As Qeveria, as kryeministri, as presidenti, e as kryetari i Parlamentit të Malit të Zi nuk kanë reaguar lidhur me votën e një deputeteje të këtij shteti kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Opozita malazeze e ka cilësuar këtë akt si antievropian.
Më 27 mars, Maja Vukiqeviq, kryetare e delegacionit malazias në Komitetin për Politikë dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), votoi kundër propozimit që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
SHIKONI EDHE: Kosova bën hap drejt anëtarësimit në Këshillin e EvropësVukiçeviq është anëtare e Partisë Popullore Demokratike (DNP) pro-ruse në parlamentin malazias, njëherësh deputete e ish-Frontit Demokratik, agjenda e të cilit përfshinte tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, heqjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe daljen e Malit të Zi nga Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).
Partia e saj e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë, duke e quajtur atë “shtet të rremë" dhe "territor të pushtuar përkohësisht".
Kjo parti është pjesë e shumicës qeverisëse në Mal të Zi që nga ndryshimi i qeverisë në vitin 2020, kur u zëvendësua Partia Demokratike e Socialistëve, e cila njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.
Që atëherë, në Mal të Zi janë formuar tri qeveri.
Në programet e secilës nuk është vënë në dyshim kursi i politikës së jashtme të vendit, i cili është anëtar i NATO-s që nga viti 2017, si dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
SHIKONI EDHE: Panserbizmin "do ta ndalte zgjerimi i NATO-s" në BallkanShkelje e marrëveshjes së koalicionit?
Në pritje të formimit të qeverisë aktuale të Millojko Spajiqit, partitë e shumicës, përfshirë DNP-në, nënshkruan një marrëveshje koalicioni, ku zotohen "të respektojnë kursin euroatlantik të vendit dhe të zhvillojnë bashkëpunim miqësor me të gjitha vendet, të cilat Mali i Zi i ka njohur".
Qasja e shprehur në Komitetin Politik të PACE-së shkel marrëveshjen e koalicionit qeverisës, thotë për Radion Evropa e Lirë profesori i së drejtës ndërkombëtare, Nebojsha Vuçiniq.
"Kjo është arsyeja pse kryeministri dhe Ministria e Punëve të Jashtme duhet të jenë të kujdesshëm. Ne i dimë pikëpamjet e opsionit ekstrem serb - që është kundër pavarësisë së Malit të Zi, kundër integrimit evropian dhe vlerave perëndimore".
SHIKONI EDHE: Në Mal të Zi paralajmërojnë votë kundër Kosovës në Këshillin e EvropësREL-i pyeti Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Qeverinë e Malit të Zi nëse vota e deputetit Vukiqeviq në PACE mund të dëmtojë marrëdhëniet e Malit të Zi me Kosovën, dhe nëse ajo shkel qartë marrëveshjen e koalicionit, që detyron nënshkruesit të "bashkëpunojnë me të gjitha vendet e njohura nga Mali i Zi".
Asnjë përgjigje nuk mbërriti. Nuk kanë reaguar as presidenti i shtetit, Jakov Millatoviq, as kryeministri Spajiq, e as shefi i diplomacisë, Fillip Ivanoviq.
“Ministër Ivanoviq, kryeministër Spajiq, president Millatoviq... na bëni me sy nëse ju kanë rrëmbyer!”, thanë socialdemokratët opozitarë, duke vlerësuar se partitë e ish-Frontit Demokratik po zbatojnë me sukses agjendën me të cilën Mali i Zi u rreshtua zyrtarisht kundër Perëndimit.
Ahmeti: Mali i Zi në fund do ta mbështesë Kosovën
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se beson që vota negative e deputetes malazeze në PPSE nuk është votë negative e Malit të Zi si shtet.
Ai ka thënë, po ashtu, se qëndrimet e deputetes Vukiqeviq janë në përputhje me ato të delegatëve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, që votuan kundër, teksa ka thënë se një votim i tillë ka pasoja edhe për komunitetin serb në Kosovë.
“Për mua është për keqardhje, sepse vota kundër argumentohet me të drejtat e qytetarëve serbë të Kosovës, por është një pozicion shumë kontradiktor. Nuk mund të thuhet që do t’ia pamundësojmë atij komuniteti që të ketë qasje në Gjykatën e Strasburgut [Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut], sepse ai komunitet nuk ka mjaftueshëm të drejta. Pra, pikërisht nëse ka pretendime se ka cenim të të drejtave, duhet të krijohet hapësira që ata të kenë qasje në Gjykatën e Strasburgut”.
Ahmeti, megjithatë, është optimist se Kosova do ta marrë mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, sepse, gjatë konsultimeve politike me zyrtarë të lartë të Qeverisë së Malit të Zi ditëve të fundit, Prishtinës i është premtuar mbështetje jo vetëm për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por edhe, siç ka thënë ai, në organizata të tjera ndërkombëtare.
“Sigurisht që jam i bindur se në Këshillin e Ministrave, në maj, ministri i Jashtëm i Malit të Zi, apo kushdo që do ta përfaqësojë Malin e Zi, do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, është ka thënë Ahmeti për REL-in.
Vuçiniq: Mesazh antievropian, pa pasoja
Profesori Vuçiniq beson se nuk është e pazakontë që deputetët e PACE-së të votojnë bazuar në programet e tyre politike, por ai e konsideron absurde në rastin e Malit të Zi.
