Më 5 shtator 2018, ka hyrë në fuqi Ligji i ri për trajtimin ndërtimeve pa leje, në Republikën e Kosovës. Por, gati dhjetë muaj pas, ende nuk është bërë asnjë legalizim, pasi që mungojnë disa udhëzime administrative të cilat e kompletojnë këtë ligj.
Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) kanë konfirmuar se procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje, sipas ligjit të ri, ende nuk ka filluar.
Në një përgjigje me shkrim, në MMPH kanë thënë se janë në fazën përfundimtare të kompletimit të bazës ligjore, që i hapë rrugë fillimit të këtij procesi. Sipas përgjigjes, “pesë udhëzime administrative janë në procedurat finale për miratim” nga ministri i këtij dikasteri qeveritar, Fatmir Matoshi.
“Procesi i legalizimit sipas Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje akoma nuk ka filluar, dhe aktualisht nuk kemi aplikime nga qytetarët për ndërtimet e tyre pa leje. Me kompletimin e bazës ligjore, ky proces do të rifillojë në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Nuk mund të flasim tani për numrin e ndërtimeve pa leje, pos atyre të publikuara nga procesi i kaluar i legalizimit”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.
Arkitekti Arbër Sadiki, tha për Radion Evropa e Lirë se është e pakuptimtë sesi ministria ende nuk e ka kompletuar bazën ligjore me udhëzime administrative dhe rregullore për të rinisur procesin e legalizimit.
“Është e pakuptimtë që një ligj të mos mund të fillojë implementimi i tij, kur hartimi i ligjit është shumë më i vështirë, në kuptimin profesional, sesa nxjerrja e dy-tri rregulloreve të cilat e bëjnë të zbatueshëm atë. Po bëhet pothuajse një vit që kur kaloi ligji dhe nuk ka akoma një rregullore që e bën atë të zbatueshëm, të paktën për ata që kanë shprehur interesim, është vërtetë një detyrë të cilën nuk e ka përmbushur ministria gjegjëse e cila është dashur t’i nxjerrë rregulloret për ta bërë të zbatueshëm ligjin”, tha arkitekti Sadiki.
Por, procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje është ndërprerë qysh më herët – një vit e gjysmë para miratimit të ligjit të ri.
SHIKONI EDHE: Nixha: Politika legalizoi ndërtimet ilegale dhe kaosin urbanistikKjo pasi, në fillim të vitit 2017 është shfuqizuar automatikisht Ligji paraprak për trajtimin e ndërtimeve pa leje, pasi që ai kishte klauzolë kohore që e mbante atë në fuqi për tre vjet – nga 4 shkurti 2014, deri në datën e njëjtë të vitit 2017.
Gjatë kësaj periudhe, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor bashkë me komunat, patën identifikuar dhe evidentuar më shumë se 350 mijë ndërtime pa leje në tërë Kosovën.
Sipas Regjistrit Kombëtar të Ndërtimeve Pa Leje, ku janë të regjistruara ndërtimet ilegale deri në shtator të vitit 2015, Prishtina ka numrin më të madh të ndërtimeve ilegale apo më shumë se 46 mijë. Në pesëshen e komunave më së shumti ndërtime pa leje hyjnë edhe Ferizaj e Gjilani me nga 32 mijë ndërtime ilegale, Prizreni me 27 mijë dhe Malisheva me 19 mijë sosh.
Ndërsa nga 15 mijë ndërtime ilegale janë evidentuar në Lipjan dhe Suharekë, nga 14 mijë në Drenas dhe Rahovec,13 mijë në Pejë, nga 12 mijë në Dragash dhe Klinë, 11 mijë në Deçan, ndërsa komunat tjera më pak se 10 mijë ndërtime pa leje.
SHIKONI EDHE: Ndërtimtaria sektor fitimprurës, por edhe degraduesMegjithatë, interesimi i qytetarëve për procesin e legalizimit, ishte shumë i vogël në krahasim me numrin e ndërtimeve pa leje. Sipas MMPH-së, në periudhën shkurt 2014 - shkurt 2017, ka pasur rreth 8400 aplikime për legalizim, ndërsa janë bërë rreth 2000 legalizime.
Arkitekti, Arbër Sadiki e vlerëson “pothuajse plotësisht të dështuar” procesin e legalizimit me ligjin paraprak, për shkak të kostos së lartë financiare për legalizim dhe mosinteresimit institucioneve dhe investitorëve.
Madje, sipas tij, mosveprimi i institucioneve ka krijuar një situatë të vështirë për banuesit e ndërtesave kolektive pa leje ndërtimi, pasi sipas tij, investitorët pas shitjes së apartamenteve “nuk kanë interes për t’iu nënshtruar procesit të legalizimit.
“Ju e dini që një pjesë e madhe e objekteve që janë ndërtuar pa leje janë objekte shumë-banesore, të cilave me ligjin e kaluar u është mundësuar të bëhet shitja pa qenë të regjistruar fare, si rrjedhojë pothuajse të gjithë apartamentet në këto objekte janë shitur. Dhe, ato momentalisht i posedojnë në një farë mënyre, por jo në kadastër, njerëzit që i kanë blerë, mirëpo investitori apo ndërtuesi më pothuajse nuk ekziston dhe ai më nuk ka kurrfarë interesi që të bëjë një regjistrim të pronës në kadastër, për shkak se ai faktikisht qarkullimin financiar veç e ka bërë”, theksoi Sadiki.
Sadiki shpreson që ligji i ri, i miratuar vitin e kaluar, të jetë më praktik dhe me kosto më të ulët financiare, në mënyrë që interesimi për legalizim të jetë më i madh.
Në MMPH vlerësojnë se “numri kaq i madh i ndërtimeve pa leje paraqet sfidë të jashtëzakonshme për ministrinë dhe komunat”. Sipas kësaj ministrie, “është paraqitur nevoja për të krijuar lehtësime në procesin e legalizimin përmes uljes së taksave dhe thjeshtëzimit të proceduarave”, të cilat thonë se janë përfshirë në ligjin e ri.
“Këto ndryshime tashmë janë reflektuar në Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje i cili ka hyrë në fuqi më 5 shtator, 2018, ku vlen të ceken këto ndryshime: Procedura të thjeshtuara për legalizim dhe regjistrim në Kadastër për të ndihmuar qytetarët t’i gëzojnë të drejtat e tyre pronësore dhe të realizojnë përfitime nga prona e tyre; Taksa më të lira, një (1) euro për metër katror për kategorinë e parë të ndërtimeve dhe dy (2) euro për metër katror për ndërtimet e kategorisë së dytë; Përgjegjësi dhe obligime më të qarta për institucionet përkatëse – përfshirja e të gjithë akterëve në implementim dhe zbatim efikas të Ligjit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë, lidhur me ndryshimet në ligjin aktual nga ai paraprak.
Në mesin e lehtësimeve tjera që, sipas ministrisë, i krijon ligji i ri janë ofrimi i shërbimeve nga komunat përmes një zyreje të vetme për legalizimin e ndërtimeve pa leje, inkorporim të ndërtimeve të legalizuara në dokumentet e planifikimit hapësinor, programe të veçanta për trajtim të ndërtimeve ilegale në prona publike, shoqërore, toka bujqësore e zona të mbrojtura.
Për dallim nga ligji paraprak, i cili i kishte trajtuar ndërtimet pa leje të identifikuara deri më 30 gusht 2013, ligji aktual trajton të gjitha ndërtimet pa leje të identifikuara deri në datën e hyrjes së tij në fuqi (5 shtator 2018).
Në më shumë se 350 mijë ndërtime pa leje të evidentuara në gjithë vendin bëjnë pjesë edhe ndërtime të paraluftës, por vlerësohet se shumica prej tyre janë pas vitit 1999.
Gjatë luftës së fundit, pos humbjeve në njerëz, në Kosovë u shkatërruan edhe një pjesë e madhe e pronave private dhe publike.
Të sfiduar nga nevoja për strehim, në vitet e para të pasluftës shumë njerëz ndërtuan shtëpi të reja, qoftë mbi themelet e ndërtesave të djegura e shkatërruara apo në pjesë tjera të pronave të tyre.
Por, më vonë sektori i ndërtimtarisë mori vrull të pakontrolluar dhe pësoi ndryshime, ndërsa fokusi kaloi nga ndërtimet individuale tek ato kolektive, veçmas në qendrat e urbanizuara.
Shumica këtyre ndërtimeve u bën pa iu nënshtruar procedurave ligjore, për pajisje me leje ndërtimi, dhe në kundërshtim me planet urbanistike.