Ndërlidhjet

Izraelit “po i humb durimi” me Hezbollahun


Ushtria izraelite duke sulmuar me artileri jugun e Libanit. 11 dhjetor 2023.
Ushtria izraelite duke sulmuar me artileri jugun e Libanit. 11 dhjetor 2023.

Associated Press

Zyrtarët izraelitë kanë rritur kërcënimet kundër grupit militant libanez, Hezbollah, duke paralajmëruar se Izraelit po i humb durimi, përderisa të dyja palët vazhdojnë të këmbejnë zjarr përgjatë kufirit të paqëndrueshëm verior të Izraelit.

Benny Gantz, anëtar i Kabinetit të Luftës së Izraelit, tha më 27 dhjetor se nëse komuniteti ndërkombëtar dhe Qeveria libaneze nuk e frenojnë Hezbollahun, Izraeli do ta bëjë. Shefi i ushtrisë izraelite, gjenerallejtënant Herzi Halevi, tha se ushtria është në gatishmëri të lartë dhe ka miratuar plane në rast se vendos të hapë një front të dytë në veri.

Luftimet përgjatë kufirit verior të Izraelit shpërthyen kur Hezbollahu nisi të gjuante raketa pak pas sulmeve të 7 tetorit të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – ndaj Izraelit, që nxiti luftën në Gazë.

Përderisa luftimet kanë intensitet më të ulët se beteja në Gazë, luftimet në kufi kanë shkaktuar shkatërrim, zhvendosje dhe vdekje në të dyja palët dhe kanë rritur frikën për një luftë më të gjerë rajonale.

Në këtë tekst mund të mësoni më shumë për betejën midis Izraelit dhe Hezbollahut:

Çfarë përfshihet në luftime?

Luftëtarët e Hezbollahut kanë sulmuar pikat e kontrollit të Izraelit dhe fshatrat përgjatë kufirit dhe grupi ka lëshuar raketa dhe dronë drejt caqeve izraelite. Tanket izraelite, artileria dhe avionët po ashtu kanë sulmuar zonat në pjesën libaneze të kufirit. Luftimet kanë qenë të shkurta, por kanë shpërthyer pothuajse çdo ditë.

Ushtria izraelite tha se mbi 1.700 raketa janë lëshuar nga Libani drejt Izraelit, duke vrarë 15 izraelitë, përfshirë nëntë ushtarë, dhe nga sulmet janë plagosur mbi 150 persona.

Izraeli ka evakuuar afër 60.000 persona nga 40 komunitete në veri, përfshirë edhe nga qyteti kryesor Kirjat Shemona, që ka 22.000 banorë. Mediat izraelite kanë transmetuar pamje të shtëpive të dëmtuara dhe pamje të ushtarëve izraelitë duke patrulluar në rrugët e zbrazura.

Në anën libaneze, afër 74.500 persona janë zhvendosur për shkak të luftimeve, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim.

Pothuajse 160 persona janë vrarë nga sulmet ajrore dhe granatimet izraelite në Liban, sipas të dhënave të mbledhura nga Associated Press. Shumica e viktimave ishin luftëtarë të Hezbollahut dhe grupeve të lidhura me të, por të paktën 19 civilë po ashtu janë vrarë, përfshirë gazetarë dhe fëmijë.

Grupet për të drejtat e njeriut dhe zyrtarët lokalë kanë akuzuar Izraelin se po sulmon zonat kufitare libaneze me granata që kanë fosfor të bardhë, një municion kundërthënës. Sulmet kanë shkatërruar qindra hektarë të tokës bujqësore dhe kanë plagosur civilët. Izraeli tha se të gjitha veprimet e tij janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Pse po luftojnë?

Izraeli dhe Hezbollahu – i mbështetur nga Irani – janë armiq të kamotshëm dhe armiqësia e tyre daton që nga pushtimi izraelit i pjesëve në jug të Libanit nga viti 1982 deri më 2000.

Pasi luftëtarët e Hezbollahut nxorën në prit një patrullë izraelite më 2006 dhe morën peng dy ushtarë izraelitë, palët zhvilluan një luftë të ashpër që përfundoi me barazim – por, jo para se bombardimet e izraelit të shkaktonin dëme të mëdha në jug të Libanit dhe në pjesë të Bejrutit.

Zonat kufitare gjerësisht ka qenë e qetë që nga ajo luftë, përveç disa tensioneve sporadike. Izraeli vlerëson se Hezbollahu ka rreth 150.000 raketa në arsenalin e tij, shumica e të cilave realisht mund të sulmojnë kudo në Izrael, përfshirë edhe në kryeqytetin ekonomik, Tel Aviv.

Hezbollahu tha se sulmet e tij synojnë të lehtësojnë presionin në Rripin e Gazës, ku Izraeli po zhvillon një ofensivë të paprecedent tokësore, ajrore dhe detare që ka për qëllim të rrëzojë nga pushteti Hamasin dhe të lirojë 129 personat të mbahen peng në këtë territor.

Lidhja me Iranin

Edhe pse nuk ka pasur prova se Irani, armiku i Izraelit, ka urdhëruar sulmet e 7 tetorit, gjurmët e Iranit kanë qenë të dukshme në konfliktin që pasoi.

