Kuvendi miraton buxhetin për 2013-ën

Ilustrim

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në seancën e rregullt plenare buxhetin për vitin 2013, i cili është 1 miliard e 586 milionë euro. Për të kanë votuar 64 deputetë, 26 ishin kundër, ndërkaq 1 deputet ka abstenuar.

Në leximin e parë të projekt-buxhetit, partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, e patën kundërshtuar atë, duke e quajtur "buxhet të asfaltit dhe betonit".

Ndryshe, buxheti i vitit 2012, i cili ka qenë 1 miliard e 520 milionë euro, e që është vetëm 4 për qind më i vogël se buxheti i vitit 2013, sipas vlerësimeve të ekspertëve, nuk ka rezultuar me zhvillim ekonomik të Kosovës, zbutje të papunësisë dhe varfërisë.

Po sot, Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, edhe ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Më 16 nëntor të këtij viti, Kosovës iu konfirmua se do të jetë anëtare e BERZH-it.

BERZH është institucioni i tretë ndërkombëtar financiar, pas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, që po anëtarësohet Kosova, e cila po has në vështirësi në anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë për shkak të mosnjohjes nga OKB-ja.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, ka 65 anëtarë (Kosova është e 66-ta), kurse 29 prej tyre ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet. (a.k.)