Lobim intensiv për të siguruar liberalizimin e vizave këtë vit

Fotografi nga arkivi.

Vendimi i ardhshëm i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën, po pritet me vëmendje të shtuar jo vetëm nga qytetarët, por edhe vetë kryeministri dhe Qeveria e Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj, i ka kërkuar përgjigje ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, e cila ka qëndruar këto ditë në Bruksel, se a do të ketë vendim për liberalizimin e vizave gjatë këtij viti.

Ministrja Hoxha i tha kryeministrit se deri më tani vlerësimet janë të mira, por kjo çështje varet nga vendet anëtare të BE-së.

"Gjasat reale janë që në takimin e Këshillit në fillim të dhjetorit të merret vendimi. Debati mbi migrimin është një debat i vazhdueshëm dhe shumë i ashpër duke u zhvilluar. Tani e gjitha është në duart e shteteve anëtare", tha ministrja Hoxha.

SHIKONI EDHE: Ministrja Hoxha i kërkon BE-së përshpejtimin e liberalizimit të vizave me Kosovën

Pas rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian dhe votimit në favor të liberalizimit nga Parlamenti Evropian, sfida kryesore në këtë proces për Kosovën mbetet në Këshillin e Ministrave, ku ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së i japin vlerësimet e tyre.

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka theksuar së fundmi se Kosova e ka mbështetjen e tij për procesin integrues, duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave.

Hahn ka bërë thirrje që Kosova të vazhdojë me reformat, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike dhe të bërit biznes.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj tha për Radion Evropa e Lirë se gjatë kësaj jave ka takuar zyrtarë të lartë të BE-së dhe shteteve anëtare për të lobuar në kërkim të përkrahjes për liberalizmin e vizave.

"Ka mbështetje për një proces të tillë. Ka vlerësim për përmbushjen e të gjitha kritereve të cilat i kemi bërë, e njëkohësisht ka një kompleks evropian për shkak të migrimit ilegal”, tha Hoxhaj.

“Kështu që neve na mbetet që të bëjmë punë shumë të madhe, që të bisedojmë me çdo kryeqytet evropian dhe veçanërisht të punojmë me shtetet më të mëdha të Bashkimit Evropian me qëllim që ta formësojmë një vendimmarrje deri në fund të vitit", tha zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Ai tha po ashtu se aktualisht përpjekja është që gjatë muajve tetor dhe nëntor të mbyllet procesi i angazhimit dhe lobimit dhe kurdo që të mbahet takimi i Këshilli Evropian të ketë një vendim pozitiv.

SHIKONI EDHE: Diplomacia e vonuar parlamentare

"Vendimmarrja duhet të formësohet diku në javën e fundit të tetorit, në kuptimin e asaj se çka mund të mendojnë shtetet e ndryshme anëtare. Ndërsa, vendimi përfundimtar merret kur të takohet Këshilli Evropian i cili ende nuk ka një datë të saktë se kur mund të ndodhë takimi", tha Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj, tha se me intensifikimin e punës se qeverisë nuk duhet të ketë keqkuptime se Kosova mund të marrë përgjigje negative nga Këshilli i Ministrave të BE-së.

"Së pari, ne kemi lobuar derisa Komisioni Evropian ka dalë me vlerësimin pozitiv, dhe e dyta kemi lobuar derisa Parlamenti Evropian ka votuar për një teme të tillë dhe tash duhet të lobojmë te shtetet anëtare të BE-së", tha Hoxhaj.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka kërkuar nga Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, përshpejtimin e procesit të vendimmarrjes për liberalizimin e vizave. Ajo i ka kërkuar nga zyrtarët e lartë të BE-së që edhe vendet anëtare të kryejnë gjitha hapat procedurale, në mënyrë që procesi të përmbyllet gjatë këtij viti.

Nga ana tjetër, Armend Zemaj nënkryetar i Komisioni për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha në fazën në të cilën ndodhet vendi, institucionet duhet të ndërmarrin hapa konkret, duke insistuar që Kosova të mos mbetet jashtë procesit të liberalizmit të vizave.

"Mendoj se mos koordinimi i duhur dhe deklaratat e ndryshme nga krerët e institucioneve, raportet që vijnë dhe dalin nga këtu, mendoj se shprehin një lloj dyshimi edhe shprehin paaftësinë institucionale për ta përfunduar këtë proces. Duhet të merren hapa shumë me adekuat në këtë fazë", tha Zemaj.

SHIKONI EDHE: Detyrat e Kosovës para vendimit final për liberalizimin e vizave

Deputeti Zemaj theksoi se Kosova ka plotësuar tashmë të gjithë kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe se, sipas tij, nëse do të ketë shtyrje të liberalizimit të vizave, kjo do të ishte pasojë e moskoordinimit dhe mospunës së institucioneve të vendit.

"Gjithçka që e shtyn këtë proces është moskoordinimi dhe sjellja institucionale e krerëve të institucioneve duke përfshirë deklarata e presidentit , kryeministrit, të ministrit të Punëve të Jashtme ministres së Integrimit Evropiane dhe raportet që kanë me Kuvendin e Kosovës ", tha Zemaj.

Parlamenti Evropian votoi me shumicë votash rekomandimin e Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE), për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Pas këtij votimi të Parlamentit Evropian është konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat.

Bisedimet në emër të Parlamentit Evropian do t’i udhëheqë, Tanja Fajon, raportuese e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Njohësit e integrimeve evropiane, thonë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, do të duhet të përfundojë para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian që mbahen në maj. Në të kundërtën, sipas tyre, skenarët tjerë janë dekurajues.