Ndërlidhjet

Një derë e re për drejtësi: Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?


Gjyqtarët e Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut në sallën e gjyqit. (Foto: Reuters)
Gjyqtarët e Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut në sallën e gjyqit. (Foto: Reuters)

Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.

Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut do të jetë derë e re për drejtësi për shtetasit e Kosovës, nëse vendi anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Ekspertët e fushës tregojnë se si dhe kur mund të shfrytëzohet e drejta për të dërguar një rast në GJEDNJ.

Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për një prej temave më të përfolura të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.

Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!


Një prej përfitimeve direkte të qytetarëve të Kosovës nga anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do të jetë qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut [GJEDNJ].

Kjo Gjykatë – me seli në Strasburg – konsiderohet një prej mjeteve juridike më efektive në gjithë Evropën.

Ajo do të mund të jetë një derë e re që hapet për shtetasit e Kosovës, dhe për Kosovën si shtet, nëse një palë beson se është trajtuar padrejtësisht në proceset paraprake gjyqësore.

Le të thellohemi në këtë pikë.

Kur dhe për ç’arsye mund t’i drejtohet dikush Gjykatës?

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut, të cilën e nënshkruan një vend pas anëtarësimit.

Për t’iu drejtuar Gjykatës, fillimisht një individ duhet t’i shterojë të gjitha mjetet juridike – varësisht prej ligjit vendor - ku një person, apo edhe vetë shteti, ka kryer shkelje, dhe i cili është pjesë e Këshillit të Evropës.

Pjesë e Këshillit aktualisht janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.

Në rastin e Kosovës do të thotë se fillimisht një palë duhet t’i drejtohet Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit, asaj Supreme dhe Kushtetuese, dhe duhet të tregojë në hollësi si janë shkelur të drejtat e garantuara.

Përjashtim bëjnë rastet kur ndonjë palë mund të vërtetojë që nuk ka pasur mjet efektiv juridik dhe që, rrjedhimisht, i është dashur të kapërcejë ndonjë gjykatë në Kosovë.

Dr. Venera Kabashi, juriste me bazë në Strasburg dhe njohëse e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ka përmendur për Radion Evropa e Lirë disa raste kur dikush mund t’i drejtohet Gjykatës.

Venera Kabashi.
Venera Kabashi.

“Qytetarët do të mund të kontestojnë vendime të autoriteteve të Kosovës lidhur me pronat e tyre, lidhur me dënimet e tyre me burgim, kohëzgjatjen e paraburgimit, kushtet e burgimit/paraburgimit, vendime të tjera që prekin të drejtën e tyre për jetë, liri të shprehjes dhe asociim, mendimit/besimit, privatësisë, diskriminimit, e të tjera”, ka thënë Kabashi në disa përgjigje me shkrim.

Ish-Avokati i Popullit në Kosovë, Hilmi Jashari.
Ish-Avokati i Popullit në Kosovë, Hilmi Jashari.

Ish-Avokati i Popullit në Kosovë, Hilmi Jashari, përveç rasteve ku janë përfshirë individë, i ka përmendur edhe rastet që lidhen me juridiksion ndërshtetëror.

“Është rasti i Kroacisë me Slloveninë, ku kanë qenë palë në gjyqe për disa asete të kompanive apo bizneseve, që dikur kanë qenë pronë shoqërore, mirëpo më vonë janë privatizuar”, ka thënë Jashari.

Pensionistët e ’99-ës në Kosovë

Disa hamendësojnë nëse do të mund t’i drejtohen Gjykatës në Strasburg për çështjen e pensionistëve të Kosovës të vitit 1999, të cilëve prej qershorit të atij viti u janë ndalur paratë prej shtetit të Serbisë, vend anëtar në Këshill që prej vitit 2003.

Më 2012, Gjykata në Strasburg u kanë dhënë të drejtë dy boshnjakëve të Mitrovicës së Veriut, Lutvije dhe Mahmut Grudiqi, në kërkesën e tyre ndaj shtetit të Serbisë për pensione dhe dëmshpërblim.

Gjykata, madje, ka thënë se për shkak që potencialisht mund të ketë edhe shumë raste të tilla me situatë të njëjtë, Serbia duhet të garantojë që pensionet dhe dëmshpërblimet t’iu paguhen edhe të gjithë pensionistëve të tjerë që kanë kontribuuar në Fondin Pensional në ish-Jugosllavi.

