Ka përfunduar pa marrëveshje për koalicion qeverisës edhe një tjetër takim mes liderëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albin Kurti dhe Isa Mustafa.
Lëvizja Vetëvendosje, përmes një njoftimi për media tha se dy partitë janë pajtuar që të martën të takohen së bashku me ambasadorët e Quint-it, në përpjekje për të arritur një marrëveshje koalicioni.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se në takimin e së hënës, liderët e dy partive kanë biseduar për qëndrimet e tyre lidhur me marrëveshjen e koalicionit.
Para takimit, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili në takimin po shkonte i shoqëruar nga nënkryetarët e kësaj partie, Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri, ka thënë se nga ana e subjektit politik që ai drejton, ekziston vullneti për një marrëveshje.
“Për këtë po shkojmë. Ne jemi të vullnetshëm që ta përfundojmë marrëveshjen, në mënyrë që të procedojmë më tutje”, ka thënë Mustafa, para takimit me Kurtin.
Pozita e kryetarit të kuvendit, vazhdon të mbetet çështja që po e pamundëson arritjen e marrëveshjes së koalicionit qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Edhe pse këtë pozitë tashmë e ka marrë nën drejtim deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca gjatë seancës konstituive të kuvendit më 26 dhjetor, 2019, është Lidhja Demokratike e Kosovës e cila vazhdon të insistojë se pjesë e marrëveshjes duhet të jetë edhe kjo pozitë. Sipas LDK-së, në këtë fazë, Vetëvendosje duhet ta ketë pozitën e kryeministrit, kurse LDK atë të kryetarit të Kuvendit.
Zyrtarët e LDK-së kanë thënë më herët gjatë ditës së hënë, pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, se nuk do të hiqet dorë nga oferta e fundit që ia kanë bërë Lëvizjes Vetëvendosje për arritjen marrëveshjes.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë që kryesia dhe organet e kësaj partie nuk kanë ndryshuar qëndrim lidhur me ofertën e fundit për Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ne po presim nga Vetëvendosje që të deklarohet për ofertën tonë. Oferta jonë është me kryeparlamentarin dhe katër ministri, si dhe me zotimin për presidentin. Kjo është oferta që qëndron. Ne po presim përgjigje”, ka thënë Veliu.
SHIKONI EDHE: Mustafa me 'ofertën e fundit’ për LVV-nëTakimi i sotëm ndërmjet Kurtit dhe Mustafës, sipas Veliut, duhet ta definojë rezultatin përfundimtar nëse do të ketë ose jo marrëveshje për koalicion qeverisës ndërmjet dy partive.
“Unë mendoj që ky proces duhet të mbyllet, sepse çfarëdo që epilogu që të ketë ky proces, duhet të ketë një kohë që të kryhen disa punë dhe detyra që na presin, qoftë ai pozitiv, qoftë epilogu tjetër. Edhe në rastin tjetër, duhet të ketë kohë Vetëvendosje që t’i shqyrtojë pozicionet e saj dhe të bëj përpjekje tjera. Sipas mendimit tim, sot duhet të bëhet kjo”, tha Veliu.
Ndërkaq, më herët sot edhe nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se dy partitë duhet të gjejnë një zgjidhje.
"Tashmë është e qartë që duhet ta gjejmë zgjidhjen për të arritur marrëveshjen. Unë besoj që në qoftë se ka vullnet – e deri tani nuk ka munguar – kjo do të arrihet”, tha Haxhiu.
SHIKONI EDHE: Koalicion qeverisës ose zgjedhje të rejaLëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, menjëherë pas certifikim të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 27 nëntor, kanë nisur punën për harmonizimin e programit për bashkëqeverisje.
Megjithatë, mosmarrëveshjet kishin lindur pas kërkesës së Lidhjes Demokratike që t’i garantohet mundësia e propozimit për postin e presidentit të vendit, pas skadimit të mandatit të presidentit aktual, në vitin 2021.
Më 26 dhjetor është konstituuar përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, dhe kryetar i këtij institucioni është zgjedhur Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se ky veprim i kthen negociatat për krijimin e një koalicioni qeverisës në pikën zero.
Më 14 janar, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje. Albin Kurti, e kishte bërë publike, siç është thënë “propozimin përfundimtar” për Lidhjen Demokratike të Kosovës për formimin e Qeverisë së Kosovës.
Sipas këtij propozimi, numri i ministrive në qeveri do të shtohej nga 12 në 14 sosh, prej të cilave Lëvizja Vetëvendosje do t’i kishte pesë ministri dhe zëvendëskryeministrin e dytë, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës, gjashtë ministri dhe zëvendëskryeministrin e parë. Gjithashtu, në këtë ofertë, përmendet bërja e një formulimi të përbashkët për çështjen e presidentit të Republikës së Kosovës "bazuar në draftin fillestar nga LDK-ja".
SHIKONI EDHE: Kurti publikon propozimin e ri për LDK-në: Shtohet numri i ministriveMë 15 janar, Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar ofertën e saj për Lëvizjen Vetëvendosje, duke refuzuar ofertë e kësaj të fundit.
Në këtë ofertë thuhej që “LDK-ja do të ketë kryetarin e kuvendit deri në zgjedhjen e presidentit, pastaj kryetari i kuvendit do t’i kalojë Lëvizjes Vetëvendosje”.
Oferta e Lëvizjes Vetëvendosje vazhdon të refuzohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila nuk e sheh të arsyeshme rritjen e numrit të ministrive, por kërkon postin e kryetarit të kuvendit, pesë ministri dhe pozitën e presidentit të vendit, pas skadimit të mandatit aktual.