Ndërlidhjet

HRW: Rritet numri i civilëve të vrarë nga sulmet ruse me municione thërrmuese


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Ekziston një traktat ndërkombëtar që ndalon municionet thërrmuese, por as Rusia dhe as Ukraina nuk janë nënshkruese të këtij traktati.

Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch (HRW), bëri të ditur të enjten se përdorimi i përsëritur i municioneve thërrmuese nga forcat ruse, ka shkaktuar dëme të vazhdueshme dhe afatgjata për qindra civilë ukrainas.

Në raportin global prej 100 faqesh të publikuar mbi Monitorimin e Municioneve Thërrmuese për vitin 2022, HRW-ja pohon se si Rusia, ashtu edhe Ukraina, duhet të heqin dorë nga përdorimi i municioneve thërrmuese dhe t'i bashkohen traktatit ndërkombëtar të vitit 2008 që i ndalon ato.

Ukraina është i vetmi vend në botë ku sot përdoren municione thërrmuese, deklaroi organizata Human Rights Watch.

Qindra sulme ruse me municione thërrmuese janë dokumentuar ose raportuar në të paktën 10 nga 24 rajonet ose provincat e Ukrainës. Të dhënat paraprake tregojnë se janë regjistruar të paktën 689 viktima civile nga sulmet me municione thërrmuese në Ukrainë midis shkurtit dhe korrikut të viti 2022. Forcat ukrainase, gjithashtu, duket se kanë përdorur raketa me municione thërrmuese në disa raste.

“Vuajtjet e menjëhershme dhe afatgjata që municionet thërrmuese u shkaktojnë civilëve, e bëjnë përdorimin e tyre sot në Ukrainë të papërgjegjshëm dhe padyshim të paligjshëm”, tha Mary Wareham, drejtoreshë e fushatës kundër armëve në Human Rights Watch dhe redaktore e raportit.

Mary Wareham,drejtoreshë e fushatës kundër armëve në Human Rights Watch
Mary Wareham,drejtoreshë e fushatës kundër armëve në Human Rights Watch

“Në çdo rrethanë të gjitha vendet duhet të dënojnë përdorimin e këtyre armëve”, theksoi ajo.

Municionet thërrmuese janë raketa dhe bomba që shpërthejnë në ajër mbi një objektiv dhe lëshojnë shumë pajisje të vogla shpërthyese. Përdorimi i tyre është i paligjshëm sipas Konventës Ndërkombëtare të vitit 2008.

Municionet thërrmuese mund të qëllohen nga toka me artileri, raketa dhe mortaja, ose të hidhen nga ajri nga avionët. Zakonisht ato aktivizohen në ajër, duke shpërndarë bomba ose municione të shumta në një zonë të gjerë. Shumë municione nuk shpërthejnë në goditjen fillestare, duke lënë eksplozivë të rrezikshëm që mund të gjymtojnë dhe vrasin pa dallim për vite me radhë, ashtu si minat tokësore, derisa të pastrohen dhe shkatërrohen.

Një hetim i organizatës Human Rights Watch në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, zbuloi se në muajt maj dhe qershor, forcat ruse lëshuan raketa me municione thërrmuese, mbushjet eksplozive të së cilave goditën shtëpitë, rrugët e qytetit dhe parqet, si dhe një klinikë ambulatore në një maternitet dhe një qendër kulturore. Një sulm i 12 majit në qytetin e Derhachit vrau menjëherë një grua që po gatuante në kopshtin e saj dhe i preu këmbët burrit të saj, i cili vdiq disa orë më vonë.

Konventa e vitit 2008 për Municionet Thërrmuese, të cilën e kanë ratifikuar 110 vende dhe 13 të tjera e kanë nënshkruar, ndalon tërësisht përdorimin e këtyre armëve.

Nuk ka pasur raportime apo pretendime të konfirmuara për përdorim të ri, prodhim apo shitje të municioneve thërrmuese nga asnjë shtet që nga miratimi i konventës më 30 maj 2008. Megjithatë, asnjë vend nuk e ka ratifikuar konventën që nga viti 2020 dhe as Rusia e Ukraina nuk janë pjesë e tyre.

