Pronat që Manastiri i Deçanit po i kërkon me ngulm që nga përfundimi i luftës; fëmijët e lindur nga dhuna seksuale gjatë luftës që janë të harruar nga shteti; dhjetëra kamera të sigurisë që nuk dihet se kush i ka vendosur në hapësirat publike në Ranillug dhe Partesh; autoritetet shprehen të gatshme për investime në Vallaç, nënstacionin elektrik që gjendet në veri të Kosovës; Prishtina bëhet gati edhe për një dimër me ajër të ndotur; rrëfimi i Besa Çejku Buçinca për punën si gazetare gjatë regjimit serbe dhe a po bëhet gati Bjellorusia të sulmojë Ukrainën.
Këto janë vetëm disa prej temave që Radio Evropa e Lirë i ka trajtuar gjatë kësaj jave dhe të cilat, të përmbledhura po ua risjellim përmes këtij artikulli.
Çfarë ka në 24 hektarët përreth Manastirit të Deçanit?
Gjykata Kushtetuese më 2016 konfirmoi pretendimet e Manastirit të Deçanit për pronësinë ndaj një hapësire prej rreth 24 hektarësh.
Por, kjo pronë, në kadastër është shënuar si pronë e dy ndërmarrjeve "Iliria" dhe "Apiko" - e para hotel dhe e dyta fabrikë mjalti.
- SHBA-ja sërish i bën thirrje Qeverisë Kurti të zbatojë vendimin për Manastirin e Deçanit
- Manastiri i Deçanit e “mirëpret” me kushte Kurtin
Radio Evropa e Lirë ka vizituar këtë pronë, të cilën Manastiri i Deçanit e pretendon që nga përfundimi i luftës, dhe ka sjellë detaje se çfarë gjendet në të.
Fëmijët e lindur nga dhuna, viktima të harruara të luftës
Institucionet e Kosovës nuk kanë informacione se sa fëmijë kanë lindur si pasojë e përdhunimeve gjatë luftës së fundit. Ndërkaq, një organizatë që merret me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës ka thënë se ka regjistruar 36 shtatzëni si pasojë e dhunimit.
Përderisa një qark në Bosnjë e Hercegovinë, shtet që është përballur po ashtu me luftë në vitet ’90 njeh si viktima civile të luftës, në Kosovë, këta fëmijë duket se janë “harruar” nga institucionet.
Kamerat ‘pa pronar’ që vëzhgojnë Ranillugun e Parteshin
Mbi 20 kamera sigurie janë të vendosura në hapësirat publike të Ranillugut dhe Parteshit, dy komuna të banuara me shumicë serbe, që gjenden në pjesën lindore të Kosovës.
Nuk dihet se kush është pronari i këtyre kamerave dhe Prokuroria e Shtetit ka nisur mbledhjen e informacioneve pas dyshimeve se po bëhet vëzhgim ilegal.
Sipas ligjeve, në Kosovë vëzhgimi i hapësirave publike me kamera mund të bëhet vetëm për nevoja të Policisë së Kosovës.
KOSTT-i i gatshëm për investime në Vallaç
Që nga përfundimi i luftës, Kosova nuk ka menaxhuar nënstacionin në Vallaç, që gjendet rreth 8 kilometra larg Mitrovicës së Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe.
Por, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) tha se është i gatshëm të investojë në këtë nënstacion elektrik.
Jeton Mehmeti, kryesues i Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosovës i sigurohet qasje në këtë nënstacion në bazë të Udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë midis Kosovës dhe Serbisë.
“Gjendja nuk është edhe aq e mirë, mendoj se në momentin që do të kemi qasje, do kemi investime të cilat do të rrisin kapacitetet e këtij nënstacioni, që sigurisht do sigurojë furnizim më të mirë dhe kualitativ për qytetarët e asaj pjese, duke përfshirë edhe komunat në veri, por edhe pjesën tjetër të Kosovës”, tha Mehmeti.
SHIKONI EDHE:
BE: KOSTT dhe Elektrosever arrijnë marrëveshje për rrymën në veri“Vallaçi është yni” - Kosova dhe Serbia pas Marrëveshjes për Energjinë
Ky nënstacion është një prej pikave furnizuese me energji elektrike për komunat në veri të Kosovës dhe të hidrocentralit të Ujmanit.
Nën mbikëqyrjen e milicit: "Lajmin e fshihja në xhep të xhaketës"
Në rubrikën e përjavshme Femina, këtë javë kemi sjellë rrëfimin e Besa Çejku Buçinca, gazetares dhe prezantueses së lajmeve.
Ajo së fundi ka dalë në pension, pas një karriere mbi katër dekadëshe.
Për REL-in, Çejku Buçinca, tregoi se si ishte puna si prezantuese e lajmeve gjatë kohës të regjimit serb.
“Situata ishte shumë e errët… nuk mund të kishte lajme të mira… por më i dhimbshmi ishte lajmi për burgosjen e gjithë atyre protestuesve, pjesëmarrësve në demonstratat e vitit ’81, që ne i quajmë Pranvera Shqiptare e Kosovës”, tha ajo.
Videon e plotë të rrëfimit të Besa Çejku Buçincës, mund ta shikoni më poshtë:
Çfarë ajri thithim?
Cilësia e ajrit ka qenë temë e episodit të kësaj jave të Podkastit Libertas të REL-it, teksa Prishtina po përgatitet edhe për një dimër me ndotje të lartë të ajrit.
Ndotësit kryesorë të ajrit vlerësohet se janë termocentralet në Obiliq – pak metra larg Prishtinës – që prodhojnë energji përmes djegies së qymyrit.
Këtë vit, gjendja keqësohet edhe më shumë në kohën kur kriza energjetike është kthyer në një ndër problemet më të mëdha. Me çmimet e larta, qytetarët detyrohen që ngrohjen ta sigurojnë me djegie të drurit, thëngjillit e lëndëve tjera të cilat kontribuojnë në uljen e cilësisë së ajrit.
- Dëgjoni KËTU episodet e tjera të Podkastit Libertas
- Ndërkaq, KËTU mund të gjeni edhe episodet e Podkastit Të Flasim
A do ta sulmojë edhe Bjellorusia Ukrainën?
Në magazinën e përjavshme televizive, Expose, këtë javë është trajtuar tema e mundësisë që Bjellorusia t’i bashkohet Rusisë, për ta sulmuar Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin e paprovokuar të Moskës.
- Shikoni KËTU të gjitha emisionet e Exposesë
Bjellorusia është bërë trampolinë për agresionin që Rusia nisi kundër Ukrainës më 24 shkurt, por nuk është përfshirë direkt në luftë.
Megjithatë, disa analistë besojnë se nëse presidenti rus, Vladimir Putin, i kërkon liderit diktatorial bjellorus, Aleksandr Lukashenka, që të futet në luftë, ai nuk do të mund të refuzojë.