AP
Udhëheqësi i grupit militant, Shteti Islamik, i vrarë në një sulm të Shteteve të Bashkuara në veriperëndim të Sirisë, ishte kryesisht një mister, me pothuajse asnjë fotografi të publikuar. Ai nuk u shfaq kurrë në publik ose në videot e këtij grupi.
Ai gjeti vdekjen në të njëjtën provincë të Idlibit, të kontrolluar nga rebelët, ku paraardhësi i tij, Abu Bakr al-Baghdadi, u vra nga amerikanët pak më shumë se dy vjet më parë.
Një militant veteran që nga pushtimi i udhëhequr nga SHBA-ja në Irak në vitin 2003, ai mori emrin Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi kur mori komandën e IS-it, pas vrasjes së al-Baghdadit në vitin 2019.
I takonte atij që të drejtonte pjesëtarët e mbetur të grupit, ndërsa ata u rigrupuan pas rënies së “kalifatit” dhe u fshehën për të zhvilluar një kryengritje në Irak dhe Siri.
Vrasja e tij ndodhi në kohën kur militantët e IS-it, pas disa vitesh sulme të nivelit të ulët, kishin filluar të kryenin sulme më të guximshme dhe të profilit më të lartë.
Muajin e kaluar, IS-i sulmoi një burg në Sirinë verilindore për të liruar shokët e burgosur, duke zhvilluar një betejë 10-ditore me forcat e udhëhequra nga kurdët. Sulmi la rreth 500 veta të vdekur.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se Al-Qurayshi ishte drejtpërdrejt përgjegjës për sulmin në këtë burg, si dhe për vrasjet masive të popullatës jazidi në Irak, në vitin 2014.
"Ai ishte përgjegjës për sulmin e fundit brutal në një burg në verilindje të Sirisë... Ai ishte forca shtytëse pas gjenocidit të popullatës jazidi", tha Biden më 3 shkurt.
SHIKONI EDHE: Biden konfirmon vrasjen e liderit të grupit militant IS"Ne të gjithë i kujtojmë historitë tronditëse, masakrat masive që zhdukën, fshinë fshatra të tërë, mijëra gra dhe vajza të reja të shitura në skllavëri, përdhunime të përdorura si armë lufte”, tha Biden.
Është e paqartë nëse vdekja e Al-Qurayshit do të ngadalësojë vrullin e grupit.
Emri i tij i vërtetë ishte Amir Mohammed Saeed Abdul-Rahman al-Mawla, një irakian në mesin e të dyzetave. Ai kishte një diplomë në Të Drejtën Islame nga Universiteti i Mosulit.
Miratimi i pseudonimit Al-Qurayshi kur u bë "kalif" i IS-it, sugjeroi se ai, ashtu si paraardhësi i tij, pretendonte lidhje me fisin e profetit të Islamit, Muhamed.
Ashtu si paraardhësi i tij, i cili u vra në fshatin Barisha - vetëm rreth 24 kilometra larg - Al-Qurayshi i kaloi ditët e tij të fundit në provincën Idlib, një zonë e mbajtur nga grupet kryengritëse - armiqësore ndaj grupit militant IS.
Ai po qëndronte në një shtëpi trekatëshe në qytetin Atmeh, afër kufirit me Turqinë. Operacioni i mëngjesit të së enjtes në atë shtëpi raportohet se la të vrarë atë dhe 12 persona të tjerë, duke përfshirë katër gra dhe gjashtë fëmijë.
SHIKONI EDHE: Të paktën 13 persona të vrarë pas operacionit amerikan në SiriProvinca Idlib, bastioni i fundit i madh i rebelëve në Siri, është shtëpi e tre milionë njerëzve, shumë prej të cilëve janë të zhvendosur nga lufta civile.
Rreth mesnatës së të mërkurës, helikopterët që bartnin forcat speciale të SHBA-së, u ulën pranë shtëpisë së Al-Qurayshit.
“Nëse nuk largoheni, ne kemi urdhra. Do të hedhim raketa drejt shtëpisë. Ka dronë sipër”, dëgjohej duke thënë përmes një altoparlanti një burrë që fliste me dialekt irakian. Një audio është shpërndarë në rrjetet sociale.
Një shpërthim tronditi zonën më vonë dhe rrëzoi pjesën më të madhe të katit të fundit të shtëpisë.
Videot e publikuara nga Mbrojtja Civile Siriane e opozitës, e njohur gjithashtu si Helmetat e Bardha, treguan një ndihmës mjeku duke larguar nga shtëpia një vajzë të vogël, për ta futur në ambulancë.
Një fotografi qarkulloi më vonë në rrjetet sociale, ku shfaqej një vajzë, e cila dukej rreth pesë vjeçe dhe me gjak në fytyrë.
“Ata vranë nënën dhe babanë tim”, citohet të ketë thënë vajza tek infermierët që e shpëtuan.
Nuk ishte e qartë nëse ajo ishte vajza e Al-Qurayshit.
TV Al-Arabiya tha se tri nga katër gratë që u vranë në bastisje, mund të kenë qenë gratë e liderit ekstremist. Është e zakonshme që anëtarët e grupit ekstremist të martohen me deri në katër gra - gjë që e lejon tradita myslimane.
Qëkur ka marrë komandën e IS-it, Al-Qurayshi ka kryesuar listën e të kërkuarve të SHBA-së dhe qeverive të tjera rajonale që luftojnë ekstremistët. Ai nuk u shfaq në publik dhe rrallë publikonte ndonjë regjistrim zëri. Ndikimi dhe përfshirja e tij e përditshme në operacionet e grupit, nuk dihen. Ai nuk ka asnjë pasardhës të njohur.
Më 18 mars, 2020, Departamenti amerikan i Shtetit e etiketoi Al-Qurayshin si terrorist global. Disa muaj më vonë, SHBA-ja dyfishoi shpërblimin e saj në 10 milionë dollarë për informacionin që do të çonte në identifikimin ose vendndodhjen e tij.
Al-Qurayshi njihej, gjithashtu, me dy nofkat e luftës: Abu Omar al-Turkmani dhe Abdullah Karadash.
Departamenti Amerikan i Thesarit tha se Al-Qurayshi ndihmoi në drejtimin dhe justifikimin e rrëmbimit, therjes dhe trafikimit të anëtarëve të pakicës fetare jazidi të Irakut dhe se ai ka mbikëqyrur operacionet globale të grupit. Mijëra burra jazidi u vranë nga grupi dhe mijëra gra u morën si skllave në atë që grupet e të drejtave të njeriut thonë se përbën gjenocid.
SHIKONI EDHE: Jazidët e Irakut rivarrosin viktimat e masakrës së IS-itAl-Qurayshi filloi punën e tij militante menjëherë pasi ish-diktatori irakian, Saddam Hussein, u hoq nga pushteti. Një vit pas pushtimit të Irakut në vitin 2003, Al-Qurayshi iu bashkua Al-Kaidës në Irak, të drejtuar nga militanti jordanez, Abu Musab al-Zarqawi.
Al-Qurayshi u arrestua nga trupat amerikane në Mosul në vitin 2004, ku u mbajt për dy vjet. Gjatë burgimit, ai u bë shefi i sigurimit të Al-Baghdadit.
Pas vdekjes së Al-Zarqawit në një sulm të SHBA-së në vitin 2006, Al-Qurayshi u bë zyrtar i lartë i grupit pasardhës të degës së Al-Kaidës - grupi Shteti Islamik në Irak - i cili nën Al-Baghdadin u shndërrua në grupin militant Shteti Islamik.
Kur IS-i pushtoi territore të mëdha në veri dhe lindje të Sirisë dhe në veri të Irakut, si dhe shpalli “kalifatin” e tij në vitin 2014, Al-Qurayshi u bë udhëheqës i lartë.
Kalifati i grupit u shkatërrua gjatë luftës së gjatë me një koalicion të udhëhequr nga SHBA-ja në Irak dhe Siri.