Kodi i ri Penal dhe Kodi i ri i Procedurës Penale, pritet që të futen për zbatim vitin e ardhshëm, thonë zyrtarë të Kuvendit të Kosovës, por për sa i përket sanksionimeve të veprave penale kundër detyrës zyrtare, nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha në krahasim me kodet aktuale penale dhe të procedurës penale, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike.
Sami Kurteshi, anëtar i Komisionit parlamentar për legjislacion, mandate, rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsion, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kodi Penal me ndryshimet e propozuara nga ekzekutivi, është shqyrtuar nga grupi punues dhe pritet që ta shqyrtojë edhe Komisioni. Por, sipas tij, në Kodin Penal nuk janë parë ndryshime të mëdha, ndërkohë që Kodi i ri i Procedurës Penale ende nuk i është proceduar Komisionit për legjislacion.
“Ne nuk i dimë cilat janë ndryshimet që do të propozohen nga Ministria (e Drejtësisë) në Kodin e Procedurës Penale. Ç’është e vërteta edhe në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Komisioni, do të thotë, ne si deputetë, kurrë nuk i kemi marrë të gjitha ndryshimet, së bashku, që i ka propozuar Ministria, që t’i dinim se çka është kërkuar që të ndryshohet. Ka munguar transparenca në atë drejtim, mirëpo është punuar i tërë Kodi”, tha Kurteshi.
Profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, i cili duke folur për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se ishte pjesë e ekipit që ka punuar në Kodin e ri Penal, thotë se në këtë Kod janë bërë ndryshime dhe plotësime, përfshirë edhe për veprat penale kundër detyrës zyrtare.
“Në Kodin Penal janë bërë ndryshime. Afër 100 nene kanë pësuar ndryshime dhe plotësime. Ka edhe inkriminime të reja, sa i përket veprave penale kundër detyrës zyrtare. Kjo është paraparë për përgjegjësinë penale, për ndëshkimin e personave zyrtarë, të cilët e keqpërdorin detyrën zyrtare. Këtu ka disa intervenime dhe kryesisht është zgjeruar ‘rrjeti’ i personave që mund të përgjigjen dhe gjithashtu, janë ashpërsuar dënimet për këto vepra”, theksoi Salihu.
Ai gjithashtu ka shtuar se bazuar në informacionet që ka, edhe në Kodin e ri të Procedurës Penale është paraparë që në rast të ngritjes së akuzës, pavarësisht postit zyrtar, personi duhet të suspendohet, duke u nisur që nga postet e niveleve më të ulëta e deri te posti më i lartë zyrtarë në vend. Risi tjetër, sipas tij, do të jetë edhe gjykimi në mungesë.
Por, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e dekriminalizimit, në mjaft vende është rregulluar në mënyrë eksplicite, por jo edhe në Kosovë. Sipas tij, përderisa shërbyesit civil, në rast se hetohen si të dyshuar për vepra penale ose kanë akuzë për vepra të tilla, mund të suspendohen nga zyrtarët që udhëheqin institucionet. Por, kjo nuk vlen edhe për zyrtarët e deleguar dhe të emëruar politik, në institucionet e larta të vendit, të cilëve Kushtetuta e Kosovës nuk ua mohon të drejtën për tu zgjedhur apo emëruar dhe në këtë pikë, autoritet të vetëm e njeh gjykatën.
“Cilido prej zyrtarëve që mund të akuzohet dhe gjykohet për një vepër penale, mund ta ketë të ndaluar ushtrimin e profesionit dhe mund të ketë ndalesa vetëm me dënime plotësuese, por jo apriori që kjo të rregullohet përmes legjislacionit. Sot për sot, në bazë të propozimit që e kemi parë në Kod Penal, nuk del që ka ndonjë risi në këtë fushë. Ato që kanë qenë deri më tash në legjislacion janë përsëritur dhe ajo që po e shohim në publik është se po bëhet një promovim për diçka që tashmë ka qenë në Kodin Penal”, theksoi Musliu.
Por, a do të mund të jenë efikas Kodi i ri Penal dhe Kodi i ri i Procedurës Penale për ta luftuar kriminalitetin apo veprat penale kundër detyrës zyrtare?
SHIKONI EDHE: Ministrat me aktakuzë fshihen pas zbrazëtive ligjoreDeputeti Kurteshi thotë se pikërisht për këtë efikasitet ekzistojnë kundërshti të ndryshme.
“Nga partitë në pushtet ka shpeshherë kundërshtime edhe në Komision, kur bëhet fjalë për ashpërsimin të normave ligjore lidhur me mënjanimin apo përjashtimin e njerëzve që janë të përfshirë në çështje të tilla, ta quaj me një emër, korruptive”, theksoi Durmishi.
Por, profesor Salihu thotë se ligjet janë të mira për aq sa ato zbatohen nga hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët. Por, sipas tij, e gjithë kjo ka të bëj me vullnetin ose jo politik për t’iu siguruar autonomia, pavarësia dhe siguria të gjithë bartësve të funksioneve në sistemin e drejtësisë.
“Kjo është një çështje komplekse. Pa u ndryshuar fryma, mentaliteti, koncepti dhe vullneti politik, mos të pres askush që do të luftohet sa duhet kriminaliteti ose veprat penale kundër detyrës zyrtare, posaçërisht të nivelit të lartë”, tha Salihu.
Ndërkaq, Musliu thotë që, tash për tash, në rast se Kosova dëshiron ta ndërtojë një legjislacion që i pamundëson listat zgjedhore me individë që kanë të kaluar kriminale apo që ndaj tyre procedohen aktakuza, si dhe të pamundësojë emërimet e individëve të tillë në funksione të larta shtetërore, nevojiten ndryshimet kushtetuese.
Megjithatë, sipas tij, një gjë e tillë është vështirë e realizueshme, marrë parasysh pengesat e shumta për të arritur deri te ndryshimet kushtetuese. Nisur nga kjo, siç thotë ai, partitë politike do të duhej ta rregullonin vet këtë çështje.
“Duhet ndërtuar një kod të përbashkët të etikës, përmes të cilit do të merrnin detyrime që ndaj zyrtarëve të tyre, të partive politike, qofshin të emëruar apo të zgjedhur, në momentin që bien ndesh me ligjin apo që ndaj tyre zhvillohet ndonjë procedurë penale, të tërhiqen dhe që ata, thjeshtë, të mos lihen në funksione publike. Kjo është, besojmë, mënyra më e lehtë që, sot për sot, do të mund ta bënte një lloj dekriminalizimi të politikës në Kosovë”, theksoi Musliu.
Sidoqoftë, para zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, përfaqësuesit e diplomacisë së huaj në Kosovë, patën kërkuar që partitë politike të mos i fusin në lista zgjedhore personat që janë përballur me procedura penale apo që kanë pasur të ngritura procedura penale. Megjithatë, në disa raste, në qeverisjet e kaluar, por edhe në mandatin aktual, ka pasur zyrtarë, ndaj të cilëve janëngritur aktakuzat, kryesisht për shpërdorim të detyrës zyrtare.
Aktualisht, në Qeverinë e Kosovës janë 7 ministra të cilët janë duke u përballur me procedura gjyqësore për vepra të ndryshme penale, kryesisht të korrupsionit.