Lista Serbe, ndërmjet pushteteve në Prishtinë dhe Beograd

Ilustrim

Lista Serbe, është parti politike e cila përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës, por në esencë ajo koordinon ose i përçon qëndrimet politike të Qeverisë së Serbisë, pa e pasur një politikë të veten autoktone, vlerësojnë njohësit serbë të zhvillimeve politike.

Lista Serbe, që nga themelimi i saj në vitin 2013, me mbështetjen e plotë të autoriteteve të Beogradit, e deri më sot ka marrë pjesë në institucionet e Kosovës dhe në jetën politike të vendit, me moton për të mbrojtur dhe avancuar interesat e komunitetit serb në Kosovë, por duke deklaruar publikisht se e ndjekin tërësisht politikën e kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

SHIKONI EDHE: Përfaqësuesit e Listës Serbe me funksione të dyfishta

Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se lojaliteti i verbër i Listës Serbe ndaj autoriteteve të Beogradit dhe politikave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kanë vënë këtë subjekt politik në pozitën që t’iu bishtnojë interesave të vërteta të komunitetit serb, të cilin ata e përfaqësojnë në institucionet e Kosovës.

Përvoja e deritashme tregon që Lista Serbe, gjysmën e kohës e ka shpenzuar jashtë institucioneve të Kosovës, duke i bojkotuar ato dhe nuk e ka shfrytëzuar gjithë kohën për t’i përfaqësuar interesat e komunitetit serb, përmes realizimit të programit të tyre.

“Është mjaft problematike se sa ata njerëz janë në gjendje që t’i artikulojnë në mënyrë autonome interesat e komunitetit serb në Kosovë, e sidomos kur Zyra (për Kosovën) dhe Qeveria e Serbisë, nuk janë fare të gatshme që të lejojnë atë autonomi. Në këtë segment, del që lëvizjet e tyre për bojkotimin dhe daljen nga institucionet kanë pasur dy qëllime bazike".

"Qëllimi i parë, që të vërtetohet prania e serbëve, e sidomos të autoriteteve të Serbisë në Kosovë dhe në institucionet e kësaj të fundit, si dhe qëllimi i dytë, që të prolongohet normalizimi i plotë dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Brukselit”, tha Janjiq.

SHIKONI EDHE: Thellimi i ndarjeve të serbëve në Kosovë nga Beogradi

Ai ka shtuar se Lista Serbe është bashkëfajtore që nuk është formuar Asociacioni i komunave me shumicë serbe, për shkak se statutin e tij nuk ia kanë prezantuar opinionit.

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë refuzuar t’i përgjigjen pyetjes së Radios Evropa e Lirë se sa do të jetë e vështirë për ta që në përbërjen e re të institucioneve të Kosovës, pas zgjedhjeve të 6 tetorit, të mund t’i përfaqësojnë interesat e komunitetit serbë të Kosovës, duke mbrojtur politikat e Beogradit zyrtar ndaj Kosovës.

Megjithatë, më herët, Igor Simiq, deputet i zgjedhur i Listës Serbe, ka thënë për një media lokale në Mitrovicë se subjekti i tij politik nuk e fsheh faktin se ndjekë politikat e Beogradit zyrtar.

“Ne asnjëherë nuk e kemi fshehur dhe nuk do ta fshehim se në mënyrë absolute e ndjekim politikën e presidentit (të Serbisë) Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Simiq.

Njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se pas zgjedhjeve të 6 tetorit dhe fitores së Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka deklaruar se Listën Serbe nuk do ta bëjë partner të koalicionit qeverisës, kësaj të fundit do t’i ngushtohet hapësira e manovrimit.

“Mendoj që tash, në këtë moment, do të përpiqen maksimalisht që të mbrojnë interesat, aty ku duhet dhe aty ku nuk duhet. Pikërisht këtu edhe është problemi i madh, sepse mbrohen interesat sipas recetës apo kërkesës së dikujt që nuk është i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë, në krahasim me atë që ju t’i mbroni interesat në atë mënyrë që të jeni drejtpërdrejtë të interesuar për këtë dhe jeni të gatshëm edhe për kompromise të caktuara të ndërsjella”, tha Nojkiq.

Por, ndryshe mendon Janjiq. Sipas tij, Lista Serbe ka 10 deputetë në përbërjen e re të Kosovës, duke i shtuar edhe një të komunitetit goran. Ai vlerëson që Lista Serbe e ka kuptuar që nuk do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës, por nuk do ta kontestojë formimin e qeverisë, ndërkohë që do të sillet në mënyrë pragmatike.

“Unë pres që ata të mos hyjnë në shumicën parlamentare, por vetëm do të marrin pjesë në zgjedhjen e ministrit, i cili do t’i përfaqësojë interesat e tyre, të Beogradit dhe të Listës Serbe. Por, në esencë, ata nga kuvendi do t’i bëjnë shantazh ose presion një qeverie të dobët, të cilën mund ta bëjë (Albin) Kurti me 61 deputetë. Po të hynin ata në shumicën parlamentare, atëherë do të bëheshin 72 deputetë, por ky nuk është në interesin e Beogradit”, tha Janjiq.

Megjithatë, sipas tij, vendimin se a do të jetë Lista Serbe pjesë e shumicës parlamentare, nuk do ta sjellë ky subjekt, por Beogradi zyrtar.

SHIKONI EDHE: Politikat e Listës Serbe, përtej interesave të komunitetit serb

Ndërkaq, Nojkiq shpreh mendimin që loja e Listës Serbe ndërmjet përfaqësimit të interesave reale të qytetarëve serbë të Kosovës dhe të interesave të autoriteteve të Beogradit, mund t’i kushtojë Listës Serbe dhe vet komunitetit serb në Kosovë.

“Përvojat e mia thonë që sa herë kam provuar që të gjej një gjuhë të përbashkët dhe zgjidhje drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e institucioneve në Prishtinë, gati se gjithmonë kemi gjetur kompromisin dhe zgjidhjen. Por, nëse ju përpiqeni që të dëshmoni se sa jeni të fortë në interesa dhe i kaloni vijat e caktuara, atëherë ajo mund të jetë mjaft e dëmshme për serbët”, u shpreh Nojkiq.

Lista Serbe, në mandatin e kaluar të Kuvendit të Kosovës ka pasur nëntë deputetë nga dhjetë të rezervuar për komunitetin serb. Në zgjedhjet e 6 tetorit, ky subjekt politik ka fituar dhjetë ulëse në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, Lista Serbe, është në krye të dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë.