Ndërlidhjet

"Bombat ndotëse" mbjellin frikë dhe panik, shkaktojnë pak vdekje


Pluhuri radioaktiv dhe tymi i "bombave ndotëse" mund të përhapen larg dhe janë të rrezikshëm nëse thithen pranë epiqendrës së shpërthimit. Fotografi ilustruese
Pluhuri radioaktiv dhe tymi i "bombave ndotëse" mund të përhapen larg dhe janë të rrezikshëm nëse thithen pranë epiqendrës së shpërthimit. Fotografi ilustruese

AP

Ka pasur frikë edhe më herët se "bombat ndotëse" mund të përdoren si armë e mundshme nga terriorsitët, sepse objektivi i tyre kryesor është të mbjellin panik, konfuzion dhe ankth duke hedhur pluhur radioaktiv dhe tym në atmosferë.

Një "bombë ndotëse" ose një pajisje për shpërndarje radiologjike është një armë spekulative radiologjike që kombinon materialin radioaktiv me eksplozivët konvencionalë.

Kremlini pretendon se Ukraina po përgatitet të shpërthejë një "bombë ndotëse" në mënyrë që të fajësojë Rusinë dhe të nxisë përshkallëzimin e luftës që ka hyrë në muajin e nëntë.

Vendet perëndimore e kanë hedhur poshtë këtë pretendim si “të rremë".

Megjithëkëtë, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) po përgatitet të dërgojë inspektorë në dy ndërtesa bërthamore ukrainase me kërkesë të Ukrainës, pas pretendimeve ruse.

Edhe pse asnjë sulm me "bombë ndotëse" nuk është regjistruar ndonjëherë, dy përpjekje të dështuara për të shpërthyer një pajisje të tillë u raportuan në provincën jugore ruse të Çeçenisë më shumë se dy dekada më parë.

Ja një vështrim se çfarë kuptojnë ekspertët me shprehjen "bombë ndotëse":

Si funksionon një "bombë ndotëse"?

Të njohura teknikisht si pajisje të shpërndarjes radiologjike, "bombat ndotëse" janë armë relativisht primitive dhe të pasakta. Është shumë më lehtë dhe më lirë për t'i ndërtuar ato, se sa një pajisje bërthamore, dhe gjithashtu janë shumë më pak të rrezikshme.

"Bombat ndotëse" përdorin eksplozivë konvencionalë, si dinamit, të vendosur krahas materialit radioaktiv, i cili më pas hidhet jashtë nga forca e shpërthimit. Sasia e materialit radioaktiv të shpërndarë, edhe pse e rrezikshme, nuk është domosdoshmërisht vdekjeprurëse.

Materiali i përdorur në bombë mund të merret nga burime radioaktive të përdorura në mjekësi dhe industri.

Çfarë dëmtimi mund të shkaktojë një "bombë ndotëse"?

Numri i viktimave dhe shkalla e dëmtimit nga një "bombë ndotëse" varet nga shumë variabla.

Një faktor kyç është sasia dhe lloji i eksplozivëve konvencionalë që përdoren, të cilët përcaktojnë madhësinë e shpërthimit.

Sasia dhe lloji i materialeve radioaktive të lëshuara janë faktorë të tjerë, siç janë kushtet e motit - veçanërisht era - në kohën e shpërthimit. Një zonë potencialisht e gjerë mund të kontaminohet.

Shumica e "bombave ndotëse" nuk do të nxjerrin rrezatim të mjaftueshëm për të shkaktuar vdekje apo edhe sëmundje të rënda.

Nivelet e ulëta të ekspozimit ndaj rrezatimit zakonisht nuk shkaktojnë asnjë simptomë. Njerëzit mund të mos e dinë nëse i janë ekspozuar sepse rrezatimi nuk mund të shihet, nuhatet apo shijohet.

Sa e rrezikshme është një "bombë ndotëse"?

Një "bombë ndotëse" mund të shkaktojë një numër të kufizuar vdekjesh. Ndikimi i saj kryesor është psikologjik, prandaj pajisje të tilla shpesh quhen "armë të përçarjes në masë".

Pluhuri radioaktiv dhe tymi mund të përhapen larg dhe janë të rrezikshëm nëse thithen pranë epiqendrës së shpërthimit. Por, ndërsa materiali radioaktiv përhapet nëpër atmosferë, ai bëhet më pak i përqendruar dhe më pak i dëmshëm.

Faktorët kryesorë në ekspozimin ndaj rrezatimit janë lloji i rrezatimit, sa kohë dikush është i ekspozuar ndaj tij dhe nëse rrezatimi është absorbuar përmes lëkurës, është thithur apo konsumuar përmes gojës.

Për zbulimin e rrezatimit nevojiten pajisje të specializuara. Shtëpitë, bizneset dhe shërbimet publike të kontaminuara kanë nevojë për pastrim të thellë që kushton shtrenjtë.

Përgatiti: Erjonë Popova

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG