Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi ka kërkuar nga presidenti Gjorge Ivanov që të dekretoj Ligjin për përdorimin e gjuhëve pasi në të kundërtën ai shkel kushtetutën e Maqedonisë, e cila sipas tij, e obligon atë që të fuqizoj ligjin pas kalimit të dytë në Kuvend.
"Neni 75 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë është i qartë dhe se pas votimit të dytë të ligjit me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve pranishëm në Parlament, që është rast edhe me ligjin në fjalë, kreu i shtetit është i obliguar që të nënshkruaj aktin e miratimit të ligjit. Në të kundërtën do të shkel normat Kushtetuese", ka deklaruar kryeparlamentari Xhaferi pa saktësuar se çfarë mund të ndodhë nëse Presidenti qëndron pas deklaratës për mos dekretimin e ligjit.
Edhe njohësit e çështjeve kushtetuese thonë se Presidenti duhet të dekretoj ligjin, por nëse këtë nuk e bënë, atëherë, sipas Osman Kadriut, anëtar i Gjykatës kushtetuese duhet të kërkohen mekanizma tjerë në kuadër të rregullores mbi punën e Kuvendit që ligji të hyjë në fuqi.
“Për mendimin tim, presidenti e shfrytëzoi njëherë të drejtën e vetos dhe tani sipas Kushtetutës të vendit mendoj se presidenti është i obliguar ta nënshkruajë ligjin. Sa i takon situatës që mund të krijohet nëse ligji për gjuhët përsëri nuk firmoset nga presidenti Gjorge Ivanov, jam i sigurt se në pjesët e Rregullores së Kuvendit, të Kushtetutës dhe Ligjit për Kuvendin parashikohet se si të veprohet në rastet e tilla, që më pas ligji të mund të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe ligji të hyjë ne fuqi”, ka deklaruar Kadriu.
Ngjashëm vlerësojnë edhe ekspertë të tjetër duke theksuar se Presidenti mund të kërkoj vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit, por jo edhe të mos e dekretoj atë.
“Kushtetuta është akti më i lartë juridik në vend dhe ajo nuk guxon të shkelet. Votimi i ligjit nga 64 deputetët e Kuvendit reflekton vullnetin e qytetarëve të Maqedonisë dhe kjo duhet të respektohet. Gjëja e vetme që mund të bëjë presidenti është që të kërkoj vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit para Gjykatës kushtetuese dhe të pres përgjigje. Çdo veprim tjetër nga ana e tij do të jetë antikushtetuese”, thotë Temelko Ristevski, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin FON të Shkupit.
Presidenti Ivanov në një paraqitje të mërkurën në mbrëmje tha se ligji për gjuhët i miratuar nga shumica parlamentare është antishtetëror dhe nxitës i tensioneve ndëretnike”, andaj edhe ka bërë të ditur vendimin e tij për mos dekretimin e këtij ligji, të miratuar nën tensione nga shumica parlamentare.
“Ligji për përdorimin e gjuhëve, në mënyrën se si është hartuar, por edhe votuar do të shkaktoj bllokadë të plotë në punën e institucioneve. Në kushte të bllokadës së institucioneve, gjasat janë të mëdha që të hapet edhe çështja e ridefinimit të rendit tonë kushtetues. Ligji për përdorimin e gjuhëve është jo i drejtë, ligj represiv, që favorizon vetëm se një gjuhë. Një ligj i tillë do të shkaktoj tensioneve dhe paraqet kërcënim për bashkëjetesën ndëretnike. Si Presidenti i shtetit këtë unë nuk do ta lejoj. Andaj, nuk do të nënshkruaj dekretin për shpalljen e këtij ligji të miratuar në këtë formë”, ka deklaruar presidenti Ivanov.
Ai ka drejtuar akuza të rënda ndaj kryeministrit, Zoran Zaev dhe shumicës parlamentare për siç ka thënë, mos respektimin e garancive të dhëna se do të respektojnë kushtetutën dhe se nuk do të miratojnë ligj antishtetërore.
Në një atmosferë të tensionuar, të enjtën, Kuvendi i Maqedonisë me 64 vota për e ka miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili zyrtarizon përdorimin e gjuhës shqipe në nivelin lokal dhe qendror të pushtetit. Por, ky ligj më pas nuk ishte nënshkruar nga presidenti Ivanov, i cili pretendon se ligji në fjalë është antikushtetues.
Sidoqoftë, ligji i miratuar nga shumica avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e nivel lokal dhe qendror, si në Kuvend, qeveri, organet e pushtetit gjyqësor, administratë, agjencitë shtetërore, ndërmarrjet publike e si dhe në të gjitha mbishkrimet e institucioneve. Gjuha shqipe do të përdoret edhe në të gjitha mbishkrimet e institucioneve të nivelit qendror, krahas atyre në pushtetin lokal ku gjithashtu gjuha shqipe është zyrtare në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës.