Forcat ruse kanë nisur sulme të reja në Kiev dhe në Zaporizhja, thanë zyrtarët dhe ushtria më 27 tetor, teksa forcat ukrainase kanë zmbrapsur sulmet në dy qytete në rajonin lindor të Donbasit.
Guvernatori rajonal i Kievit, Oleksiy Kuleba, shkroi në Telegram se ekipet e shpëtimit janë në vendin ku ndodhi sulmi ajror në kryeqytet, por nuk tregoi lokacionin.
“Gjatë natës, rusët terrorizuan rajonin e Kievit. Kemi pasur sulme në një prej komuniteteve të rajonit. Ekipet e shpëtimit dhe të gjitha shërbimet e emergjencës janë në vendin e ngjarjes. Përpjekjet për shuarjen e zjarrit dhe pasojat e sulmit ende po vazhdojnë”, tha Kuleba.
SHIKONI EDHE: Pse Putin do të preferonte një ngërç në vend të sulmit bërthamor?Në Zaporizhja, rusët kanë përdorur raketa të llojit Smerch për të shënjestruar qytetin gjatë natës, tha kreu i administratës ushtarake rajonale, Oleksandr Starukh.
“Natën armiku ka sulmuar në periferi të rajonit. Sipas informacioneve preliminare, ato ishin tri predha të sistemit raketahedhës Smerch. Nuk ka viktima”, shkroi ai në Telegram.
Starukh tha se është shkatërruar infrastruktura dhe për shkak të sulmeve ka shpërthyer zjarr.
Pjesë të rajonit të Zaporizhjës, që gjendet në juglindje të Ukrainës, janë nën pushtimin rus, por kryeqyteti rajonal është ende nën kontrollin ukrainas.
Zaporizhja është një prej katër rajoneve pjesërisht të pushtuara nga Rusia që Moska pretendon se i ka aneksuar, pas mbajtjes së referendumeve të rreme, që janë dënuar nga Ukraina dhe aleatët perëndimorë.
Ndërkaq, në rajonin lindor të Donbasit, forcat ukrainase po zmbrapsin sulmet ruse në afërsi të qyteteve Avdijavka dhe Bahmut ku po zhvillohen luftime të ashpra, tha më 26 tetor presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ai akuzoi komandantët rusë për “çmenduri” në përpjekjet e tyre për të marrin kontrollin e qyteteve.
“Çmenduria e komandantëve rusë është më e dukshme këtu. Ditë pas dite, për muaj të tërë, ata kanë shtyrë njerëzit drejt vdekjes, duke përqendruar sulmet e artilerisë”, tha ai.
SHIKONI EDHE: Rusia përgatitet për “betejën më të ashpër” në HersonForcat ruse po vazhdojnë përpjekjet për të marrë Bahmutit, që gjendet në rrugën kryesore që çon drejt Sllovjanskut dhe Kramatorskut.
Inteligjenca britanike tha se Moska po tenton ta marrë Bahmutin pasi e sheh si parakusht për avancimin drejt këtyre dy qyteteve – që janë qytetet kryesore që Ukraina kontrollon në rajonin lindor të Donjeckut.
Autoritetet ukrainase, përfshirë Zelensky, nuk kanë dhënë informacione të reja lidhur me situatën në rajonin jugor të Hersonit, që ka qenë skenë luftimesh kohëve të fundit.
“Në përgjithësi, ne po forcojmë pozicionet tona në të gjitha frontet, duke ulur aftësitë e pushtuesve, duke dëmtuar logjistikën e tyre dhe duke u bërë gati për lajme të mira për Ukrainën”, tha ai.
SHIKONI EDHE: "Bombat ndotëse" mbjellin frikë dhe panik, shkaktojnë pak vdekjeRusia, që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, së fundmi ka pretenduar se Kievi po përgatitet të kryejë sulm me “bomba ndotëse”. Këto akuza janë hedhur poshtë nga Ukraina dhe aleatët e saj.
“Bombat ndotëse” janë bomba konvencionale të mbushura me materiale radioaktive, biologjike dhe kimike.