Ndërlidhjet

Erdogan dhe Putin diskutojnë për situatën në Lindjen e Mesme


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe presidenti turk, Reccep Tayip Erdogan.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe presidenti turk, Reccep Tayip Erdogan.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan i ka thënë presidentit rus, Vladimir Putin, se bashkësia ndërkombëtare duhet "t'i japë Izraelit një mësim të fortë dhe parandalues" kundër sjelljes së tij ndaj palestinezëve.

Presidenca e Turqisë njoftoi se të dy liderët biseduan përmes telefonit të mërkurën në lidhje me përshkallëzimin e dhunës mes forcave të Izraelit dhe militantëve palestinezë.

Në njoftim thuhet se Erdogan ka bërë presion që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të ndërhyjë shpejt.

Erdogan i ka thënë Putinit se duhet të merret në konsideratë edhe dërgimi i një force ndërkombëtare për të mbrojtur palestinezët.

Ndërkohë, mijëra njerëz në Stamboll marshuan për të demonstruar kundër sulmeve të Izraelit, pavarësisht masave të pandemisë.

Të paktën 35 të vrarë në Gaza dhe pesë në Izrael është bilanci i përleshjeve të armatosura mes Izraelit dhe Hamasit.

Këto janë luftimet më të ashpra që kanë ndodhur në vitet e fundit.

Të mërkurën në mëngjes, Izraeli kreu qindra sulme ajrore në Gaza, ndërsa grupi islamist Hamas dhe militantët tjerë palestinezë, qëlluan me breshëri raketash në drejtim të Tel Avivit dhe qyteteve tjera.

Izraeli tha se avionët e tij kishin shënjestruar dhe vrarë disa udhëheqës të inteligjencës së Hamasit. Ushtria tha se sulmet tjera shënjestruan lokacionet prej nga janë lëshuar raketat e militantëve, raporton Reuters.

Militantët palestinezë në Gaza kanë shkrepur më shumë se 1,000 raketa në drejtim të Izraelit që nga e hëna në mbrëmje, kur luftimet u përshkallëzuan në mënyrë dramatike pas disa ditëve të trazirave në Jerusalem, tha ushtria izraelite.

Tash e sa javë, protestuesit palestinezë dhe policia izraelite janë duke u përleshur në baza ditore në dhe përreth Qytetit të Vjetër të Jerusalemit.

Atje ndodhen vendet kryesore fetare - të shenjta për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët.

Jerusalemi ka qenë në fakt skenë e konfrontimeve të dhunshme midis hebrenjve dhe arabëve tash e 100 vjet dhe mbetet një nga qytetet më të kontestueshme në botë.

Përleshjet e fundit filluan një muaj më parë, kur Izraeli bllokoi disa tubime të palestinezëve, në fillim të Muajit të shenjtë të Ramazanit.

Pasi ato kufizime u zbutën, plani për të dëbuar dhjetëra palestinezë nga një lagje e Jerusalemit Lindor vazhdoi të nxiste konfrontime.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG