Drejtësia pa llogaridhënie

Fotografi nga arkivi.

Ligji për përgjegjësinë disiplinore për gjykatës dhe prokurorë nuk po gjen zbatim në praktikë, thonë në Institutin e Kosovës për Drejtësi [IKD].

Kurse në Këshillin Gjyqësor të Kosovës thonë se në bazë të ligjit po veprohet me procedurat disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët.

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, tha për Radion Evropa e Lirë, se edhe pse ligji është i avancuar, ai nuk po zbatohet në praktikë.

Miftaraj thekson se nga monitorimet e bëra lidhur me ligjin në fjalë, rezulton se ai qëllimisht nuk zbatohet.

“Gjetjet dëshmojnë se sistemi gjyqësor dhe prokurorial me qëllim nuk e zbatojnë këtë ligj në mënyrë të drejtë, të pavarur dhe të paanshme. Përkundrazi, nga dhjetëra raste disiplinore të iniciuara nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, shihet qasje selektive e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, kryeprokurorëve dhe kryetarëve të gjykatave, duke ofruar amnisti të plotë për gjykatës dhe prokurorë të caktuar dhe duke zbatuar drejtësi për të tjerë”, thotë Miftaraj.

SHIKONI EDHE: A i duhet vetting-u Kosovës?

Sipas Miftarajt, mungesa e vullnetit për zbatimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore për gjykatës dhe prokurorë po ndikon në besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

“Me vetë faktin se mungon integriteti dhe vullneti i KGJK-së dhe KPK-së për të zbatuar ligjin dhe përmbushur obligimet ligjore, po dalin në pah kryetarë të gjykatave, kryeprokurorë, gjykatës dhe prokurorë që janë mbi ligjin, që pastaj manifestohet me mungesë të rezultateve dhe humbje të besimit në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, tha Miftaraj.

SHIKONI EDHE: DASH: Në Kosovë zyrtarët e korruptuar nuk ndëshkohen

Këshilli Gjyqësor nuk ka arritur që të japë statistika lidhur me shkeljet që mund të kenë bërë gjyqtarët, por sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjatë vitit 2019 kishte marrë vendim në katër raste disiplinore, ndërsa, gjatë periudhës kohore 1 janar – 30 qershor 2020, [KGJK] kishte shqiptuar tri vendime disiplinore.

Kurse, në periudhën 1 janar - 30 qershor 2020, Prokuroria Themelore në Prishtinë, sipas IKD-së, ka pranuar gjithsej 11 ankesa disiplinore. Nga to, gjashtë ankesa janë refuzuar si të pabazuara kurse një ankesë është dërguar në kompetencë të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

IKD-ja thotë se nga ankesat e pranuara, të gjitha ishin zgjidhur deri në fund të muajit qershor, 2020, kurse një ankesë ishte zgjidhur në muajin korrik të këtij viti, pasi ishte pranuar në fund të muajit qershor, 2020.

Kryesuesi i KGJK-së, Skënder Çoçaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se përgjegjësia dhe llogaridhënia në sistemin gjyqësor është rritur.

SHIKONI EDHE: Puna e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nën llupë

“Llogaridhënia në sistemin gjyqësor është rritur, pikërisht duke pasur parasysh Ligjin për përgjegjësinë disiplinore dhe proceduarave që parashihen me këtë ligj. Tani rezultate priten edhe më shumë, dhe të jenë edhe më të mira, pasi që ky ligj ka hyrë në fuqi nga fillimi i vitit të kaluar. Çështja e pandemisë, dhe u bllokua çdo gjë. Nga korriku i vitit të kaluar deri më sot vazhdimisht ky ligj dhe kjo procedurë është i obliguar që të rrisë llogaridhënien në sistemin gjyqësor”, tha Çoçaj .

Sipas, Çoçajt në Këshill ka raste të ndryshme të cilat trajtohen sipas ligjit, por siç shprehet ai, ‘tash edhe gjyqtarët e kanë kuptuar që çështjet disiplinore janë duke u trajtuar me seriozitetin më të madh, në bazë të ligjit në fuqi’.

“Për shembull, kemi pasur raste kur nuk është përpiluar aktgjykimi me kohë. Në ligj përcaktohen afate, është koha se kur duhet të përpilohet një aktgjykim”, tha Çoçaj.

Sipas ligjit, gjyqtarët dhe prokurorët për shkelje e mundshme sanksionohen me vërejtje jopublike me shkrim, vërejtje publike me shkrim; zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në 50 për qind për një periudhë deri në një vit; transferim i përkohshëm ose i përhershëm në një gjykatë apo prokurori tjetër të nivelit më të ulët e të tjera sanksione.

Llogaridhënia e gjykatësve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës është e rregulluar me Kushtetutë dhe ligj.

Gjykatësit dhe prokurorët për punën e tyre mbahen llogaridhënës, qoftë përmes procedurave të disiplinimit apo vlerësimit të përformancës. Të dyja këto procese zhvillohen nga mekanizmat brenda Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial.