Shumë palestinezë të zhvendosur, përfshirë edhe disa pacientë, janë larguar nga spitali më i madh në Gazë, që është i rrethuar nga forcat izraelite, tha një zyrtar i Kombeve të Bashkuara më 13 nëntor.
Afër 650 pacientë, 500 punëtorë shëndetësorë dhe 2.500 persona të zhvendosur vazhdojnë të jenë në ndërtesën e spitalit Shifa, tha Mohammed Zaqout, drejtor i spitaleve në Gazë. Kjo sinjalizon se një numër i madh i personave janë larguar gjatë fundjavës kur zyrtarët shëndetësorë në Gazë thanë se afër 1.500 pacientë, së bashku me 1.500 punëtorë shëndetësorë dhe 15.000 persona të zhvendosur ishin në Shifa.
Forcat izraelite dhe luftëtarët e Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – janë përfshirë në luftime të ashpra jashtë Shifas, dhe disa zyrtarë spitalorë kanë thënë se Shifa është nën rrethim, ndërkaq personat që gjenden brenda janë zënë në mes të zjarrit izraelit.
Izraeli ka thënë se ka ofruar korridor të sigurt për ata që duan të largohen.
SHIKONI EDHE: Luftime të ashpra afër spitalit kryesor të Gazës, Netanyahu injoron thirrjet për armëpushimSituata në Shifa u përkeqësua gjatë fundjavës, me mjekët që raportuan se gjeneratori i fundit i spitalit kishte mbetur pa karburant, duke çuar në vdekjen e disa pacientëve, përfshirë foshnjave të lindura para kohe.
Një zyrtar i OKB-së tha të hënën se shumica e të zhvendosurve janë larguar nga spitali dhe disa familje kanë marrë me vete familjarët e tyre të plagosur. Ai tha se pacientët që kanë mbetur nuk mund të largohen pasi për ta kërkohen procedura të posaçme për evakuim, sikurse autoambulanca me pajisjet e duhura që do t’i dërgonin ata në spitalet në Egjipt. Ky zyrtar foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar që të fliste me gazetarët.
Edhe një spital tjetër në qytetin e Gazës, Al-Quds, është detyruar të mbyllet të dielën pasi i mbaruan furnizimet me karburant. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, që operon me këtë spital, tha se forcat izraelite janë stacionuar pranë spitalit dhe po bëhen përgatitje për evakuimin e 6.000 pacientëve, mjekëve dhe personave të zhvendosur.
Zyrtarët izraelitë kanë refuzuar thirrjet për armëpushim nëse nuk lirohen pengjet e marra nga Hamasi gjatë sulmeve të 7 tetorit, që nxitën luftën Izrael-Hamas.