Liderët perëndimorë, në rresht për të vizituar Maqedoninë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, pritet të vizitojë Maqedoninë në fundjavë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, do të qëndrojë këtë fundjavë në Maqedoni për t’i dhënë mbështetje referendumit të 30 shtatorit, në lidhje me ndryshimin e emrit të këtij vendi.

Në qershor të këtij viti, Shkupi dhe Athina kanë arritur marrëveshje për zgjidhjen e kontestit që ka datuar qysh në vitin 1991 kur Maqedonia ka shpallur pavarësinë.

Greqia ka refuzuar ta njohë Maqedoninë me këtë emër, duke thënë se një gjë e tillë sugjeron se Shkupi ka pretendime territoriale ndaj një rajoni verior të Greqisë, i cili po ashtu quhet Maqedoni.

Për shkak të kundërshtimeve greke, Maqedonia është pranuar në Kombet e Bashkuara nën emrin e përkohshëm: Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Palët, më 17 qershor, janë pajtuar për emrin e ri “Maqedonia e Veriut”.

SHIKONI EDHE: Zaev konfirmon: Maqedonia e Veriut, emri i ri

Nacionalistët në të dyja vendet e kanë kundërshtuar marrëveshjen. Por, nëse ajo miratohet në referendumin e 30 shtatorit në Maqedoni dhe nëse ky vend i bën ndryshimet e nevojshme kushtetuese, marrëveshja do t’i hapë rrugë për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

(Video nga arkivi: Protesta të dhunshme në Shkup kundër marrëveshjes për emrin me Greqinë. 17 qershor, 2018)

Your browser doesn’t support HTML5

Trazira në Shkup

Mattis tha se Rusia mund të bëjë “dëm” në referendum, pasi ajo publikisht e ka kundërshtuar integrimin euro-atlantik të Maqedonisë.

“Jam i shqetësuar për dëmin që ka bërë Rusia nga Estonia në Shtetet e Bashkuara, nga Ukraina e tani në Maqedoni”, tha Mattis.

"Unë po shkoj atje për ta bërë të qartë se ne qëndrojmë me popullin e Maqedonisë", theksoi Mattis.

Ambasadori i Rusisë në Shkup ka paralajmëruar se Maqedonia mund të bëhet “cak legjitim” nëse marrëdhëniet midis NATO-s dhe Rusisë përkeqësohen më tej.

Në muajin korrik, Greqia ka urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve rusë dhe ua ka ndaluar hyrjen dy të tjerëve, nën dyshimet se kanë rrezikuar sigurinë kombëtare.

Mediat greke kanë raportuar atëbotë se Athina e ka urdhëruar dëbimin e diplomatëve, nën dyshimet se ata kanë bërë përpjekje të dëmtojnë marrëveshjen që Greqia ka arritur me Maqedoninë, për emrin e ish-republikës jugosllave.

Në Greqi ka pasur protesta të dhunshme kundër marrëveshjes. Në Maqedoni, Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev, e zgjedhur në vitin 2017, e ka nxitur atë, por nacionalistët edhe atje, përfshirë presidentin Gjorge Ivanov, e kundërshtojnë marrëveshjen, duke thënë se është kundër Kushtetutës dhe e dëmshme për identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase.

Qeveritë perëndimore kanë qenë të zëshme në mbështetjen e tyre për marrëveshjen. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kancelari austriak, Sebastian Kurz, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, kanë qëndruar në Shkup javën e kaluar, për të nxitur votuesit që të mbështesin ndryshimin e emrit.

“Referendumi është një shans historik”, ka thënë Merkel, udhëheqësja më me ndikim në Evropë.

(Video: Merkel thotë se referendumi për emrin është shans historik për Maqedoninë)

Your browser doesn’t support HTML5

Merkel: Referendumi për emrin, mundësi historike për Maqedoninë

Më 6 shtator, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka shkruar homologut në Maqedoni, Ivanov, duke i thënë se “marrëveshja (për emrin) dhe anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të forconte sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin në të gjithë rajonin".

Sondazhet tregojnë se qytetarët e Maqedonisë me gjasë do të mbështesin marrëveshjen, por mbetet e paqartë nëse pjesëmarrja në referendum do të arrijë 50% - prag i nevojshëm që votimi të jetë i vlefshëm.

Të enjten në Shkup, për t’i dhënë mbështetje votimit, vizita kanë ndarë edhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, dhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Nga liderët e rajonit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të mërkurën nga Shkupi u ka bërë thirrje qytetarëve të Maqedonisë dhe sidomos shqiptarëve të atjeshëm, që pa hezitim të dalin dhe të votojnë në referendumin për emrin, ndërsa ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, tha të enjten, po ashtu nga Shkupi, se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, e mbështet pa asnjë kusht anëtarësimin e Maqedonisë në Aleancën Veriatlantike dhe u bëri thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që të votojnë në referendumin e 30 shtatorit.