Kaosi urbanistik i krijuar në qytetet e Kosovës, veçmas në kryeqytet, u shkaktua nga politikat e gabuara të udhëheqësve të institucioneve lokale dhe qendrore që nga paslufta. Kështu thotë ndër të tjera në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, arkitekti, njëherësh kryetar i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, Astrit Nixha. Ai thotë se janë politikanët ata të cilat sollën ligje e rregullore që në një formë legalizuan ndërtimet pa leje dhe kaosin urbanistik. Megjithatë, ai thekson se për të gjitha këto parregullsi urbanistike, ka zgjidhje nëse do të kishte vullnet.
Radio Evropa e Lirë: Cila është gjendja urbanistike e qyteteve, në veçanti e Prishtinës, marrë parasysh ndërtimet e shumta këto vitet e fundit?
Astrit Nixha: Fakti që urbanizimi në gjitha komunat e Kosovës ka ndërruar, është një pjesë e fajit e atyre që kanë punuar jo si duhet, pasi që në infrastrukturat e vjetra në rrugë, kanalizim, rrymë, që kanë qenë për akomodim të një numri më të vogël të popullsisë, janë ndërtuar objekte, të cilat akomodojnë shumë më shumë njerëz dhe ajo infrastrukturë nuk e përballon gjendjen e re.
Çka do të thotë tani, kemi rrugët e ngushta, nuk ka ujë pasi që madhësia e gypit nuk e përballon bartjen e ujit në kate të larta, kanalizimi nuk është i mjaftueshëm, pasi që ka derdhje më shumë të ujërave të zeza dhe shumë e shumë probleme të tjera, të cilat shkaktojnë probleme të mëdha për banorët.
Radio Evropa e Lirë: Sa u respektuan planet urbanistike, standardet e ndërtimit dhe kriteret e përcaktuara me ligj?
Astrit Nixha: Nuk mund të them që planet urbane janë të dobëta, ose të këqija ose të punuara shumë mirë, por ligji e ka një defekt që çdo pesë vjet secili plan rregullativ është dashur të rishikohet çfarë i ka dhënë mundësi që të bëjnë çka të dëshirojnë për pesë vjet dhe pas pesë vjetëve e kanë akomoduar gjendjen e re në (planin) rregullativ.
Pra, nuk është punuar sipas planeve dhe është punuar ilegalisht, janë thyer vijat e ndërtimit, vijat rregullative dhe pas pesë vjetësh është marrë ai plan që ka qenë i mirë, është “përmirësuar”, ku është futur gjendja faktike e re. Pra, tërë kohën është punuar për t’i akomoduar ndërtimet ilegale dhe prishjet e planeve rregullative. Planin që e sheh sot rregullativ mund të shohësh më shumë defekte, por nuk është që janë defektet e planit, por janë defektet e ndërtimeve ilegale në një plan që nuk është zbatuar si duhet.
Ligjet që akomoduan ndërtimet pa leje
Radio Evropa e Lirë: Pse ky, kushtimisht thënë, kaos urbanistik? Kush është fajtor për këtë, pushteti lokal, institucionet qendrore apo projektuesit?
Astrit Nixha: Këtë diskutim e kam me miqtë. Shumë prej tyre më thonë se shikoni çfarë bëtë, na e shkatërruat qytetin. Unë refuzoj të mendoj që ne e kemi bërë këtë punë, arsyeja është e thjeshtë, janë një varg ligjesh që politika i ka sjellë për t’i akomoduar ndërtimet pa leje.
Pas luftës kemi pasur 26 mijë të huaj që kanë ardhur vetëm në Prishtinë, e që nuk kanë pasur ku të akomodohen dhe si biznes ka qenë të lëshohet diçka me qira. Dhe, kur dikush ka ardhur dhe ka kërkuar që t’i ndërtohet një objekt, për të cilin minimumi për një projekt të një shtëpie duhet të punohet tre muaj, pasi që aty duhet bërë studimi fizibiliteti, pastaj duhet të punohet në projekt ideor, marrja e lejes e të tjera, e gjithë kjo është kërkuar që t’iu punohet për një ditë.
Tani, për të gjithë ata profesionistë që kanë punuar dhe nuk kanë dashur të kryejnë punë për nesër, politika ka sjell një ligj që secila kompani që e ka drejtorin teknik me diplomë pa cekur çfarë diplome, mund të projektojë.
Kjo pastaj u ka hapur rrugë ndërrimeve në universitete ku u bënë studimet për arkitekturë 3 +2 (bachelor), por që thirret diploma, derisa para luftës për këtë fushë ka pasur 5 vjet shkollim, 2 vjet përvojë pune dhe provimin profesional që ka zgjatur një vit që të mund të projektosh.
Pra, nga tetë vjet, është reduktuar në tre vjet dhe pa asnjë provim profesional je bërë drejtor teknik dhe ke mundur të projektosh.Dhe, tani ka objekte, të cilat nuk kanë shkallë kundër zjarrit, ku thuhet se prej njërës banesë në tjetrën e ndërron kanalin televiziv, erërat e zierjes përzihen me njëra-tjetrën, e shumë parregullsi tjera që e bëjnë ndërtimin e pakompletuar.
Radio Evropa e Lirë: Kemi pasur edhe një problem me kontrollet teknike. Shumica e ndërtimeve të larta nuk kanë kontrolle teknike. Çfarë do të thotë kjo?
Astrit Nixha: Po, e kanë hequr me ligj. Ligji i ri i ndërtimit, tash po flasim për dy ligje të ndërtimit. Me rregulloret që i sjell Ministria e Mjedisit është hequr kontrolli teknik. Tash po e tregoj një anomali që e kemi luftuar dhe nuk është bërë zyrtare. Shembull, nëse ju bëni një ndërtim, duhet ta thërrisni inspektorin e ndërtimit të komunës, që të vijë të bëjë kontrollin. Është hequr institucioni i mbikëqyrësit në objekt. Mbikëqyrësi në objekt, nëse është profesionist, nënshkruan, dhe me atë nënshkrim ai e merr përgjegjësinë që ajo që është punuar, është punuar me rregulla të ndërtimit.
Rregulloret e reja e kanë hequr atë institucion të mbikëqyrësit dhe thonë që duhet thirrur inspektorë të ndërtimit të komunës. Ai (inspektori) ka të drejtë që brenda shtatë ditëve të punës të kontrollojë shembull pllakën. Do të thotë armaturën para se të vendoset betoni. Çfarë do të thotë kjo? Kjo është hapje për një keqpërdorim shumë të rëndë, sepse duhet ta thërrasësh inspektorin, sepse ai nuk vjen shtatë ditë.
Shembull ti ke dhjetë punëtorë që presin të kryejnë një punë, sepse nuk mund t’u thuash punëtorëve sot të shkojnë, sepse nuk ka ardhur inspektori e eja ditën tjetër. Këta dhjetë punëtorë paguhen çdo ditë për të pritur, sepse nuk kanë çfarë të bëjnë tjetër. E kanë sjellë këtë situatë, ku askush nuk e di çfarë të bëjnë, nuk dinë se si ta zgjidhin këtë problem dhe nuk duan të dëgjojnë se si të zgjidhet ky problem.
Nëse zgjidhja nuk gjendet, atëherë ky është një kolaps për ata që ndërtojnë, sepse askush nuk mund ta mbajë një pritje dhe për të mos ndodhur kjo, atëherë i hapet rrugë korrupsionit, sepse e thërret inspektorin dhe i thua “eja, sepse është gjendja e keqe”. Po flasim për rregulla, ligje - të gjitha që janë krijuar, që i ka bërë politika, që nuk shkojnë njëra me tjetrën dhe të gjitha janë në dëm të arkitekturës, urbanizmit dhe krejt jetës.
Kosova me këtë urbanizëm nuk mund të hyjë në Evropë
Radio Evropa e Lirë: A janë të sigurta objektet e banimit?
Astrit Nixha: Nuk po përgjigjem në pyetje drejt, por kur më pyet dikush “ku ta blej një banesë”, unë iu them t’i blejnë në ato (ndërtesa) që janë ndërtuar para luftës.
Radio Evropa e Lirë: Nëse flitet për ndërtime pa planifikim dhe nëse është krijuar tashmë një kaos urbanistik, sa janë të riparueshme dëmet e bëra?
Astrit Nixha: Secila gjë ka zgjidhje, natyrisht. Por, duhet që këtë gjë ta shpjegoj me muzikë. Muzika është me të cilën mund ta krahasojmë këtë çështje. Menjëherë pas luftës, muzika e ashtuquajtur tallava, zhurmën e madhe, që nuk ka asnjë kuptim, është zbuluar para fillimit të luftërave tash në Ballkan. Arsyeja është shumë e thjeshtë, që t’i japësh zë diçkaje, që të mos dëgjohen gjuajtjet e armëve.
Kjo pas luftës ka ardhur te ne dhe nuk janë “dëgjuar” pazaret e politikanëve. Do të thotë, ju nuk keni mundur të dëgjoni se çfarë po bëjnë ata, por vetëm i keni parë ndërtesat. Tash, të njëjtit politikanë janë qetësuar pak, madje janë emancipuar pak, kanë filluar të dëgjojnë muzikë tjetër, dhe në njëfarë mënyre po dëshirojnë të legalizojnë atë që kanë bërë dikur.
Tash është në diskutim publik Ligji për legalizime për objektet pa leje, e dënimi për ndërtim pa leje është një euro për metër katror. Nëse dikur ka qenë 20 euro metri katror që të ndërtosh një ndërtesë banimi, dikush që po penalizohet dhe po fajësohet për ndërtim pa leje, do të paguajë dëmshpërblim një euro. Në vend që ne t’i dënojmë ata, ne po i shpërblejmë. Tash, unë mund të marr dhe të bëj krahasime të dy ndërtuesve që janë njëri afër tjetrit, dhe dikush paguan taksa, ndërsa dikush nuk paguan.
Në një ndërtim, çfarëdo që ke, 90 për qind do të duhet të paguash taksa më shumë. Atëherë, investimi yt përfshin edhe pjesën që do të duhet të marrësh kredi, taksat që duhet t’ia paguash shtetit, dhe nuk paguhen, sepse ju jeni ndërtues pa leje, sepse banka nuk të jep para nëse ndërton pa leje, shteti nuk të ndjekë sepse ju paguani kesh. Do të thotë ka qenë pastrim i parasë, kanë qenë të gjitha të zezat dhe tash këto të zeza po shpërblehen me një dënim simbolik prej një eurosh për metër katror. Tash ka filluar të bjerë muzika tallava, nuk po e shoh më si përpara.
Tash, ka filluar të qetësohet edhe po më duket që prej atyre problemeve politike që këta (politikanët) i bëjnë të mëdha, dikur do të vijnë edhe në urbanizëm, sepse ky qytet ose ky shtet, me këtë urbanizëm nuk mund të hyjë në Evropë.
Facebook Forum