Izraeli dhe Libani përgatiten për një luftë që duket e pashmangshme

Një predhë e artilerisë e lëshuar nga Izraeli godet një cak afër qytetit kufitar Odeiseh, në jug të Libanit. 17 nëntor 2023.

Associated Press

Mundësia e një lufte në shkallë të gjerë mes Izraelit dhe milicisë Hezbollah të Libanit tmerron popullin në dy anët e kufirit, por disa e shohin si pasojë të pashmangshme të luftës që po vazhdon në Gazë.

Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – po luftojnë që nga 7 tetori.

Një luftë mes Izraelit dhe Hezbollahut do të ishte më shkatërruesja që dy palët ndonjëherë kanë përjetuar.

Izraeli dhe Hezbollahu kanë nxjerrë mësime nga lufta e fundit që zhvilluan më 2006, konflikt që zgjati një muaj dhe përfundoi pa fitues. Dy palët po ashtu kanë pasur katër muaj kohë që të përgatitjen për një luftë tjetër, edhe pse Shtetet e Bashkuara po tentojnë të parandalojnë zgjedhimin e konfliktit.

Në këtë artikull mund të mësoni më shumë për përgatitjet e të dyja palëve, se si mund të zhvillohej kjo luftë dhe çfarë po bëhet për ta parandaluar atë.

Çfarë ndodhi më 2006?

Lufta e vitit 2006, gjashtë vjet pasi forcat izraelite u tërhoqën nga jugu i Libanit, shpërtheu pasi Hezbollahu kapi dy ushtarë izraelitë dhe vrau disa të tjerë gjatë një operacioni ndërkufitar.

Izraeli nisi një ofensivë në shkallë të plotë ajrore dhe tokësore dhe vendosi një bllokadë që synonte lirimin e pengjeve dhe shkatërrimin e aftësive ushtarake të Hezbollahut – mision, që në fund, dështoi.

*Video: A mundet Hezbollahu të zgjerojë konfliktin në Lindjen e Mesme?

Your browser doesn’t support HTML5

A ka rrezik që Hezbollahu ta përhapë konfliktin në Lindjen e Mesme?

Bombardimet izraelite rrafshuan pjesë të mëdha në jug të Libanit dhe në periferitë në jug të Bejrutit. Hezbollahu gjuajti mijëra raketa në komunitetet në veri të Izraelit.

Në konflikt u vranë afër 1.200 libanezë, shumica civilë dhe 160 izraelitë, shumica ushtarë.

Një rezolutë e Kombeve të Bashkuara i dha fund luftës. Kjo rezolutë bëri thirrje për tërheqjen e forcave izraelite nga Libani dhe krijimin e një zone të çmilitarizimit në pjesën e kufirit të Libanit.

Pavarësisht dislokimit të paqeruajtësve të OKB-së, Hezbollahu vazhdon të operojë në zonën kufitare, përderisa Libani ka thënë se Izraeli vazhdimisht shkel hapësirën e tij ajrore dhe vazhdon të pushtojë tokë libaneze.

Sa ka mundësi që të shpërthejë lufta?

Një luftë Izrael-Hazbollah “do të ishte një katastrofë absolute”, paralajmëroi muajin e kaluar sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, pas një furie të diplomacisë fluturuese që ndërmorën SHBA-ja dhe Evropa.

Hezbollahu, që mbështetet nga Irani, duket se është zënë në befasi nga sulmi që Hamasi – aleati i tij rajonal – kreu ndaj Izraelit më 7 tetor. Që atëherë, Hezbollahu dhe Izraeli kanë sulmuar në baza ditore njëri-tjetrin në zonën kufitare, dhe sulmet janë përshkallëzuar në mënyrë graduale. Izraeli po ashtu ka kryer vrasje të shënjestruara të figurave të Hezbollahut dhe Hamasit në Liban.

SHIKONI EDHE: Vrasja e zëvendësshefit të Hamasit rrezikon të zgjerojë luftën

Më shumë se 200 persona, shumica luftëtarë të Hezbollahut, por edhe më shumë se 20 civilë, janë vrarë në anën e Libanit dhe 18 të tjerë janë vrarë në Izrael.

