Liga Arabe: Bastisja izraelite në xhaminë Al-Aksa rrit rrezikun për dhunë

Policia izraelite duke e tërhequr me forcë një palestinez. 5 prill 2023.

Liga Arabe e ka dënuar ashpër bastisjen policore të Izraelit në xhaminë Al-Aksa në Jerusalem, duke thënë se diçka e tillë e rrezikon stabilitetin rajonal.

Në një deklaratë të lëshuar pas një takimi emergjent, Liga e ka dënuar atë që e konsideruar “krim të kryer nga forcat pushtuese izraelite kundër besimtarëve të pambrojtur myslimanë”, në xhami.

Bastisjtja pak para agimit, ka “nxitur spirale të dhunës, e cila kërcënon sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe botë”, është thënë në reagim.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se situata është shkaktuar nga “ekstremistët”, të cilët e kanë barrikaduar veten brenda xhamisë, me armë, gurë dhe fishekzjarre.

Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Aboul Gheit, e ka dënuar bastisjen edhe përmes një deklaratë të ndarë.

“Qasjet ekstremiste, të cilat kontrollojnë politikën e Qeverisë izraelite, do të çojnë në përballje të gjera me palestinezët, në rast se nuk ndalen tani”, ka thënë ai.

Kompleksi i xhamisë Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në Islam.

Kjo hapësirë, që njihet edhe si Mali i Tempullit, është, po ashtu, vend i shenjtë për hebrenjtë.

Edhe në të kaluarën, në këto hapësira ka pasur përleshje në mes të besimtarëve palestinezë dhe forcave izraelite të sigurisë.

SHIKONI EDHE: Si erdhi deri te përshkallëzimi i konfliktit Izrael-Gaza?

Në maj të vitit 2021, bastisjet izraelite kanë kontribuuar në luftën 11-ditore në mes të Izraelit dhe Hamasit – grupit militant islamist, i cili udhëheq Rripin e Gazës.