“Manifesta” zdrit Prishtinën

Në Hotelin Grand është shkruar "Do ta pikturojmë qiellin".

Një ndër aktivitetet më të mëdha kulturore në Evropë, “Manifesta, Bienalja Evropiane Nomade”, hap zyrtarisht dyert në Prishtinë më 22 korrik.

Kjo bienale - sivjet me edicionin e 14-të - i kushtohet artit në hapësirat publike, por shërben edhe si urë komunikimi mes artistëve.

Në lokacione të ndryshme në Prishtinë, artistë vendorë e të huaj janë duke finalizuar tashmë veprat e tyre.

SHIKONI EDHE: “Manifesta 14” në Prishtinë sjell një model të ri bienaleje

Disa hapësira publike të Prishtinës po marrin pamje tjetër, përfshirë Hotelin Grand, që është mbuluar nga yjet dhe është shndërruar në vend mikpritës për veprat e shumë artistëve.

Radio Evropa e Lirë ka vizituar disa nga vendet, ku aktualisht janë duke u bërë përgatitjet e fundit dhe ju sjell fotografitë e disa veprave që janë të vendosura në hapësira të ndryshme publike.

Sipër Hotelit Grad është shkruar " Do ta pikturojmë qiellin".

“Kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin” është mbishkrimi i vendosur mbi Hotelin Grand në Prishtinë. Ky mbishkrim është pjesë e projektit të artistit nga Kosova, Petrit Halilaj. Në konceptin e tij, Halilaj e cilëson Hotelin Grand si një monument të rëndësishëm historik dhe arkitekturor, i cili shërben si rikujtim për historinë e Kosovës në ish-Jugosllavi. Puna e Halilajt është thellë e lidhur me historinë e Kosovës dhe me pasojat e tensioneve kulturore dhe politike në rajon. E kaluara thotë se i shërben shpeshherë si pikënisje për alternativa poetike për të ardhmen.

Artisti Dardan Zhegrova.

Diku thellë në një hapësirë të Hotelit Grand, artisti kosovar, Dardan Zhegrova, finalizon punët që i kanë mbetur para hapjes së “Manifestës”. Ai nuk dëshiron të zbulojë shumë përpara hapjes zyrtare të këtij aktiviteti, ku pret të ketë shumë vizitorë.

“Të dyja punët [e mia], si në Galeri Kombëtare dhe në Hotelin Grand, janë me tekstil. Janë punime që janë të bazuara në fëmijërinë time dhe janë, në njëfarë mënyre, një manifestim për një realitet të ri për mua dhe audiencën. Janë punime interaktive, ku audienca mund të ketë qasje në to...”, thotë Zhegrova për REL-in. Mbajtja e këtij aktiviteti në Prishtinë, sipas Zhegrovës, e nxjerr edhe më tej artin kosovar nga izolimi.

Fotografitë e ekspozuara të artistes Majlinda Hoxha.


Në katin e dytë të Hotelit Grand, artisja kosovare, Majlinda Hoxha, vendos disa fotografi në mure. Në ndërhyrjen e saj artistike në Hotelin Grand, Hoxha e parafytyron ndërtesën si një vendpushim për historinë e Kosovës dhe një mikrokozmos të shoqërisë së këtij vendi.

Vepra e artistes japoneze, Chiharu Shiota, në Hamamin e Madh të Prishtinës.


Hamami i Madh i Prishtinës ishte i mbyllur më 14 korrik. Por, nga jashtë, përmes dritareve - ndonëse jo krejt qartësisht - shihej vepra e artistes japoneze, Chiharu Shiota. Ajo është pjesëmarrëse në programin e “Manifesta 14 Prishtina”.
Në Hamamin e Madh të Prishtinës ka krijuar një instilacion artistik, që përfshin tregime personale të personave të ndryshëm në Kosovë, të thurura në një rrjetë që simbolizon ekzistencën e tyre në kujtesë.

Portretet e grave rome të punuara nga Farije Mehmeti.

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës janë vendosur një seri portretesh të grave rome, të punuara nga Farije Mehmeti, një artiste nga Lipjani i Kosovës. Projekti që njihet si “Bibiloteka e RomaMoMA” është dinamik, nomad dhe ndërlidhet me kontekste të vendeve në të cilat udhëton. Kjo bibliotekë ka mbi 150 libra të letërsisë bashkëkohore rome dhe mbi trashëgiminë artistike dhe kulturore të këtij komuniteti.

Punimet në Biblotekën Hivzi Sylejmani.


Në kuadër të “Manifesta 14 Prishtina”, në bibliotekën e qytetit të Prishtinës “Hivzi Sylejmani” janë duke u bërë disa intervenime. Kjo hapësirë është duke u tentuar që të shndërrohet në një hapësirë të përhershme ndërdisiplinore, duke kombinuar bashkëpunimin rajonal, planifikimin urban, ndërtimin e komunitetit, artin dhe kulturën bashkëkohore.

Vepra artistike e artistes koreane, Lee Bul, e vendosur në Pallatin e Rinisë.


Në sallën sportive - të djegur vite me parë - në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, prej ditësh, është vendosur vepra artistike e artistes koreane, Lee Bul. Ditën që REL-i vizitoi këtë lokacion, nuk ishte askush aty, përveç makinave që parkoheshin në këtë sallë, që është e destinuar për sport, e jo për parkim. Në prezantimin zyrtar të kësaj vepre artistike thuhet se Lee Bul “na fton të reflektojmë mbi atë që mund të shpëtojmë nga ëndrrat e së kaluarës dhe çka mund të sjellë kjo për të ardhmen”.

Punimet në sheshin Adem Jashari.


Sheshi “Adem Jashari” në Prishtinë ka nisur të marrë një pamje tjetër. Kjo, pasi në këtë objekt trekëndësh, që në kohën e ish-Jugosllavisë simbolizonte vëllazërim-bashkimin, kanë nisur punimet në ndryshimin e ngjyrës duke e mbështjell me letër ngjitëse.

Sipas konceptit zyrtar, artisti zviceran, Ugo Rondinone, përmes ndërhyrjes së tij artistike - në një kohë kur monumentet në gjithë botën po trazohen dhe shpesh po përmbysen - do të sjellë në dukje të plotë si strukturën, ashtu edhe debatin kritik, për të cilin qëndron në një nga sheshet publike më të vizituara të Prishtinës.

Nga 22 korriku, për 100 ditë rresht, “Manifesta 14 Prishtina” do të presë 103 pjesëmarrës nga 32 vende të botës.

Prishtina është qyteti i parë i Ballkanit Perëndimor që do të jetë nikoqir i këtij aktiviteti.
Manifesta nomade evropiane ndërron lokacion çdo dy vjet. Ajo zgjedh rregullisht vende të papritura që të jenë qytete nikoqire. Këtë vit ka për temë qendrore rikthimin e hapësirave publike te qytetarët.