Lufta ndaj “çnjohjes”, kurth i Serbisë për Kosovën

Pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të shtetit të Serbisë për, siç kanë thënë, tërheqjet e njohjeve për Kosovën nga disa vendeve të caktuara, zyrtarisht shtetin e Kosovës e kanë njohur 116 shtete të botës dhe ky numër mbetet i pandryshuar deri më sot, konsiderojnë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës.

Së fundmi, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Ishujt e Solomonit janë shteti i 11-të që ka tërhequr njohjen për Kosovën.

Fatmir Haxholli, këshilltar i ministrit të Punëve të jashtme i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se aktet e çnjohjes, për të cilat flasin zyrtarë të Beogradit, nuk ekziston si rregull në marrëdhëniet ndërkombëtare, për shkak se, sipas tij, njohja e një shteti është akt i pakthyeshëm.

“Deri më sot, përderisa po flasim, Kosova ka pranuar 116 njohje, të cilat janë të publikuara në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Është në diskrecionin e shteteve që të vendosin dhe të mbajnë marrëdhënie diplomatike, apo t’i ndërpresin ato, por nuk është në teket e shteteve e as në diskrecionin e tyre që të njohin dhe të çnjohin njëra-tjetrën. Po të ishte kështu, do të kishte një kaos në marrëdhëniet ndërshtetërore, në marrëdhëniet ndërkombëtare në rendin global".

"Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës nuk mund të afirmojë, nuk mund të pranojë dhe nuk mund të përcaktojë një koncept skandaloz, i cili nuk pranohet dhe nuk aplikohet nga vendet demokratike”, tha Haxholli.

SHIKONI EDHE: Diplomacia e Kosovës në hall me ofensivën e politikës së jashtme serbe

Ekspertët e çështjeve dhe marrëdhënieve juridike ndërkombëtare, vlerësojnë që në kuptimin teorik të së drejtës ndërkombëtare nuk ekziston fenomeni i çnjohjes së një vendi.

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë që praktika ndërkombëtare njeh raste të shumta, kur si rezultat i rrethanave të ndryshme, ka tensionime, luftëra apo konflikte të hapura ndërmjet shteteve, por nuk e njeh fenomenin e çnjohjes.

“Po të ekzistonte çnjohja, atëherë rendi juridik ndërkombëtar do t’i nënshtrohej një kaosi dhe një rreziku shumë të madh. Megjithatë, në kuptimin praktik - duke pasur parasysh që bota sot përbëhet nga shtete të shumta, të mëdha dhe të vogla, të tilla që kanë sisteme të konsoliduara dhe që i qëndrojnë konsekuent zbatimit të së drejtës ndërkombëtare, por edhe të tilla që kanë sisteme jo stabile - akti i çnjohjes ose tërheqja e njohjes po na paraqitet si fenomen. Sipas përshtypjes time, ky fenomen më shumë reflekton pozita ose rrethana politike, se sa që ka ndonjë efekt praktik në të drejtën ndërkombëtare”, u shpreh Hoti.

Në anën tjetër, autoritetet serbe kanë publikuar një, siç e kanë quajtur ata, dokument, përmes të cilit, sipas tyre, Ishujt Solomon kanë tërhequr njohjen për Kosovën.

Por, Haxholli thotë se një dokument i tillë nga Ishujt Solomon nuk ka ardhur zyrtarisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

“Ne nuk e kemi ndonjë shkresë, ne nuk kemi një korrespondencë diplomatike, mu për faktin se ajo do të ishte një skandal. Kanalet tona diplomatike, Ministria e Punëve të Jashtme, deri më sot, nuk ka pranuar një shkresë të tillë skandaloze. Ajo çka del dhe që shihet në medie, ne nuk mund ta komentojmë, sepse po ta komentonim, do ta merrnim si formale dhe zyrtare. Ne kemi pa që Serbia falsifikon shkresa, korrespondenca diplomatike, i keqpërdorë vizitat e zyrtarëve të vendeve të vogla në mënyrën më skandaloze. Pra, ne nuk duhet të futemi në kurthën e Beogradit dhe nuk kemi pse t’i komentojmë deklaratat e tyre skandaloze dhe qesharake”, theksoi Haxholli.

SHIKONI EDHE: Diplomacia në zbehje

Por, a mund të shkaktojnë efekte politike deklaratat e shtetit serb se shtete të caktuara kanë tërhequr njohjet për Kosovën?

Profesor Hoti shpreh mendimin se efektet e tilla arrihen, por ato janë të vogla dhe të paqëndrueshme. Sipas tij, për shtetet, të cilat janë bartëse të sistemit ndërkombëtarë, çështja e çnjohjes është thuajse e panjohur.

“Megjithatë, në rrethanat e Kosovës, mendoj që arrihet ose reflektohet një lloj presioni politik. Në veçanti, duke pasur parasysh rrethanat e mbajtjes së Kosovës ndërmjet dy poleve, polit njohës dhe polit jo njohës për vendin. Këto veprime po i shtyjnë ose po mbajnë i pezull vendimet e shteteve tjera, të cilat mbase do ta kishin njohur Kosovën deri më tash”, tha Hoti.

Sidoqoftë, ministri i Jashtëm serb, Daçiq, më herëtka thënë se vendet perëndimore po i kërkojnë Serbisë të pezullojë veprimet diplomatike, të cilat, sipas tij, me sukses po arrijnë të ndikojnë në shtetet që e kanë njohur Kosovën, që të rishqyrtojë atë pozicion dhe të anulojë këto veprime.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka kohë që ka aktivizuar mekanizmat e saj diplomatikë për t’u përballur me agresivitetin diplomatik të Serbisë, që po manifestohet jo vetëm me përpjekjet për të ndaluar njohjet e reja, por Beogradi po u kërkon vendeve të caktuara që të tërheqin njohjet e shtetit të Kosovës.