Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov përmes një paraqitje për opinionin të mërkurën në mbrëmje, ka njoftuar se nuk do ta dekretojë Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Kuvendi i Maqedonisë më 11 janar miratoni Ligjin për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike, përmes së cilit avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qendror. Ligji u miratua me 69 vota për, asnjë kundër. Në seancë nuk morën pjesë deputetët e opozitës maqedonase të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, parti kjo që këtë ligj e cilëson si antikushtetues.
Presidenti Ivanov tha se Ligji i gjuhëve është miratuar nga shumica parlamentare pa debat publik, pa marrë opinionin e ekspertëve, pa praninë e opozitës dhe i njëjti, sipas tij, është në kundërshtim me direktivat e Bashkimit Evropian.
Ivanov tha se ligji në fjalë rrezikon karakterin unitar të shtetit, sovranitetin dhe integritet territorial të Maqedonisë duke favorizuar vetëm gjuhën shqipe.
“Sot e informova Parlamentin e Maqedonisë për vendimin tim që të mos e dekretoj Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Në kuadër të njoftimit me shkrim, në formë të detajuar kam arsyetuar vendimin e marrë. I ftoj deputetët e Parlamentit të Maqedonisë që me vëmendje t’i shqyrtojnë të gjitha vërejtjet e apostrofuara”, ka theksuar presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.
Por, sipas ekspertëve të çështjeve juridike mosdekretimi i Ligjit vetëm se e shtyn implementimin e të njëjtit për një muaj, sepse i njëjti kthehet në Parlament dhe pasi të marrë vizë për të dytën herë nga shumica parlamentare, atëherë presidenti i shtetit është i detyruar ta dekretojë.
“Gjashtëdhjetenëntë deputetët të cilët votuan pro Ligjit të gjuhëve do të votojë sërish edhe pas një muaji. Por, në këtë kontekst, presidenti i shtetit duhet të tregohet më fleksibil ndaj kërkesave të shumicës parlamentare, mendoj shumicës që përfaqësojnë qytetarët e Maqedonisë dhe në përputhje më këtë edhe të sillet”, thotë për Radion Evropa e Lirë, njohësi i çështjeve politike, Nikolla Dujovski.
Ndërkohë, një deputet i VMRO- DPMNE-së, Ilija Dimovski ka ngritur në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për gjuhët, duke kërkuar nga ky institucion të dalë me qëndrimin se ligj është antikushtetues, pasi sipas tij, në bazë të Kushtetutës, gjuhë e vetme zyrtare në Maqedoni është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik.
Por, Mersim Maksuti ligjërues i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Tetovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se Ligji i gjuhëve buron nga vetë Kushtetuta, dhe si i tillë, në asnjë mënyrë nuk bie ndesh me Kushtetutën.
“Është vetë Kushtetuta e Maqedonisë ajo e cila e ka zyrtarizuar gjuhën shqipe, në kuptimin e asaj se e njeh si gjuhë zyrtare edhe se e definon si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e popullatës së Maqedonisë. Tani me Ligjin e gjuhëve vetëm mundësohet zgjerimi apo shtrirja më e gjerë e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, por baza kushtetuese për gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare ekziston”.
“Ata që synojnë të ngrenë iniciativë para Gjykatës Kushtetuese, duhet të kenë parasysh se bëhet fjalë për një ligj që vendos themelet e bashkëjetesës mes dy bashkësive më të mëdha etnike në Maqedoni, dhe institucionalizimi në një përmasa më të gjerë, në asnjë mënyrë nuk e rrezikon shtetin, përkundrazi përforcon karakterin demokratik të tij”, thotë Maksuti.
Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është formuluar si “gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës në Maqedoni”, dhe përmes Ligjit për përdorimin e gjuhëve mundësohet një shtrirje më të gjerë të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet e pushtetit vendor dhe atij qendror.
Ligji në fjalë ishte dhe pjesë e marrëveshjes së partive politike shqiptare para formimit të Qeverisë së re të Maqedonisë. Njëherësh, avancimi i gjuhës shqipe ishte dhe pjesë e premtimeve parazgjedhore e socialdemokratëve të kryeministrit Zoran Zaev, në saj të cilave premtime arritën të sigurojnë një numër të konsiderueshëm të votave edhe nga elektorati shqiptar.