Partitë politike, garuese në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, zotohen se në listat e tyre me kandidatët për deputetë nuk do të figurojnë emra të personave që kanë apo kanë pasur probleme me ligjin.
Shoqëria civile si dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë nga vendet e Quint-it u kanë bërë thirrje të gjitha subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje, që të sigurohen që në listat e tyre të kandidatëve për deputetë të mos ketë emra të personave të inkriminuar ose që kanë dosje të hapura nëpër gjykata.
Zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), thanë për Radion Evropa e Lirë, se lista e PDK-së do të jetë, siç u tha, e pastër, pa persona të cilët mund të kenë pasur problem me ligjin.
Betim Gjoshi nga shtabi zgjedhor i PDK-së tha për Radion Evropa e Lirë se kryetari i kësaj partie politike, Kadri Veseli nuk do të lejojë figura apo persona në strukturat e saj që kanë pasur problem me ligjin.
"Kryetari Veseli [Kadri Veseli] ka marrë qëndrim, së bashku me strukturat e partisë, që asnjë person që ka problem me ligjin të mos jetë në listën e kësaj partie, e po ashtu të mos marrë as funksione ekzekutive në Qeverinë e ardhshme", tha Gjoshi.
Sipas Gjoshit, Partia Demokratike e Kosovës, është partia e parë në vend që ka sjellë standarde në ketë drejtim.
Edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovë (LDK) thonë se nga kjo javë do të nisin punën në përpilimin e listës zgjedhore me kandidatë të mundshme për deputetë për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit.
Besian Mustafa, zyrtar për media, tha se në LDK ekzistojnë parime lidhur me atë se kush duhet të jetë kandidat për deputet.
"Kjo ka qenë dhe do të mbetet parim i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pra që në listat për deputetë, në ato 110 deputetë të mundshëm, të mos ketë njerëz që janë ballafaquar në të kaluarën me akuza ose me padi zyrtarisht për krime apo korrupsioni. Pra, këto janë parime bazë të LDK-së, që lista e cila u ofrohet qytetarëve të ketë njerëz me kaluar të pastër në aspektin ligjor", tha Mustafa.
SHIKONI EDHE: Partitë përgatisin ofertat për zgjedhjet e 6 tetoritLidhur me këtë çështje, edhe subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka formuar një komision, i cili ka nisur të funksionojë, për përzgjedhjen e personave të cilët do të jenë kandidatë të mundshëm për deputetë. Smajl Latifi drejtuesi i komisionit, i cili quhen me emrin "Etik", tha se kodet etike të partisë do të respektohen dhe nuk do të ketë emra për deputetë, të cilët nuk e meritojnë ose që kanë probleme me ligjin.
“Ne kemi një komision dhe unë jam kryetar i komisionit dhe do të japim kontributin tonë që njerëzit që kanë konflikt me ligjin, ama konflikt të merremi vesh, konflikt me ligjin dhe që kanë probleme..., që janë të dënuar, do të kujdesemi që ta japim kontributin tonë që të jemi në pajtim me ligjin”, tha Latifi.
Përveç kandidaturave për deputetë, të cilat në të kaluarën nuk janë pastruar nga emrat e personave të kërkuar nga ligji dhe drejtësia, probleme me ligjin kishin edhe ministrat e Qeverisë së kaluar të Kosovës.
Nga gjithsejtë 22 ministra sa kishte në Qeverinë e kaluar, gjashtë prej tyre janë me aktakuza. Keqpërdorimi i detyrës zyrtare, posedim të armëve dhe punësime të paligjshme janë disa nga aktakuzat që rëndojnë mbi ish-ministrat.
Përveç zyrtarëve qeveritarë, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, është vërtetuar se ishin më shumë se 20 deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga legjislatura e gjashtë, të cilët kishin lëndë të hapura në prokurori dhe gjykata për vepra të ndryshme penale.
Arlind Manxhuka nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, tha se subjekti i tyre gjithmonë ka pasur lista për zgjedhje dhe kandidatë të pastër, sipas tij, pa problem me ligjin apo aktakuza të ngritura.
"Ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi garuar me lista të pastra. Ne po besojmë se kjo çështje me shumë është problematike për subjektet tjera, pasi që kjo asnjëherë nuk ka qenë shqetësim për Vetëvendosjen”, tha ai.
Lëvizja Vetëvendosje në të kaluarën ka pasur persona të cilët kanë pasur akuza për protesta dhe hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij. Por, Manxhuka thotë se ato veprime kanë qenë në kuadër të protestave politike për të cilat kanë mbajtur përgjegjësi të plotë.
SHIKONI EDHE: Ambasadori amerikan kërkon ngritje të zërit nëse dëmtohet demokraciaShtetet anëtare të Quint-it u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos i votojnë personat e lidhur me krimin dhe për të cilët ka dyshime për afera korrupsioni.
Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, të cilat kanë thënë se presin nga të gjitha partitë politike të krijojnë një ambient të drejtë të garës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 6 tetor në Kosovë.
Në deklaratën e tyre të përbashkët është thënë edhe se Kosova ka nevojë për sundim të ligjit, andaj kandidatët nuk duhet të kenë të kaluar kriminale, ashtu që të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Në kuadër të angazhimeve për fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projekt-kodin e ri Penal të Kosovës, me të cilin janë paraparë dënime më të ashpra për keqpërdoruesit e parasë publike.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë rezultat i dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës në korrik të këtij viti. Dorëheqja e tij kishte pasuar ftesën nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, ku Haradinaj ishte ftuar për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.