Ligji për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnive vazhdon të zvarritet për shkak të refuzimit të presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov për ta dekretuar zgjidhjen e miratuar nga shumica parlamentare, më 14 mars.
Bazuar në qëndrimin e fortë të presidentit, nuk përjashtohet mundësia që ligji të mos dekretohet deri në fund të mandatit të tij, vitin e ardhshëm. Ndërsa, një gjë të tillë nuk e kanë përjashtuar edhe partitë në pushtet, të cilat thonë se nuk po gjejnë mekanizëm juridik për fuqizimin e ligjit, me të cilët avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e nivelit qendror, përskaj atyre në nivel lokal ku shqipja përdorej me zgjidhjen e deritanishme ligjore.
Vendimi mund të fuqizohet, apo të shpallet në gazetën zyrtare vetëm nëse nënshkruhet nga kreu i shtetit dhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, por ky i fundi ka përjashtuar mundësinë që të vë firmën e tij pa atë të presidentit, për shkak se një veprim i tillë paraqet shkelje ligjore apo se edhe vetë institucioni “Gazeta Zyrtare” nuk do ta publikonte.
Ekspertët thonë se partitë sikur nuk janë shumë të përkushtuar për të gjetur zgjidhjen, me qëllim lënien e rastit deri në zgjedhjet e reja presidenciale.
“Derisa vetë kryeparlamentari tha se pret hapësirë politike për të vepruar, del se është e vërtetë se ligji do të mbetet për më vonë. Por, kjo në aspektin ligjor është e padrejtë pasi nuk ka asnjë pengesë për zvarritjen e tij, pasi që nga momenti që është miratuar ai duhet të dekretohet”, thotë Bashkim Selmani, njohës i çështjeve juridike.
Edhe Vllado Dimovski, njohës i çështjeve ndëretnike, thotë se partitë duhet të gjejnë mënyra për të mbyllur këtë çështje që të mos mbetet pas zgjedhjeve presidenciale.
“Ligji për përdorimin e gjuhëve vlerësoj se deri tani duhej të mbyllej pasi ishte ngritur shumë pluhur deri në miratimin e tij, madje kishte edhe reagime, protesta e pakënaqësi të shumta. Mendoj se janë harxhuar të gjitha mekanizmat dhe ligjit duhet të hyjë në fuqi. Por, si duket partitë mendojnë ndryshe, apo sikur kjo u konvenon që këtë çështje të djeshme sërish ta shfrytëzojnë për pikë politike në zgjedhjet e ardhshme presidenciale”, thotë Dimovski duke shtuar se çështja e gjuhës është e ndjeshme dhe nuk duhet të keqpërdoret nga partitë për qëllime politike.
“Mendoj se kjo çështje duhet të mbyllet që të mos lihet e pazgjidhur për t’u keqpërdorur në zgjedhjet e ardhshme, ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën me çështjet që kanë të bëjnë me raportet ndëretnike. Marrëdhëniet ndëretnike në vend ende janë të brishta dhe shumë pak nevojitet që ato të marrin përmasa të paparashikuara, andaj duhet të kenë kujdes që të mos luhet me gjëra të ndjeshme. Pra, vlerësoj se çështja e gjuhës nuk duhet të keqpërdoret nga partitë për pikë politike”, thotë Dimovski.
Nga ana tjetër, Bashkim Selmani thotë se përdorimi i gjuhës shqipe është i garantuar dhe se partitë sipas tij këtë çështje e kanë keqpërdorur vite me radhë për qëllime politike.
“Është dëm shumë i madh pasi humbet e drejta jetike, një e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Mendoj se pak kanë rëndësi format e abuzimit në aspektin juridik apo sa partitë tentojnë të përfitojnë. Por, këtu kemi një situatë kur e drejta natyrore cungohet dhe ky është dëshpërimi më i madh te qytetarët. Me këtë edhe partitë shqiptare kanë humbur, pasi kanë rrënuar imazhin e tyre, qoftë pozita apo opozita, pasi kanë nënshkruar një kapitullim total, moral, politik, juridik e kështu me radhë”, thotë Selmani.
Përveç presidentit, Ligji për gjuhët kundërshtohet edhe nga VMRO-DPMNE-ja opozitare e cila kishte organizuar edhe protesta me arsyetimin se zgjidhja e miratuar rrënon karakterin unitar të shtetit, ku sipas kësaj partitë, gjuhë zyrtare në shtet është vetëm se maqedonishtja. Por, partitë shqiptare kanë thënë se qëndrimi i opozitës maqedonase, përkundër ndryshimeve në kreun e saj, po dëshmon se kur janë në pyetje shqiptarët nuk dallon nga udhëheqësia e kaluar.