Liderët e BE-së pajtohen për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjën

Flamuj të Bashkimit Evropian në Sarajevë, Bosnjë e Hercegovinë, 21 mars 2024.

Liderët e Bashkimit Evropian (BE) e kanë miratuar të enjten vonë një vendim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën.

Lajmi u bë i ditur nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, gjatë samitit të BE-së në Bruksel.

“Këshilli Evropian sapo vendosi për t’i hapur negociatat e anëtarësimit me Bosnjë e Hercegovinën. Urime. Ju e keni vendin në familjen tonë evropiane“, shkroi Michel në rrjetet sociale.

Ai tha se Bosnjës i mbetet tani ta vazhdojë “punën e vështirë” për të arritur përparim të dukshëm për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në bllok.

SHIKONI EDHE: BE-ja do të vendosë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjën

“Vendimi i sotëm është hap kyç përpara në rrugën e juaj evropiane”, shtoi ai.

Për t’i nisur negociatat e anëtarësimit tash Këshilli i BE-së, me propozim të Komisionit Evropian, duhet të miratojë kornizën e bisedimeve.

Për këtë, Bosnja e Hercegovina duhet të bëjë më shumë reformat të caktuara nga BE-ja, para se të fillojnë bisedimet.

Bosnja e Hercegovina e mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022.

Në samitin e dhjetorit të vitit 2023, BE-ja kishte shprehur gatishmërinë për të nisur negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën, me disa kushte.

Ndërsa me 12 mars të këtij viti, Komisioni Evropian dha rekomandimin që të merret vendimi për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën.

SHIKONI EDHE: Si po ec procesi i zgjerimit të BE-së?

Bosnja është një nga gjashtë vendet në rajon, Shqipëria, Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, të cilat janë në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit në BE.

Kosova është e vetmja nga këto vende që ende nuk e ka as statusin e vendit kandidat.

Cilat janë hapat pas hapjes së negociatave?

Pas hapjes së negociatave, Komisioni Evropian i dërgon kuadrin e negociatave Këshillit Evropian.

Pas kësaj, Këshilli Evropian miraton kornizën e negociatave, pas së cilës mbahet një konferencë ndërqeveritare, e cila zyrtarisht fillon negociatat për anëtarësim.

Më pas hapen dhe mbyllen kapitujt, pas së cilës Komisioni Evropian miraton një opinion pozitiv për mbylljen e kapitullit. Hapi tjetër është që Parlamenti Evropian të miratojë anëtarësimin.

Më pas vijon nënshkrimi i Marrëveshjes së Asociimit ndërmjet BE-së dhe vendit kandidat. Pas kësaj, çdo shtet anëtar i BE-së duhet ta ratifikojë Marrëveshjen e Asociimit.

Hapi tjetër është që vendi kandidat të ratifikojë marrëveshjen dhe hapi i fundit është që Marrëveshja e Asociimit të hyjë në fuqi.