Ndërlidhjet

Jazidët e Irakut rivarrosin viktimat e masakrës së IS-it


Ceremonia e rivarrimit të jazidëve të vrarë nga grupi terrotist Shteti Islamik. Irak, 6 shkurt 2021.
Ceremonia e rivarrimit të jazidëve të vrarë nga grupi terrotist Shteti Islamik. Irak, 6 shkurt 2021.

Komuniteti jazidi në Irakun verior ka kthyer mbetjet mortore të 104 personave të cilët u vranë nga grupi militant, i ashtuquajtur Shteti Islamik (IS) më 2014.

Rivarrimi u bë në fshatin Koço afët malit Sinjar në provincën Ninevah. Eshtrat e tyre ishin identifikuar dhe zhvarrosur nga varret masive, transmeton BBC.

Mijëra burra u vranë kur IS pushtoi vendlindjen e komunitetit jazidi. Gratë dhe fëmijët u skllavëruan dhe u përdhunuan. Kombet e Bashkuara kanë thënë se IS ka kryer gjenocid ndaj këtij komuniteti.

Të gjitha viktimat që u rivarrosen ishin burra të vrarë nga militantët në muajin gusht të vitit 2014, tha kreu i Organizatës për Dokumentim, Khairi Ali Ibrahim.

Ceremonia e rivarrimit të jazidëve të vrarë nga grupi terrotist Shteti Islamik. Irak, 6 shkurt 2021.
Ceremonia e rivarrimit të jazidëve të vrarë nga grupi terrotist Shteti Islamik. Irak, 6 shkurt 2021.

Një përkujtim u mbajt për ta në memorialin e Ushtarit të Panjohur në Bagdad para se të silleshin në shtëpi në Koço.

"Ky është hap drejt drejtësisë tranzicionale. Edhe viktimat e tjera, gratë, fëmijët, të cilët mbijetuan gjenocidin do të kompensohen", tha aktivistja jazide për të drejtat e njeriut, Mirza Dinnayi.

"Shpresoj se ne mund të bëjmë shumë më tepër në mbrojtjen e jazidëve", tha ajo.

Disa persona mbajnë një arkivol me mbetjet mortore të jazidëve të vrarë nga grupi IS.
Disa persona mbajnë një arkivol me mbetjet mortore të jazidëve të vrarë nga grupi IS.

Para se IS ta pushtonte Irakut më 2014, besohej se aty jetonin rreth 550.000 jazidë. Rreth 360.000 prej tyre shpëtuan dhe gjetën strehim diku tjetër.

Organizata Amnesty International ka thënë se rreth 2.000 fëmijë jazidi që kishin mbijetuar nga robëria brutale e IS-it ende nuk po marrin kujdesin e duhur dhe po vuajnë nga probleme të rënda shëndetësore fizike dhe mendore.

Jazidët besojnë në një Zot dhe teologjia e tyre kryesisht buron nga traditat e lashta fetare iraniane, e jo nga tekstet kanonike hebreje, të krishtera apo myslimane.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG