Presidentja pro-perëndimore e Moldavisë kërkon edhe një mandat presidencial

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

Maia Sandu, presidentja pro-perëndimore e Moldavisë, njoftoi se do të garojë edhe për një mandat presidencial në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Sandu po ashtu i bëri thirrje Parlamentit të organizojë një referendum për pranimin e mundshëm të shtetit të saj në Bashkimin Evropian.

“E ardhmja jonë është në familjen evropiane dhe është e nevojshme që ta themi qartë – i gjithë shteti – se cilën rrugë ne zgjedhim për Moldavinë”, tha ajo në një video të publikuar në Facebook më 24 dhjetor.

“I bëj thirrje Parlamentit që të iniciojë mbajtjen e një referendumi vjeshtën e ardhshme, në të cilin zëri i qytetarëve do të jetë vendimtar”, shtoi ajo.

SHIKONI EDHE: BE-ja vendos t'i hapë bisedimet për anëtarësim me Ukrainën dhe Moldavinë

Gjatë një samiti në Bruksel, BE-ja njoftoi më 14 dhjetor për vendimin për hapjen e negociatave për anëtarësim me Moldavinë dhe Ukrainën dhe i dha statusin e vendit kandidat Gjeorgjisë.

Sandu në atë samit ftoi qytetarët në një tubim pro-evropian në Kishiniev më 17 dhjetor, për të festuar atë që ajo e cilësoi si “hap historik për të ardhmen për fatin e shtetit tonë”.

Kryeministri pro-perëndimor i Moldavisë, Dorin Recean, tha se Moldavia “është evropiane” dhe se ardhmja e shtetit “është në BE”.

Më 14 dhjetor, Sandu lavdëroi Parlamentin për miratimin e strategjisë së mbrojtjes kombëtare, që e lidh shtetin e saj me Perëndimin, duke thënë se "ky është një hap drejt forcimit të sigurisë dhe stabilitetit të shtetit tonë".

Sandu përmes videos të publikuar më 24 dhjetor u bëri thirrje qytetarëve që ta mbështesin atë edhe për një mandat presidencial në zgjedhjet që pritet të mbahen nëntorin e vitit 2024.

Është e paqartë nëse Sandu po kërkon që referendumi për anëtarësimin në BE të mbahet së bashku me zgjedhjet presidenciale.

Kjo do të jetë hera e tretë që Sandu garon për presidente. Ajo u mposht nga politikani pro-rus, Igor Dodon, më 2016, por e mundi atë në zgjedhjet e vitit 2020.