Dhjetëra mijëra persona janë zhvendosur në të dyja palët dhe mundësia e kthimit të tyre ende nuk duket në horizont.

Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Izraelit kanë paralajmëruar Hezbollahun se lufta ka gjithnjë e më shumë gjasa që të shpërthejë, nëse grupi libanez nuk tërhiqet nga kufiri.

Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, nuk ka kërcënuar se do të nisë një luftë, por ka paralajmëruar për luftime “pa kufij” nëse Izraeli nis luftën. Hezbollahu tha se nuk do të pajtohet për një armëpushim në kufirin Izrael-Liban, para se një armëpushim i tillë të arrihet në Gazë. Grupi po ashtu ka kundërshtuar një propozim të SHBA-së që të lëvizë forcat e tij disa kilometra larg kufirit, sipas zyrtarëve libanezë.

Pavarësisht retorikës, asnjëra palë duket se nuk do luftë, tha Andrea Teneti, zëdhënës i misionit paqeruajtës të OKB-së në jug të Libanit. Megjithatë, “një keqllogaritje potencialisht mund të nxisë një konflikt më të gjerë që do të ishte vështirë i kontrollueshëm”, tha ai.

Sa të përgatitur janë ata për luftë?

Si Hezbollahu ashtu edhe ushtria izraelite i kanë zgjeruar aftësitë e tyre që nga lufta e vitit 2006. Megjithatë, të dyja palët janë po ashtu më të brishta.

Në Liban, katër vjetët e krizës ekonomike kanë dëmtuar institucionet publike, përfshirë edhe ushtrinë e shtetit, rrjetin elektrik dhe sistemin shëndetësor. Ky shtet po ashtu strehon mbi 1 milion refugjatë sirianë.

Në fund të tetorit të vitit të kaluar, Libani miratoi një plan emergjent për një skenar të luftës. Ky plan parashikoi edhe zhvendosjen me forcë të 1 milion libanezëve brenda 45 ditësh.

Afër 87.000 libanezë janë të zhvendosur nga zona kufitare. Përderisa Qeveria varet nga financimi i organizatave ndërkombëtare për t’u përballur me krizën, shumë grupe punuese në Liban nuk po mund të mirëmbajnë programet ekzistuese.

Agjencia për refugjatë e OKB-së ka ofruar furnizime për vendstrehimet kolektive dhe ka dhënë fonde emergjente për afër 400 familje në jug të Libanit, tha zëdhënësja Lisa Abou Khaled. Agjencia nuk ka fonde për të mbështetur numër të madh të të zhvendosurve në rast të një lufte, tha ajo.

SHIKONI EDHE:

Izraelit “po i humb durimi” me HezbollahunUshtria izraelite urdhëron evakuim afër kufirit me Libanin

Grupi i ndihmës, Mjekët pa Kufij tha se ka grumbulluar furnizime mjekësore prej 10 tonësh dhe karburante rezervë për gjeneratorët e spitaleve në zonën që do të prekej më shumë nga një konflikt i zgjeruar, teksa grupi po përgatitet për një bllokadë.

Izraeli po përballet me një tendosje ekonomike dhe sociale për shkak të luftës në Gazë, luftë që pritet të kalojnë koston prej mbi 50 miliardë dollarësh, apo rreth 10 për qind të aktivitetit ekonomik të shtetit deri në fund të vitit 2024, sipas Bankës së Izraelit. Kjo kosto do të rritej edhe më shumë në rast të shpërthimit të një lufte të re me Libanin.

“Askush nuk e do këtë luftë, apo ia uron dikujt”, tha Tal Beeri, nga Qendra për Kërkime dhe Edukim, Alma. Kjo qendër përqendrohet në çështjet e sigurisë në veri të Izraelit. Por, ai tha se beson se është i pashmangshëm një konflikt i armatosur mes Izraelit dhe Hezbollahut, duke argumentuar se një zgjidhje politike duket e pamundur dhe do të mundësonte vetëm që kërcënimet strategjike të Hezbollahut të rriteshin.

Izraeli ka evakuuar 60.000 banorë nga qytet afër kufirit, ku nuk ka kohë për të paralajmëruar sulmet me raketa, për shkak të afërsisë së skuadrave të Hezbollahut.

Në një luftë, nuk do të kishte nevojë për evakuime të reja, pasi që raketat e Hezbollahut mund të arrijnë në gjithë territorin e Izraelit.

Pas sulmit të 7 tetori, lufta në Gazë fitoi një mbështetje të gjerë brenda vendit, edhe pse tani ka debat lidhur me drejtimin e luftës. Pothuajse gjysma e izraelitëve do ta mbështesnin një luftë me Hezbollahun si opsionin e fundit për të rivendosur sigurinë në kufi, thuhet në një sondazh të kryer së fundi nga Instituti i Izraelit për Demokraci.

Në Liban, disa kanë kritikuar Hezbollahun se po e ekspozon shtetin ndaj një lufte tjetër potencialisht shkatërruese. Të tjerët mbështesin hyrjen e kufizuar në konflikt të Hezbollahut dhe besojnë se arsenali i grupit do ta pengonte Izraelin që të përshkallëzonte luftën.

Si mund të dukej një luftë midis Izraelit dhe Hezbollahut?

Një luftë në shkallë të plotë ka të ngjarë që të përhapej në disa fronte, duke u përshkallëzuar me përfshirjen e bashkëpunëtorëve të Iranit në Siri, Irak dhe Jemen, dhe ndoshta në të do të përfshihej edhe vetë Irani.

Në një luftë të tillë ndoshta do të përfshiheshin më thellë edhe Shtetet e Bashkuara, aleati më i afërt i Izraelit. SHBA-ja veçse ka dislokuar luftanije shtesë në rajon.

Hezbollahu ka 150.000 deri në 200.000 predha dhe raketa me rreze të ndryshme veprimi, tha Orna Mizrahi nga Instituti izraelit për Studime të Sigurisë Kombëtare. Ky arsenal është të paktën pesë herë më i madh se ai i Hamasit dhe është shumë më preciz, tha ajo.

SHIKONI EDHE: Lindja e Mesme po rrëshqet më pranë luftës

Grupi libanez ka predha të saktë që mund të godasin ndërtesat e shërbimit të ujit, rrymës apo komunikimeve si dhe zonat e populluara.

Në Liban, sulmet ajrore ka të ngjarë që do të shkaktonin kërdi ndaj infrastrukturës dhe potencialisht të vrisnin mijëra persona. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kërcënuar se do ta “shndërroj Bejrutin në Gazë”, ku ofensiva ajrore dhe tokësore izraelite ka shkaktuar shkatërrim të madh dhe ka lënë të vrarë mbi 26.000 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.

Izraeli është shumë më i mbrojtur, pasi ka disa sisteme të mbrojtjes ajrore, përfshirë edhe Kupolën e Hekurt, sistem që mund të pengojë raketat me një nivel të suksesit pothuajse 100 për qind. Por, mbrojtja ajrore izraelite mund të përballet me telashe nëse njëkohësisht hidhen shumë raketa.

SHIKONI EDHE: Kush është Hezbollahu?

Afër 40 për qind e popullsisë së Izraelit jeton në shtëpi të reja që kanë dhoma të sigurisë, që janë të fortifikuara dhe mund t’iu bëjnë ballë sulmeve ajrore. Izraeli po ashtu ka një rrjet të vendstrehimeve kundër bombave, por në një raport qeveritar të vitit 2020 u tha se pothuajse një e treta e izraelitëve nuk kanë qasje të lehtë në këto vendstrehime.

Libani nuk ka një rrjet të tillë dhe vendstrehimet do të përdoreshin pak kundër bombave, që shkatërrojnë edhe bunkerët, të cilat Izraeli i ka hedhur në Gazë.

Hezbollahu ka mbrojtje të kufizuar ajrore, ndërkaq mbrojtja ajrore e ushtrisë izraelite është e vjetër dhe e pamjaftueshme për shkak të mungesës së buxhetit për të investuar në këtë drejtim, tha Dina Arakji nga një kompani me seli në Britani të Madhe që ofron konsulencë për rrezikun.

Ushtria izraelite ka mbetur nën hije në katër muajt e fundit. Më 2006, ajo u përfshi me kapacitet të kufizuar në luftime, por është e paqartë se si do të reagonte në rast të një lufte të re mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Përgatiti: Mimoza Sadiku