Raporti mbi ‘Monitorimin e Municioneve Thërrmuese 2022’ gjurmon përpjekjet për zhdukjen e municioneve thërrmuese nga të gjitha vendet, pavarësisht nëse i janë bashkuar traktatit. Në vitin 2021, për herë të parë në një dekadë, nuk u regjistrua asnjë viktimë e re nga sulmet me municione thërrmuese, megjithëse pati 147 viktima në tetë vende nga mbetjet e municioneve thërrmuese të përdorura nga konfliktet e mëparshme. Fëmijët përbënin dy të tretat e të gjitha viktimave të këtyre municioneve. Kjo rënie e dukshme në mesin e viktimave fëmijë nga municionet thërrmuese është eklipsuar nga përdorimi i ri i tyre në Ukrainë që nga shkurti 2022.

Human Rights Watch zbuloi se standardi i rreptë i vendosur nga Konventa për Municionet Thërrmuese ka ndikuar në planet e zhvillimit dhe blerjes së qeverive pasi municionet thërrmuese po hiqen gradualisht nga shërbimi në shumë nga 47 vendet që nuk i janë bashkuar konventës.

Në vitin 2022, Rusia ka përdorur të dyja stoqet e municioneve thërrmuese në Ukrainë, të vjetra dhe ato të zhvilluara rishtazi. Nuk ka asnjë provë që tregon se municionet thërrmuese, siç përcaktohet nga konventa, janë transferuar midis artilerisë, sistemeve raketore dhe armëve të tjera që qeveria ukrainase i ka marrë nga palët e treta në vitin 2022.

Fuqitë e tjera ushtarake e kanë kundërshtuar heqjen dorë nga municionet thërrmuese. Kina dhe Irani po hulumtojnë dhe zhvillojnë në mënyrë aktive lloje të reja të municioneve thërrmuese.

Shtetet e Bashkuara kanë prodhuar për herë të fundit municione thërrmuese në vitin 2016, por nuk i janë bashkuar konventës ndërkombëtare për ndalimin e plotë të tyre dhe nuk janë zotuar të mos i prodhojnë kurrë ato në të ardhmen.

Sipas konventës, 37 vende që dikur posedonin municione thërrmuese, i kanë shkatërruar stoqet e tyre, duke shkatërruar kolektivisht afro 1.5 milion municione thërrmuese që përmbajnë 178 milionë nën municione. Totali është 99 për qind e të gjitha municioneve thërrmuese që palët në konventë kanë raportuar se i kanë pasur në rezervat ushtarake.

Në vitin 2021 dhe gjysmën e parë të vitit 2022, Bullgaria, Peruja dhe Sllovakia shkatërruan të paktën 1.658 municione thërrmuese dhe 46.733 nën-municione nga rezervat e tyre. Sipas konventës, vendet e kontaminuara nga mbetjet e municioneve thërrmuese pastruan më shumë se 58 kilometra katrorë tokë në vitin 2021, duke shkatërruar të paktën 78.424 nën-municione dhe mbetje të municioneve thërrmuese.

‘Monitorimi i Municioneve Thërmuese’ është raporti vjetor i monitorimit nga koalicioni global i organizatave joqeveritare të bashkëthemeluara dhe kryesuara nga organizata Human Rights Watch. Raporti do t'u prezantohet vendeve që marrin pjesë në takimin e dhjetë vjetor të Konventës për Municionet Thërrmuese në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, që zhvillohet nga data 30 gusht deri më 2 shtator.

“Përdorimi i përhapur i municioneve thërrmuese nga Rusia në Ukrainë është një kujtesë reale e pengesave që konventa duhet të kapërcejë nëse do të ketë sukses në dhënien fund të vuajtjeve njerëzore që shkaktojnë këto armë”, tha Wareham. “Qeveritë që ende nuk i janë bashkuar konventës duhet të rishikojnë pozicionin e tyre dhe të bashkohen me të tjerët që ndihmojnë për të zhdukur municionet thërrmuese nga e gjithë bota”.

Përgatiti: Besmir Nenaj

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG