Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë konfirmuar se e kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së Ligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.
Në një konferencë të përbashkët për medie, deputetët këtyre dy partive opozitare u kanë shpjeguar arsyet e kontestimit dhe dërgimit të këtij ligji, që njihet si Ligji për dialogun, në Gjykatën Kushtetuese.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë që subjekti i tij politik vlerëson se Ligji për dialogun është në kundërshtim me shumë nene të Kushtetutës së Kosovës.
SHIKONI EDHE: Kritikohet platforma e Ekipit negociator për dialogun me SerbinëSipas tij, ky ligj shkel nenin 2 të Kushtetutës, ku flitet për sovranitetin, Nenin 4 të Kushtetutës ku flet për formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit, Nenin 7 ku flitet për rendin kushtetues të Kosovës, Nenin 18 të Kushtetutës, ku flitet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, Nenin 20 të Kushtetutës, ku flitet për bartjen e sovranitetit ose kalimin e kompetencave shtetërore, Nenin 65 të Kushtetutës, ku flitet për kompetencat e Kuvendit të Kosovës, Nenin 93 të Kushtetutës, ku flitet për kompetencat e Qeverisë dhe Nenin 94 të Kushtetutës , ku flitet për kompetencat e kryeministrit.
Siç ka thënë Selmanaj, përmbajtja e kërkesës së kontestimit të kushtetutshmërisë së Ligjit për dialogun, është koncentruar në tri shtylla kryesore.
“Shtylla e parë ka të bëj me tendencën që përmes këtij ligji të përcaktohet ndryshimi i hierarkisë institucionale, kushtetuese dhe vendimmarrëse në dialogun me Serbinë. Shtylla e dytë ka të bëj me kompetencat ligjore të Delegacionit shtetëror, që në fakt e kemi parë si tendencë që të ndërhyhet drejtpërdrejtë në kompetencat kushtetuese të pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ. Shtylla e tretë ka të bëjë me përpjekjet për t’i dhënë këtij ligji karakter ‘lex specialis’, të mbivendoset në rast të kolizioni me ligjet tjera”, theksoi Selmanaj.
Ai ka shtuar se përveç ligjit është bërë një tendencë që të autorizohet, sipas tij, një trupë kundër-kushtetuese, të cilën nuk e njeh as Kushtetuta e Kosovës dhe as ligjet e aplikueshme në vend, që të ketë autorizime ekskluzive mbi një proces të tillë çfarë është tendenca për të arritur një marrëveshje me Serbinë.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se përveç vlerësimit juridik, nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës kanë kërkuar edhe vendosjen e menjëhershme të masës së përkohshme, e cila bllokon hyrjen ne fuqi te ligjit për dialogun, para se të jepet vlerësimi për kushtetutshmërinë e ligjit.
“Meqë ky projektligj ka për qëllim që t’i bartë dhe transferoj kompetencat e padelegueshme të Kuvendit, pra e privon Kuvendin nga kjo e drejtë dhe po ashtu edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, nga ushtrimi i të drejtave kushtetuese. Çfarëdo vendimi që do të mund të merrte ky Delegacion (shtetëror për dialogun me Serbinë), do të krijonte pasoja të pariparueshme dhe precedentë të rrezikshëm. Prandaj, Gjykata Kushtetuese duhet menjëherë që ta vendosë masën e përkohshme, ashtu siç edhe e kemi kërkuar dhe kjo, po ashtu, do të ndalonte këtë ekip në marrjen e çfarëdo veprimi në raport me dialogun me Serbinë”, theksoi Haxhiu.
Ajo ka shtuar se i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese edhe aprovimin e kërkesës për seancë dëgjimore, në të cilën, sipas saj, do të mund të argumentoheshin çështjet e parashtruara, në aspektin juridik dhe politik.
Kuvendi i Kosovës, me 7 mars ka miratuar në leximin e dytë Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.
Ky ligj u miratua me 58 vota për dhe tri abstenime. Miratimin e këtij ligji e patën kundërshtuar deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët patën paralajmëruar që atë ditë se do ta dërgojnë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese.
Të njëjtën ditë, në votimin e dytë, me 61 vota për, Kuvendi i Kosovës, pati miratuar edhe Platformën për dialogun mbi marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.