Ndërlidhjet

Si erdhi deri te përshkallëzimi i konfliktit Izrael-Gaza?


Policia izraelite afër një makine të djegur.
Policia izraelite afër një makine të djegur.

Disa javë të përleshjeve të dhunshme në Jerusalemin Lindor kanë nxitur luftimet më të ashpra në vitet e fundit në mes të Izraelit dhe militantëve palestinezë në Rripin e Gazës.

Në qendër të dhunës, që ka lënë të vdekur dhjetëra persona, janë tensionet në mes të izraelitëve dhe palestinezëve për Jerusalemin, në të cilin gjenden zonat e shenjta për hebrenjtë, myslimanët dhe të krishterët.

Ndërkohë që të dyja palët janë të vendosura për të vazhduar luftimet, më poshtë janë të renditur disa faktorë që kanë nxitur përshkallëzimin e situatës.

Protestat në Ramazan, dëbimet në Jerusalem

Prej nisjes së Muajit të shenjtë të Ramazanit, në mesin e muajit prill, palestinezët janë përballur gati çdo natë me policinë izraelite në Jerusalemin Lindor, e cila ka vendosur kufizime për organizime në mbrëmje në zonën e vjetër të qytetit.

Palestinezët kanë thënë se kufizimet kanë pasur synim bllokimin e organizimeve të tyre. Policia ka thënë se ka pasur qëllim të ruajë rendin.

Tensionet kanë qenë të larta edhe për shkak të një rasti ligjor, që mund të rezultojë me dëbim të shumë familjeve palestineze nga shtëpitë e tyre, ashtu që hebrenjtë – me përkrahje të gjykatës izraelite – të mund të banojnë aty.

Dhuna është përhapur shpejt në zonën e vjetër të qytetit, ku gjendet xhamia Al-Aksa, vendi i tretë më i shenjtë në Islam, njëherësh hapësira më e ndjeshme në konfliktin izraelito-palestinez.

Thirrje për ndalje të dhunës në Gaza
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:42 0:00

Qindra palestinezë janë plagosur në luftimet me policinë në dhe rreth pjesës së vjetër të qytetit, në kohën e fundit.

“Linja e kuqe”

Udhëheqësit islamistë të Gazas, Hamasi dhe grupe tjera militante në këtë enklavë, kanë paralajmëruar vazhdimisht Izraelin se luftimet në Jerusalem përbëjnë kalim të “linjës së kuqe” dhe janë zotuar për hedhje të raketave nëse policia izraelite nuk ndal bastisjet në zonën afër Al-Aksas.

Teksa Izraeli ka shënuar pushtimin e Jerusalemit Lindor në luftën e vitit 1967 me një marsh të hënën e kësaj jave, Hamasi dhe grupi militant Xhihadi Islamik kanë nisur raketa drejt Jerusalemit dhe lagjeve në afërsi.

Izraeli “ka nisur zjarr në Jerusalem dhe Al-Aksa dhe zjarri është zgjeruar në Gaza, andaj është përgjegjës për pasojat”, ka thënë lideri i Hamasit Ismail Haniyeh.

Brenda disa orësh, aeroplanët luftarakë të Izraelit kanë nisur bombardimet në shënjestrat militante në Gaza.

Ushtria izraelite ka paralajmëruar se viktimat civile “nuk mund të përjashtohen”, në popullsinë tejet të dendur.

Prej asaj kohe, luftimet janë përshkallëzuar në mënyrë dramatike, pasi militanët kanë hedhur qindra raketa në Tel Aviv dhe Izraeli ka kryer qindra sulme ajrore në Gaza.

Dhuna ka shpërthyer edhe në qytetet e përziera arabo-hebreje në Izrael, pasi anëtarët e minoritetit arab janë zemëruar për dëbimet në Jerusalem dhe dhunën në Gaza.

Interesat e Hamasit, politikat e Izraelit

Përleshjet më të ashpra ajrore në mes të Izraelit dhe Hamasit prej vitit 2014 në Gaza, kanë shqetësuar faktorin ndërkombëtar se situata mund të dalë jashtë kontrollit.

Mirëpo Hamasi duket se e ka parë këtë përshkallëzim si mundësi për të margjinalizuar presidentin palestinez Mahmoud Abbas dhe ta prezantojë veten si gardian të palestinezëve në Jerusalem.

Hamasi ka grumbulluar rreth 7,000 raketa, si dhe 300 anti-tanke dhe 100 sisteme për raketa, prej luftës së vitit 2014, ka thënë një komandant ushtarak izraelit gjatë një konference të mbajtur në muajin shkurt.

Xhihadi Islamik ka mbledhur 6,000 raketa, ka thënë ky komandant.

Këto grupe as nuk kanë konfirmuar, dhe as mohuar vlerësimet.

Disa komentatorë izraelitë kanë thënë se Hamasi mund ta shohë këtë periudhë si të përshtatshme edhe për faktin se kundërshtarët e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu po tentojnë ta formojnë qeverinë dhe ta largojnë atë nga pushteti, pas zgjedhjeve të mbajtura më 23 mars.

Të tjerë thonë se Netanyahu duket se është shpërqendruar edhe nga gjykimi kundër tij për korrupsion, akuza të cilat ai i mohon, duke lejuar kështu që tensionet të rriten e të shpërthejnë në Gaza.

Për shumë vjet, Gaza ka pak qasje në botë për shkak të bllokadës së udhëhequr nga Izraeli dhe të mbështetur nga Egjipti, vendet të cilat citojnë shqetësimet për sigurinë, kur përmendin kufizimet ndaj Hamasit.

Jerusalemi, qendër e konfliktit

Si politika, ashtu edhe historia dhe feja, e vendosin Jerusalemin në qendër të konfliktit të zgjeruar izraelito-palestinez.

Në zemër të qytetit të vjetër të Jerusalemit gjendet maja, e cila nga hebrenjtë në gjithë botën njihet si Mali i Tempullit – vendi më i shenjtë për ta – dhe për myslimanët si vendi i shenjtë fisnik. Aty gjendej shtëpia e tempujve hebrenj të antikitetit. Tani aty janë dy vende të shenjta, Kupola e Shkëmbit dhe Xhamia Al-Aksa.

Xhamia Al-Aksa
Xhamia Al-Aksa

Të krishterët po ashtu nderojnë këtë qytet dhe e konsiderojnë të shenjtë, pasi besojnë se Krishti është lutur, ka vdekur dhe është ringjallur.

Izraeli e konsideron gjithë Jerusalemin si territor të vetin dhe si kryeqytet të pandashëm, derisa palestinezët kërkojnë që pjesa lindore të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre në të ardhmen.

Ankesimi i Jerusalemit Lindor nga Izraeli nuk njihet ndërkombëtarisht.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG