Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW), i ka bërë thirrje Izraelit që të ndalë përdorimin e municioneve në Rripin e Gazës që kanë fosfor të bardhë.
Kjo organizatë tha se ka verifikuar një video dhe dëshmitë e dëshmitarëve okularë për përdorimin e këtyre armëve “pa dallim” në zonat me popullsi të dendur.
Fosfori i bardhë merr flakë spontanisht kur bie në kontakt me oksigjenin dhe lëshon tym toksik, duke gjeneruar temperatura deri në 815 gradë Celsius. Për shkak se ai vazhdon të digjet derisa të përdoret i gjithë materiali ndezës, ekspozimi ndaj fosforit të bardhë mund të shkaktojë aftësi të përhershme të kufizuara te viktimat apo edhe dhimbje kronike.
“[Fosfori i bardhë] përdoret në një mënyrë që nuk bën dallimin midis popullatës civile dhe caqeve ushtarake... veçmas kur bëhet fjalë për zonat me popullsi të dendur”, tha Yasmine Ahmed, drejtoresha britanike e HRW.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë mohuar se përdorin fosfor të bardhë në Gazë.
Izraeli u ka bërë thirrje banorëve në Rripin e Gazës që të evakuohen “në jug”, në mes të paralajmërimeve për një sulm të mundshëm tokësor.
Më 7 tetor, Izraeli u përball me sulmin më të madh të kryer viteve të fundit nga militantët palestinezë të Hamasit, të cilët sulmuan këtë shtet nga toka, ajri dhe deti. Izraeli u përgjigj me bombardime në Gazë – shtëpi e 2.2 milionë palestinezëve.
Për shkak të dhunës, mijëra persona janë vrarë në Izrael dhe Gazë.