“Nuk është e panjohur që deputetët në PACE janë të grupuar sipas përkatësive të tyre ideologjike dhe politike. Por, në këtë rast, shtrohet çështja e përputhjes së politikës së jashtme të Malit të Zi me atë të BE-së”.
Para votimit, partia e deputetes Vukiqeviq njoftoi se “me kënaqësi do të votoj” kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
SHIKONI EDHE: Një derë e re për drejtësi: Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?Kjo parti, e udhëhequr nga Millan Knezheviq, e cila mbështet hapur politikën e presidentit rus, Vladimir Putin, ka vënë vazhdimisht në pikëpyetje politikën e jashtme të Malit të Zi.
Megjithatë, profesori Vuçiniq beson se përpjekjet e tilla nuk mund të ndikojnë në njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe as të çojnë në një ndërprerje të përhershme të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
"Përpjekjet për të anuluar njohjen e pavarësisë së Kosovës janë absurde. Pasi të bëhet njohja, ajo është e parevokueshme. Kjo është një pyetje për një gjashtëshe në lëndën e së drejtës ndërkombëtare publike. Nuk mund të ndodhë prishje më e thellë e marrëdhënieve ndërmjet shteteve, sepse ne e dimë ideologjinë dhe qëndrimet politike të grupit që zonja Vukiqeviq përfaqëson në PACE".
SHIKONI EDHE: Partitë pro-ruse iniciuan tërheqjen e njohjes së Kosovës nga Mali i ZiProfesori Vuçiniq beson se ky votim nuk ka pasoja, sepse “vendimin për pranimin e Kosovës në fund e merr Komiteti i Ministrave, i cili përbëhet nga ministrat e jashtëm, përkatësisht përfaqësuesit e Qeverisë”.
Pas rekomandimit të Komisionit Politik për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, më 18 prill, në seancën e Asamblesë Parlamentare do të votojnë 306 deputetë nga 46 shtete. Dhe, më pas, vendimi përfundimtar do të merret nga Komiteti i Ministrave, i përbërë prej 46 anëtarësh, në maj.
Në asamble, Mali i Zi ka tre deputetë, një prej të cilëve është Maja Vukiqeviq.
Partitë shqiptare kujtojnë se Kosova është e pavarur
Lëvizja Evropa Tani, e kryeministrit Spajiq, si dhe demokratët e zëvendëskryeministrit Aleksa Beçiq, nuk kanë reaguar ndaj votimit të Vukiqeviqit.
Lideri i Partisë Popullore Socialiste pro-serbe, Vlladimir Jokoviq, i cili po ashtu është pjesë e qeverisë, ka thënë se edhe ai do të votojë kundër pranimit të Kosovës.
Nga Qeveria kanë folur vetëm ministrat e partive shqiptare.
Zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj ka thënë se qëndrimin përfundimtar të shtetit për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës do ta prezantojë ministri i Punëve të Jashtme, dhe se deputetët janë të lirë të votojnë sipas dëshirës.
“Pozicioni i Qeverisë për Kosovën dihet, qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave”, është shprehur ai.
Ndërkaq, ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, i cili është kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, e ka cilësuar votën e deputetes Vukiqeviq si të dëmshme për integrimin evropian, dhe kundër marrëveshjes së koalicionit.
"Kosova është shtet sovran. Këtë vendim e ka marrë edhe Mali i Zi, por duket se disa në koalicionin qeverisës nuk e kanë kuptuar”, ka thënë ai.
*Video: Përfitimet nga anëtarësimi eventual i Kosovës në Këshillin e Evropës
Your browser doesn’t support HTML5
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka uruar Kosovën për hapin drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke thënë se “autoritetet përgjegjëse duhet të rishqyrtojë praktikën që pikëpamjet e individëve apo grupeve zënë vendin e atyre të shtetit".
Unioni Kombëtar Shqiptar i Ferhat Dinoshës deklaroi se vota e deputetes Vukiqeviq duhet të shërbejë si paralajmërim për Qeverinë që të parandalojë dëmtimin politik të Malit të Zi, në mes të përpjekjeve për anëtarësim në BE.
Opozita dënon qëndrimin e Qeverisë ndaj Kosovës
Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit ka deklaruar se votimi kundër rekomandimit që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës është një politikë antievropiane e Qeverisë.
“Rreshtimi i Malit të Zi, në anën e kundërt të të gjitha vendeve të tjera evropiane, tregon se politika shtetërore është bërë formalisht antievropiane”, ka thënë ajo.
Partia opozitare ka vlerësuar se udhëheqja shtetërore, e prirë nga kryeministri Spajiq, nuk reagon ndaj lëvizjeve të tilla të pengimit të politikës shtetërore, sepse është shantazhuar nga përkrahja në parlament nga partitë e ish-Frontit Demokratik.
Dy partitë e ish-Frontit Demokratik, DNP-ja e Knezheviqit dhe partia e kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Demokracia e Re Serbe e Andrije Mandiqit, së bashku kanë 13 anëtarë në Parlament.
Socialdemokratët e opozitës thanë se ky votim dërgon një mesazh se Mali i Zi nuk është një partner i besueshëm dhe se politika e tij e jashtme nuk është më në linjë me politikën e BE-së.
Sipas marrëveshjes së koalicionit, partitë e ish-Frontit Demokratik do të marrin në muajt në vijim një post nënkryetari dhe katër poste ministrore në Qeveri.
Marrëveshja parashikon që ata të marrin katër pozita për ambasadorë.