Ndalimi i lojërave të fatit - bast i humbur

“E deshi deri diku”, thotë me nënqeshje Kushtrimi, derisa lëviz shpejt gishtat mbi ekranin e telefonit, për të treguar rezultatet e lojërave të futbollit për të cilat kishte vënë bast.

Ky burrë nga Prishtina - identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë - nuk e kujton se kur ka nisur të vendosë baste, por thotë se nuk ka ndaluar asnjëherë - as para pesë vjetësh kur aktivitetet e tilla janë bërë tërësisht të jashtëligjshme në Kosovë.

Ligji që u miratua në vitin 2019, thotë se “ndalohen dhe mbyllen të gjitha lojërat e fatit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

Kjo ndalesë e përgjithshme u ndërmor si iniciativë nga Qeveria e atëhershme e Kosovës, pas disa vrasjeve që ndodhën nëpër kazino.

Shumë shpejt, atë vit, rreth 400 lokaleve të kësaj industrie iu vu dryni.

Shumica prej tyre merreshin me baste sportive.

Por, sipas Kushtrimit, aktiviteti i tyre nuk ndaloi kurrë.

“[Më herët] kanë paguar tatim, kanë qenë legale, me kuponë... Pastaj, vetëm e kanë ndalur kuponin [fiskal] dhe [bastet] t’i lëshojnë në telefon”, thotë Kushtrimi.

Ndonëse shumica e lojërave të fatit me lokale fizike në Kosovë janë mbyllur, rreth 7 syresh mbeten të hapura në zonën neutrale kufitare Kosovë-Serbi.

SHIKONI EDHE: Kazinotë e Karaçevës barten në Breznicë të Serbisë

Si organizohen bastet online?

Bashkëbiseduesit e REL-it thonë se bastet online organizohen përmes njerëzve të caktuar.

Shumë faqe ndërkombëtare online nuk pranojnë lojtarë nga Kosova dhe ata drejtohen te ueb-faqet që i mirëmbajnë njerëz lokalë.

Radio Evropa e Lirë gjeti disa faqe online, të krijuara për të vënë baste, por edhe për të luajtur lojëra të tjera fati në Kosovë.

Ndryshe nga faqet e kompanive të licencuara ndërkombëtare, që kërkojnë mjete identifikimi dhe disa hapa për regjistrim, në këto faqe qasja arrihet vetëm me ndihmën e dikujt tjetër.

“Kjo shkon zinxhir-zinxhir”, thotë një lojtar tjetër bastesh nga Prishtina.

Albani, identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për REL-in, thotë se për të luajtur online, i është dashur t’i drejtohet një personi tjetër që e quan agjent.

Ky person është administrator në faqen online, ku bën hapjen e llogarive dhe mirëmbajtjen e tyre për lojtarët.

Këtë llogari - pra një emër përdorimi dhe një fjalëkalim - ua shpërndanë pastaj lojtarëve të interesuar.

Tek agjenti bëhen edhe pagesat për të luajtur dhe për ta tërhequr fitimin, nëse ia qëllon bastit.

“E thërret [në telefon], me veturë, takohesh, hyn... ja paratë dhe ditën e mirë. E gjitha kesh [me para në dorë]”, thotë Albani.

Agjenti, siç tregon ai, ka edhe një tjetër person në hierarki, që është pronar i ueb-faqes, dhe agjentin e paguan me rrogë ose përqindje.

Njëra nga këto ueb-faqe, që Radio Evropa e Lirë e ka siguruar nga njerëzit brenda industrisë, e ka emrin m.365ecco365.

Aty ekziston mundësia për kyçje apo regjistrim, ku kërkohet edhe “numri i agjentit”.

Bastorja online ku luajnë qytetarë nga Kosova (Faqja me linkun m.365ecco365)

Një ueb-faqe thuajse e njëjtë me të është m.ecco365.com. Aty jepet vetëm mundësia për kyçje nëse personi ka llogari aktive.

Bastorja online ku luajnë qytetarë nga Kosova (Faqja me emrin m.ecco365)

Dhjetëra ueb-faqe të tjera me emra të ngjashëm, shpesh duke imituar edhe emrat e kompanive botërore të lojërave të fatit online, qarkullojnë nëpër telefonat e lojtarëve.

Bastorja online ku luajnë qytetarë nga Kosova (Faqja me emrin 888milano.club)

Kush dhe si po i krijon këto ueb-faqe?

Në ueb-faqet që hulumtoi Radio Evropa e Lirë, nuk ka kontakte, informacione mbi pronësinë e tyre apo për kohën kur janë krijuar.

Ato janë kryesisht në gjuhën shqipe, por disa ofrojnë edhe mundësi për navigim në gjuhë të tjera.

Nga ajo që arriti të gjente ekipi i forenzikës digjitale i Radios Evropa e Lirë, këto ueb-faqe figurojnë të regjistruara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por pronësia e tyre është private.

Bastorja online ku luajnë qytetarë nga Kosova (Faqja me linkun 888milano.club)

Hekuran Doli, ekspert i fushës së kibernetikës, thotë se krijimi i këtyre ueb-faqeve dhe një sistemi funksional të basteve mund të bëhen me pagesë.

“Zakonisht është që një kompani që zhvillon një softuer për menaxhimin e basteve dhe pastaj e shet te kompanitë e tjera dhe mund ta bëjë atë që quhet ‘white label’ [etiketë e bardhë] për kompanitë e mëdha, që dizajni të duket pak më ndryshe nga të tjerat”, thotë Doli për Radion Evropa e Lirë.

Për ueb-faqet që qarkullojnë në Kosovë, ai beson se është përdorur sistemi i njëjtë nga faqet e ndryshme.

“Për shembull, unë si kompani e basteve e gjej diku në Indi ose në Kinë një softuer për menaxhimin e basteve, i them edhe shokut shiko… edhe ai e blen. Dhe kështu përfundon e gjithë Kosova, duke shfrytëzuar të njëjtin softuer, normalisht me domene [emra të ueb-faqeve] të ndryshme”, thotë Doli.

Disa lojtarë me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, thonë se një pjesë e njerëzve që merren me lojëra fati online, bashkëpunojnë me njerëz të shteteve të rajonit.

“I marrin me përqindje nga Shqipëria. E marrin ueb-faqen dhe t’i bëhesh administrator kryesor për këtu”, tregon Kushtrimi.

Kosova dhe Shqipëria, aktualisht, janë vendet e vetme në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku lojërat e fatit nuk janë të lejuara në asnjë formë. Megjithatë, në Shqipëri është miratuar një ligj që do t’i rikthejë ato vetëm në formën online nga 1 prilli.

SHIKONI EDHE: Ligji që nuk i ndali lojërat e fatit

Istref Veliu, që udhëheq Shoqatën e Kompanive të Lojërave të Fatit në Kosovë, thotë se industria është e lidhur ngushtë me vendet e rajonit, sidomos Shqipërinë, e cila, po ashtu, i ka të ndaluara bastet.

“Janë faqet që ofrohen me përqindje dhe pjesa e përfitimeve shkon në vende të rajonit”, thotë Veliu.

Sipas tij, ligji aktual në Kosovë i ka dëmtuar bizneset legjitime kosovare dhe i ka bërë dëm buxhetit të vendit.

“Lojërat kanë vazhduar dhe do të vazhdojnë. Gjëja e keqe është se Kosova nuk përfiton prej kësaj dhe nuk ka siguri për përdoruesin”, thotë Veliu për Radion Evropa e Lirë.

Veliu, që në të kaluarën kishte në pronësi një lokal me lojëra fati, thotë se ka ngritur ankesë në gjykatë për konfiskimin e aseteve të kompanisë së tij dhe dëmtimin financiar.

“Unë mendoj që kompanitë nuk e kanë vazhduar [punën] sepse kanë qenë kompani serioze, por kanë vazhduar individë që kanë punuar paraprakisht në të zezën... janë zgjeruar, janë fuqizuar”, thotë ai.

Administrata Tatimore e Kosovës nuk i dha të dhëna REL-it se sa ka qenë pagesa e taksave nga kjo industri, para ndalesës.

Veliu thotë se qarkullimi vjetor sillej në rreth 30 milionë euro.

Policia e Kosovës nuk specifikoi se sa persona janë arrestuar nën dyshime për organizim të lojërave të fatit online, por ofroi të dhëna për aksionet e përgjithshme kundër kësaj industrie.

Bixhozi i jashtëligjshëm në Kosovë hyn në veprën e njëjtë penale sikurse organizimi i skemave piramidale, që janë mashtrime të paligjshme financiare të maskuara si biznese legjitime.

Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare në Kosovë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it nëse ka marrë urdhër për bllokimin e ndonjë ueb-faqeje të lojërave të fatit online.

Shembulli i Shqipërisë

Pak para se Kosova t’i ndalonte lojërat e fatit, këtë hap e mori Shqipëria.

Ligji që hyri në fuqi atje në fund të vitit 2018, parashihte mbylljen e lojërave të fatit.

Në vitin 2019, përmes aksionit që u quajt “Fundi i Marrëzisë”, u mbyllën 4.214 pika bastesh brenda Shqipërisë.

Por, në shkurt të këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë vendosi rikthimin e basteve sportive online, pas 5 vjetësh mbylljeje.

Argumenti nga përpiluesit e këtij ligji ishte se “bastet online e ushtronin aktivitetin e tyre në të zezën” dhe se “buxheti i shtetit humb miliona euro”.

Agjencia për Komunikime Elektronike dhe Postare (AKEP) i tha Radios Evropa e Lirë se mbi 5 mijë faqe online janë bllokuar atje “për përmbajtje të paligjshme - lojëra fati online”.

Ligji i ri, që do të hyjë në fuqi më 1 prill, parasheh rikthimin e basteve vetëm online dhe vetëm për 10 kompani që do të licencohen.

Artan Shyti, kryetar i Shoqatës së Lojërave të Fatit në Shqipëri, thotë se ndalesa që ishte në fuqi tash e pesë vjet, nuk kishte efekt pozitiv.

“Qeveria zgjodhi masën drastike të mbylljes dhe koha tregoi se nuk u mbyllën, por, thjesht, kaluan në të paligjshme. Nëse më përpara, shteti i monitoronte e i kontrollonte e merrte taksa, [pas mbylljes] shteti nuk mori më para”, thotë Shyti për Radion Evropa e Lirë.

Ndalesa që nuk e ndali varësinë

“Në humbje je gjithsesi”, thotë Albani, kur përshkruan se çfarë fitimi mund të nxirret nga loja me baste.

Ai thotë se këto lojëra mund të krijojnë varësi të shpejtë, sidomos te personat me vështirësi financiare, që synojnë “të fitojnë shpejt dhe shumë”.

Forma e re e të luajturit online, sipas tij, e ka bërë edhe më të vështirë fitimin eventual.

SHIKONI EDHE: Shkup: Psikologët të shqetësuar se lojërat e fatit po shndërrohen në varësi për të rinjtë

“Edhe kur [fiton], nuk i merr menjëherë dhe ndodh që i humb ato para në user [llogari], që nuk i kam nxjerrë [duke luajtur më shumë]”, thotë Albani.

E për Kushtrimin, bastet nuk janë ide e mirë dhe duhen ndalur para se të krijohet varësi.

“Mos luani fare! Sepse, nuk ua shihni hajrin... As parave që fiton [prej tyre] nuk ua sheh hajrin. Menjëherë të nesërmen do të mundohesh të luash me pak më shumë para, të vendosësh pak më shumë [baste]. Dhe [paratë] të shkojnë ashtu”, thotë Kushtrimi.

Në Kosovë nuk ka të dhëna publike në lidhje me varësinë ndaj lojërave të fatit.

Në Shqipëri, me këtë çështje është marrë Henri Telharaj, që udhëheq Këshillin Shqiptar për Problemet e Lojërave të Fatit.

“Shqipëria i ka mirëpritur që prej vitit 1991 lojërat e fatit me hyrjen e tregut të lirë, por pa e njohur mirë si fenomen dhe pa i dhënë rëndësinë e duhur problematikës së varësisë. Fatkeqësisht, kjo kontribuoi në krijimin e një shoqërie me probleme të thella sociale”, thotë Telharaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai beson se pas mbylljes, problemi me varësinë nuk është minimizuar.

“Online u zhvillua shumë më shumë se më parë dhe u bë e pakontrollueshme nga instancat përkatëse”, thotë Telharaj.

Kontribuoi: Jetmira Delia-Kaci