimit të Qeverisë maqedonase, të gjitha kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore bazë - sikurse vaj ushqimor, bukë dhe produkte furre, miell, qumësht dhe produkte të qumështit, ato të industrisë së mishit dhe shpezëve - nga 1 dhjetori do të marrin subvencion prej 80 eurosh për një megavat të shpenzuar të energjisë.
Por, kjo masë nuk solli rezultate pasi çmimi i produkteve ushqimore bazë për dy javë nga kjo masë, nuk kanë shënuar aspak ulje.
SHIKONI EDHE: Subvencionimi i rrymës nuk ul çmimin e bukësPartia maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE, ka akuzuar pushtetin gjegjësisht Lidhjen Social Demokrate dhe Bashkimin Demokratik për Integrim për mosreagim adekuat ndaj krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë, e cila prodhoi rritjen e çmimeve të energjisë dhe produkteve ushqimore.
“Për shkak të Qeverisë LSDM dhe BDI, Maqedonia e Veriut po përballet me një fatkeqësi ekonomike dhe varfërim drastik të popullit. Këtë e tregon edhe raporti i ri i Bankës Botërore, sipas të cilit Maqedonia është në dhjetë vendet e para në botë që kanë inflacionin real më të lartë në ushqim. Qeveria e Kovaçevskit nuk bëri asgjë për ta parandaluar këtë. Përkundrazi, ata shpenzojnë kohën e tyre në tenderë dhe pasurime personale, ndërkohë që njerëzit po përballen me norma inflacioni rekord që janë ndër më të lartat në Evropë dhe në botë”, thuhet në reagimin e partisë maqedonase në opozitë VMRO DPMNE.
Ndërkohë, analizat e Bankës Popullore tregojnë se Maqedonia e Veriut, si shtet i cili mbetet i varur nga importi, mbetet nën “goditjen” e presionit të inflacionit.
Nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut thonë se për vitin 2023 inflacioni në Maqedoninë e veriut të sillet nga 8 deri 9 për qind.