Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët diplomatikë të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, por edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë diskutuar për situatën në Kosovë dhe dialogun Kosovë-Serbi.
“Konsultime intensive dhe shumë thelbësore me këshilltarët kryesorë diplomatikë [i Francës, Emmanuel] Bonne, [i Gjermanisë, Jens] Plotner, [i Italisë, Francesco] Talo dhe të dërguarin e DASH-it, [Gabriel] Escobar. Diskutuam për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit dhe situatës në veri. Mirënjohës për mbështetjen e tyre”, shkroi Lajçak në X, që më herët njihej si Twitter.
Ky takim i jashtëzakonshëm pasoi një sulm ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, të dielën, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë një polic.
SHIKONI EDHE: Sulmi në veri: Kosova bën përgjegjëse Serbinë, Serbia serbët e KosovësPolicia e Kosovës ka bërë të ditur se sulmi është kryer në fshatin Banjskë të Zveçanit dhe se ka edhe të lënduar. Më vonë gjatë ditës, tre sulmues u vranë dhe gjashtë persona u arrestuan.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se grupi i sulmuesve është “formacion terrorist dhe kriminal”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili iu drejtua publikut të dielën në mbrëmje, i hodhi poshtë këto pretendime, duke thënë se serbët e Kosovës u rebeluan “duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Kurtit”.
Bashkësia ndërkombëtare e dënoi këtë sulm.
Lidhur me këtë, Bashkimi Evropian doli dy herë me komunikata. Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, e vlerësoi sulmin si agresion, dhe aktin si "terrorist".