Ish-Avokati i Popullit, Jashari, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “nga 60 mijë persona [në Kosovë] sa kanë pasur të drejtë të përfitojnë, Serbia ka rritur ta reduktojë këtë numër rreth 2.000, nëpërmjet një konkursi të shpallur në UNMIK, në atë kohë”.

“Kanë konkurruar diku rreth 6.000 persona. Prej tyre, për shkak të gjoja mospërmbushjes së kritereve, Serbia i ka eliminuar diku 4.000 tjerë”, ka bërë të ditur Jashari.

Ai e ka fajësuar nxjerrjen e preteksteve të ndryshme nga ana e Serbisë, por edhe mosreagimin e shtetit të Kosovës në Këshillin e Evropës – përveç një opinioni të hartuar prej zyrës së Avokatit të Popullit - për një përfundim të tillë.

Kosova dhe Serbia nuk janë marrë vesh asnjëherë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Pensionistë duke luajtur shah në Prishtinë. (Foto: Radio Evropa e Lirë).
Pensionistë duke luajtur shah në Prishtinë. (Foto: Radio Evropa e Lirë).

A mund t’i drejtohet dikush vetë Gjykatës në Strasburg?

Po.

Ndonëse angazhimi i një avokati nuk është diçka e domosdoshme, Kabashi përmend se “në momentin që rasti do t’i komunikohet shtetit të Kosovës për komente, atëherë pala duhet të angazhojë një avokat për të vijuar tutje me procedurat ligjore”.

Ka edhe raste që ndonjë palë bën kërkesë që të vazhdojë të përfaqësohet vetë, edhe pas komunikimit të rastit, Gjykata e miraton kërkesën, mirëpo personi ose entiteti në fjalë duhet të jetë i familjarizuar me procedurat juridike.

Si bëhet kërkesa?

Është obliguese të plotësohet një formular për aplikim që gjendet në faqen zyrtare të Gjykatës. Formulari dhe dokumentet tjera udhëzuese janë të qasshme në gjuhën shqipe dhe serbe – të dyja gjuhë zyrtare të shtetit të Kosovës.

Kabashi tërheq vërejtjen se nuk është aspak e lehtë që ta plotësojnë formularin personat të cilët nuk janë juristë dhe nuk i dinë rregullat.

Ndërtesa e Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut në Strasburg, lindje të Francës. (Foto: AP)
Ndërtesa e Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut në Strasburg, lindje të Francës. (Foto: AP)

Sa mund të zgjasin procedurat?

Nga disa muaj, e deri në disa vjet – varësisht prej kompleksitetit të rastit.

Largimi eventual i Serbisë nga Këshilli

Zyrtarë të lartë të Beogradit janë duke deklaruar se Serbia mund të largohet prej Këshillit të Evropës, në rast se Kosova pranohet në të.

Jashari beson se ky kërcënim është më shumë i karakterit politik.

Por, edhe në rast të largimit, juristja Kabashi tregon se të gjitha vendet anëtare/ të gjitha palët që pretendojnë se janë viktimë e shkeljeve, do të mund të ankohen në Gjykatën në Strasburg, nëse kanë ndonjë pakënaqësi me shtetin e Serbisë, për periudhën sa ajo ka qenë pjesë e këtij trupi.

Shembull të tillë përbën Rusia, e larguar prej Këshillit të Evropës në shtator të vitit 2022, pas nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë.

“Gjykata e Strasburgut vazhdon të jetë kompetente për të trajtuar çdo rast kundër Rusisë që ka ndodhur para datës 16 shtator 2022 e tutje nga momenti kur ata janë bërë pjesë e Këshillit të Evropës. Në momentin e largimit të Rusisë, në GJEDNJ ishin rreth 17 mijë aplikime kundër Rusisë dhe GJEDNJ-ja ka vazhduar të shpallë aktgjykime kundër Rusisë edhe pas përjashtimit të saj”.

Vendimi final për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pritet të merret në Këshillin e Ministrave gjatë një mbledhjeje që do ta mbajë në muajin maj.

Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).

Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:

Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG