Liderët e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, e kanë mirëpritur të martën vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për t’i dhënë dritën jeshile anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
Me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime, Asambleja Parlamentare e mbështeti anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës gjatë një seance plenare të martën në Strasburg.
Tani do të jetë në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht në maj, nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.
SHIKONI EDHE: Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështet anëtarësimin e Kosovës“Sot Kosova shënoi një moment historik në rrugëtimin e saj evropian”, shkroi presidentja Osmani në Facebook.
Ajo theksoi se votimi i sotëm në Asamblenë Parlamentare “është një dëshmi e përkushtimit tonë për drejtësi, barazi dhe për parimet themelore të demokracisë”.
“Falënderim nga zemra të gjithë atyre që nëpërmjet votës për mbështetën të gjithë qytetarët e Kosovës dhe kauzën tonë për të drejta të njeriut. Urime Kosovës dhe të gjithëve që kanë kontribuar në këtë arritje historik”, shtoi ajo.
Kryeministri Kurti, ndërkohë, shprehu optimizëm se ministrat e Jashtëm të Këshillit të Evropës do ta pranojnë Kosovën në folenë e tij gjatë një takimi që do ta mbajnë në maj.
“Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë”, shkroi Kurti në Facebook.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila ishte e pranishme në sallën e Asamblesë, tha se hapi i sotëm "dëshmon përparimin e jashtëzakonshëm të Kosovës në forcimin e demokracisë, të sundimit të ligjit, të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj dhe sidomos të komuniteteve joshumicë".
Ajo e pranoi se Kosovës i mbetet edhe shumë punë për të bërë deri në anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës.
"Mirëpo sot është dita për të falënderuar shumë të gjithë ata që na mbështetën nga fillimi në këtë rrugë të vështirë, por edhe të gjithë ata që në fillim ishin hezitues, por më pas na përkrahën dhe ndihmuan me shumë besim edhe energji", tha ajo.
SHIKONI EDHE: Një derë e re për drejtësi: Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?Ai nënvizoi se nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës “fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut”.
“E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut”, shtoi ai.
Serbia e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë dhe ajo bëri përpjekje të mëdha por të pasuksesshme gjatë seancës së Asamblesë Parlamentare. Një sërë amendamentesh të propozuara nga ajo, u kundërshtuan nga shumica e deputetëve.
Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut.
Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë – bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut.