Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura me 6 tetor, sipas raportimeve nga vëzhguesit vendorë dhe ata ndërkombëtarë kaluan qetë dhe ishin në harmoni me standardet demokratike.
Po ashtu edhe fushata parazgjedhore është vlerësuar nga organizatat vëzhguese se u zhvillua pa probleme dhe incidente që do të dëmtonin procesin.
Por, ishte procesi i numërimit të votave dhe manipulimet e shumta nga komisionarët e partive politike, që po vlerësohet se po e dëmtojnë gjithë procesin zgjedhor. Sipas zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kjo çështje po përsëritet sa herë që po mbahen zgjedhjet.
Derisa rezultati i zgjedhjeve për partitë politike dhe koalicionet nuk mund të ndryshohet më, ajo që vëzhguesit kanë vërejtur është tendenca e manipulimeve përbrenda partive politike, që manifestohet përmes manipulimit me votat e kandidatëve për deputetë.
SHIKONI EDHE: Rinumërimet vonojnë shpalljen e rezultatit final të zgjedhjeveKryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, është detyruar të ftojë Policinë dhe Prokurorinë hetuese që të qëndrojnë në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për të hetuar disa parregullsi të raportuara nga vëzhguesit si dhe për të parë nëse ka manipulim me votat e qytetarëve nga komisionarët e partive politike.
Daka ka theksuar se gjatë numërimit të votave në disa qendra të votimit, janë bërë manipulime të llojeve të ndryshme dhe për ketë arsye, sipas saj, është dashur dhe duhet të bëhet rinumërimi i disa kutive në disa vendvotimeve.
"Sa i takon komisionarëve, unë edhe tash mund t’u bëj thirrje publike edhe Policisë edhe Prokurorisë që mund të qëndrojnë lirisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe aty për aty të shohin dhe t’i marrin provat sepse në ato vendvotime (ku kishte rinumërime) janë bërë manipulime të llojeve të ndryshme", tha Daka.
Nga e enjtja, prokurorët e shtetit dhe Policia e Kosovës kanë shkuar brenda objektit të Qendrës për Numërim dhe Rezultate.
"Prokurori i Shtetit njofton publikun se në Qendrën për Numërim dhe Rezultate (QNR), tanimë janë prezent Prokurori i Shtetit dhe hetuesit nga Policia e Kosovës, të cilët bashkërisht do t'i përcjellin dhe verifikojnë pretendimet e parashtruara nga KQZ-ja”, është thënë në një komunikatë nga Prokuroria.
Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë thanë se vonesat në përmbylljen e gjithë procesit zgjedhor nuk po bëhen për shkak të KQZ-së, por për shkak të problemeve të cilat i kanë bërë partitë politike.
"Asnjë subjekt politik nuk ka qenë imun karshi manipulimeve të komisionarëve në terr", ka deklaruar Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës.
Naim Rashiti, drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se partitë politike ose komisionarët meqë tani nuk po mund t'i manipulojnë qytetarët, po i manipulojnë rezultatet.
"Etablimi i rezultateve prej vendvotimeve në tabelën e përgjithshme ndodhen telashe, ndodhën shtrembërime të cilat janë konfirmuar edhe vet nga kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor që janë bërë nga shumë parti. Janë dëshmuar edhe nga disa pretendime, por edhe disa incidente të ndryshme që u proklamuan, por edhe hapja e vazhdueshme e kutive me vota. Ky proces me kredibilitet aq të madh u lëndua, u lëndua nga vet partitë politike", tha Rashiti.
Ai tha se procesi zgjedhor u dëmtua nga partitë politike dhe kandidatet e tyre për deputetë të cilët janë në garë për t’u renditur sa më lartë në lista dhe për të siguruar kështu ulëse në Kuvend.
Sipas tij, me urgjencë duhet të ndërrohet sistemit zgjedhor dhe mënyra e votimit të kandidatëve për deputetë.
"Kjo tregon se procesi i votimit dhe dhënia e votës duhet të thjeshtësohet në proceset e ardhshme. Duhet të thjeshtësohet mënyra e të votuarit. Nuk mund të votojmë për pesë kandidatë, sepse aty po ndodh manipulimi", tha Rashiti.
SHIKONI EDHE: Partitë gjobiten me rreth 360 mijë euro për shkelje zgjedhoreAlbert Krasniqi, njohës i zhvillimeve politike në Kosovë, ka deklaruar se një prej pikave më të dobëta të organizimit të zgjedhjeve në Kosovë mbetet nevoja për rinumërim të kutive të votimit, që kryesisht është pasojë e përpjekjeve të komisionarëve për të manipuluar me votat e kandidatëve.
"Trendi i rinumërimit është në rritje nga zgjedhjet e vitit 2014, ku prej 19.59% ka arritur në 33.14% në zgjedhjet e fundit, e që mund të rritet ende pas shpalljes së rezultateve. Për të rritur besimin në zgjedhje, reforma zgjedhore duhet të marrë në konsideratë që votat e subjekteve politike të numërohen në vendvotime (për të pasur rezultatet më shpejtë), kurse votat e kandidatëve të numërohen në QNR për të evituar manipulimet", ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në Facebook.
Përmbyllja e procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë, që nënkupton shpalljen e rezultatit përfundimtar dhe certifikimin e tij, sipas zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mund të zgjasë afërsisht edhe dy javë të tjera.
Ndërkaq, sipas Institutit Demokratik të Kosovës, i cili në kuadër të koalicionit të organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim, ka qenë i përfshirë në vëzhgimin e gjithë procesit, deri te shpallja e rezultatit final mund të zgjasë edhe një muaj.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Sipas rezultateve preliminare nga numërimi i votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.