Izraeli e bombardoi me breshëri raketash Qytetin e Gazës gjatë natës së shtunë dhe mëngjesit të së dielës, derisa forcat e saj tokësore luftuan me militantët e Hamasit pranë spitalit më të madh të këtij vendi, ku zyrtarët shëndetësorë thanë se mijëra mjekë, pacientë dhe të zhvendosur kanë ngecur brenda tij pa rrymë dhe pa furnizime.
Në një fjalim televiziv të shtunën mbrëma, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i hodhi poshtë thirrjet e vazhdueshme ndërkombëtare për një armëpushim, duke thënë se nuk do të ndodhë nëse nuk lirohen të gjitha 240 pengjet që grupi radikal Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – i rrëmbeu më 7 tetor gjatë sulmeve që e nxitën këtë luftë.
Ai tha se Izraeli do ta përdorë “tërë fuqinë” në këtë luftë.
Izraeli është zotuar për t’i dhënë fund sundimit 16-vjeçar të Hamasit në Gazë dhe për t’ia shkatërruar të gjitha kapacitetet ushtarake, duke i fajësuar militantët për dëmet ndaj 2.3 milionë palestinezëve të ngecur në territorin e rrethuar.
Por, Izraeli është përballur me trysni të madhe ndërkombëtare për shkak të numrit të madh të civilëve të vrarë në Gazë.
Në Qytetin e Gazës, banorët raportuan për sulme të mëdha ajrore dhe granatime gjatë natës, përfshirë në zonën përreth spitalit Shifa.
Izraeli, pa dhënë prova, e ka akuzuar Hamasin e po e përdor spitalin Shifa si qendër të komandës dhe se nën të ka ndërtuar bunkerë. Këto akuza janë mohuar nga Hamasi dhe stafi i spitalit.
“Ne e kaluam natën në panik duke pritur ardhjen e tyre”, tha Ahme dal-Boursh, një banor që po strehohet në Shifa. “Ata janë jashtë, jo larg nga portat e spitalit”, theksoi ai, raporton Associated Press.
Spitali nuk punon më
Gjeneratori i fundit i spitalit mbeti pa karburant të shtunën, duke shkaktuar vdekjen e një foshnje të lindur para kohe dhe të një fëmije në inkubator, si dhe të katër pacientëve të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi.
Ajo thotë se 37 foshnje të tjera janë në rrezik për shkak të mungesës së rrymës.
Nën-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Munir al-Boursh, tha se snajperët e Izraelit janë vendosur përreth spitalit Shifa, dhe se po shtien ndaj kujtdo që lëviz në oborrin e tij.
“Kemi të plagosur në shtëpi dhe nuk po mund të arrijmë tek ta”, tha ai për televizionin Al Jazeera në një intervistë nga spitali. “Ne nuk guxojmë ta nxjerrim kokën në dritare.”
Ushtria e Izraelit tha se është e gatshme për t’i evakuuar foshnjat dhe civilët nga spitali Shifa drejt jugut të Gazës, por njerëzit që po strehohen në spital thonë se ndihen të frikësuar të dalin jashtë.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), Daniel Hagari, tha të shtunën vonë se ekziston një korridor i sigurt përmes të cilit mund të evakuohen civilët nga spitali Shifa për në jug të Gazës.
Gjendja në dhe përreth spitalit Shifa nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se në Shifa janë ende 1.500 pacientë, bashkë me një staf mjekësor prej 1.500 vetash, si dhe me rreth 15.000 deri në 20.000 njerëz të strehuar.
Meqë Shifa dhe spitalet e tjera nuk punojnë më, njerëzit e strehuar në Qytetin e Gazës thanë se nuk kanë më qasje në kujdes intensiv.
Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara tha se njëra nga komplekset e saj u godit. Agjencitë e OKB-së nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë shërbime në veri të Gazës tash e disa javë.
Periudha të shkurta evakuimi, por jo pauza
Shtetet e Bashkuara kanë bërë trysni për pauza të përkohshme në luftime, të cilat do të mundësonin shpërndarje më të madhe të ndihmave tejet të nevojshme humanitare për civilët në territorin e rrethuar, ku kushtet janë shumë të rënda.
Por, Izraeli është pajtuar vetëm për periudha të shkurtra ditore gjatë të cilave civilët mund të ikin nga zonat e luftimeve në veri të Gazës dhe të shkojnë drejt jugut në këmbë, megjithëse Ushtria Izraelite po i bombardon, siç i quan ajo, caqet militante nëpër jug të Gazës, po ashtu, shpesh duke vrarë gra dhe fëmijë.
Dhjetëra të plagosur, përfshirë fëmijë, u sollën në një spital në Jonis Kan, pasi sulmet ajrore izraelite e rrënuan një ndërtesë në jug të qytetit. Zyrtarët e spitalit thanë se së paku 13 njerëz u vranë.
Si pasojë e luftës, rreth dy e treta e popullsisë së Gazës është zhvendosur brenda vendit, shumica kanë ikur në jug. Egjipti i ka lejuar qindra njerëz me pasaporte të huaja dhe të lënduar rëndë të largohen nga Gaza përmes pikëkalimit Rafah, si dhe futjen e disa ndihmave humanitare.
Më shumë se 11.000 palestinezë, dy e treta gra dhe fëmijë, janë vrarë prej se nisi lufta, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila nuk e bën dallimin mes civilëve dhe militantëve të vdekur në përllogaritje. Rreth 2.700 janë raportuar të zhdukur dhe besohet se kanë ngecur apo vdekur nën rrënoja.
Së paku 1.200 njerëz u vranë në Izrael, shumica e tyre civilë, në sulmin fillestar të Hamasit, i cili e nxiti luftën.
Ndërsa, 46 ushtarë izraelitë janë vrarë në Gazë prej fillimit të ofensivës tokësore.
Rreth 250.000 izraelitë janë detyruar të evakuohen nga komunitetet pranë Gazës, ku militantët palestinezë po gjuajnë ende me raketa, si dhe përgjatë kufirit verior me Libanin.
Përgatiti: Ekrem Idrizi