Përveç mbështetjes për Hamasin dhe Hezbollahun, Irani mbështet edhe grupe në Jemen, Siri dhe Irak, të cilat kanë kryer sulme ndaj Izraelit dhe aleatëve të tij. Këto sulme janë kryer në mbështetje të Hamasit.

Në Detin e Kuq, sulmet e kryera nga rebelët jemenas të Huthit ndaj anijeve, që ata besojnë se janë të lidhura me Izraelin, kanë shkaktuar pengesa në tregti dhe kanë nxitur lansimin e një operacioni shumëkombësh detar – të udhëhequr nga SHBA-ja – për të mbrojtur rrugët detare që përdoren për tregti.

Milicitë e mbështetura nga Irani në Irak po ashtu kanë kryer dhjetëra sulme ndaj bazave ku gjenden trupat amerikane në Irak dhe Siri. Sipas milicive, këto sulme ishin në shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes së Uashingtoni i ofron Izraelit.

Të hënën, më 25 dhjetor, media shtetërore iraniane fajësoi Izraelin për një sulm në një lagje të Damaskut, kur u vra një gjeneral i lartë iranian.

Amos Harel, analist ushtarak për të përditshmen Haaretz, shkroi të mërkurën se vrasja e gjeneralit ishte një mesazh për Iranin se më nuk gëzon imunitet përderisa bashkëpunëtorët e tij sulmojnë Izraelin.

“Po ashtu, kjo na sjell ne më afër mundësisë së një përshkallëzimi në rritje kundër Hezbollahut dhe madje kundër iranianëve, në frontin në veri”, shkroi ai.

Cili është roli i Hezbollahut?

Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, përballet me një akt të rrezikshëm të balancës.

Bashkëngjitja me Hamasin do të rrezikonte që Libani – shtet të përfshirë në probleme ekonomike dhe tensione të brendshme politike – në konflikt që nuk mund ta përballojë, duke nxitur kundërshtime brenda vendit ndaj Hezbollahut. Banka Botërore veçse ka thënë se përleshjet ka të ngjarë që do të dëmtojnë ekonominë e Libanit.

Libani është në vitin e katërt të krizës shkatërruese ekonomike dhe ka ndarje të thellë midis Hezbollahut, aleatëve të tij dhe kundërshtarëve, duke paralizuar sistemin politik.

Por, qëndrimi tërësisht anash përderisa trupat izraelite luftojnë në Rripin e Gazës, mund të komprometojë besueshmërinë e Hezbollahut, dhe mposhtja e Hamasit do të ishte një goditje e rëndë për Iranin.

Hezbollahu ka qenë i kujdesshëm për të kufizuar sulmet ndaj Izraelit, dhe të mbajë të hapur kërcënimit për përshkallëzim kufitar.

“Nëse Izraeli shkon shumë larg, ne do të kundërpërgjigjemi dyfish më shumë”, tha zëvendësudhëheqësi i Hezbollahut, Sheikh Naim Kassem, tha të enjten. “Ne nuk e kemi frikë as kërcënimin izraelit as amerikan”.

Një front i ri për Izraelin?

Me ushtarët e tij që po luftojnë në Gazë, Izraeli ka shumë të ngjarë që të kërkojë kufizimin e luftimeve në veri të territorit të tij. Aftësitë ushtarake të Hezbollahut janë shumë më superiore sesa ato të Hamasit.

Megjithatë, zyrtarët izraelitë kanë shtuar paralajmërimet se shteti është i gatshëm të zgjerojë luftimet dhe se Hezbollahu duhet të përgatitet të paguajë çmim për dëmet që ka shkaktuar gjatë tre muajve të fundit.

Izraeli veçse ka shtuar forcat në veri dhe mund ta kthejë vëmendjen e tij ndaj Hezbollahut kur lufta në Gazë të përfundojë.

SHBA-ja, aleatja kryesore e Izraelit që ka dërguar përforcime ushtarake në rajon, tha se preferon të shohë një zgjidhje të negociuar ndaj tensioneve në rritje sesa hapjen e një fronti të dytë të luftës.

*Video: A ka rrezik që Hezbollahu të zgjerojë konfliktin?

A ka rrezik që Hezbollahu ta përhapë konfliktin në Lindjen e Mesme?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:05 0:00

Izraeli po ashtu dëshiron t’i përmbahet marrëveshjes së vitit 2006 të armëpushimit – të ndërmjetësuar nga OKB-ja – që thotë se zonat kufitare në jug të Libanit “duhet të çlirohet nga personeli i armatosur, asetet dhe armët” përveç forcave qeveritare libaneze dhe paqeruajtësve të OKB-së. Sipas kësaj marrëveshjeje, Hezbollahu nuk duhet të ketë prani ushtarake në rajonin kufitar.

Libani, ndërkaq, argumenton se Izraeli shkel rezolutën pasi forcat e tij ajrore hyjnë shpesh në hapësirën ajrore libaneze dhe po ashtu ka prani në Fermat Keba, një rajon i kontestuar përgjatë kufirit të këtij shteti me Lartësitë e Golanit – zonë që Izraeli ka marrë nën kontroll nga Siria më 1967.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen, tha më herët gjatë javës se Hezbollahu duhet të respektojë armëpushimin e vitit 2006. Në të kundërtën, paralajmëroi ai, Nasarllahu “duhet ta dijë se çfarë e pret”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG