Kuvendi i Kosovës ka dënuar të enjten sulmin rus ndaj Ukrainës, derisa kryetari i këtij institucioni, Glauk Konjufca ka thënë se “Kuvendi i Kosovës dhe populli i saj qëndron përkrah popullit të Ukrainës”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më herët gjatë ditës se sulmi rus në Ukrainë përbën agresionin e dytë më të madh ushtarak prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Duke diskutuar për këtë situatë, Kurti ka përmendur se të mërkurën, 23 shkurt, në Kosovë është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
“Me disa ministra dhe drejtues të institucioneve të sigurisë kemi vlerësuar, diskutuar, analizuar për situatën aktuale dhe për masat që duhet të ndërmarrim në mënyrë që orientimi ynë evropian dhe euroatlantik të jetë në nivelin, cilësinë dhe intensitetin më të lartë të mundshëm”, ka thënë mes tjerash ai.
SHIKONI EDHE: Ukraina: Rusia ka nisur pushtiminMinistri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë të enjten se Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tij.
Në një postim në Twitter, Kuleba ka shkruar se presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur “pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë”.
"Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm. Kjo është një luftë agresioni", ka thënë Kuleba.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, ka thënë se Rusia ka kryer sulme me raketa në infrastrukturën e Ukrainës dhe mbi rojet kufitare.
Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se ka biseduar me aleatët perëndimorë dhe se u ka bërë thirrje atyre që ta ndihmojnë Ukrainën me mbrojtje dhe financa.
Presidenti rus ka konfirmuar se ka nisur, siç ka thënë, një operacion "special" për "çmilitarizimin" e Ukrainës.
SHIKONI EDHE: Biden: Bota do ta mbajë Rusinë përgjegjëse për sulminPresidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka dënuar operacionin, duke e cilësuar atë si një sulm "të paprovokuar dhe të pajustifikuar" ndaj Ukrainës dhe ka shtuar se bota "do ta mbajë Rusinë përgjegjëse".
Para sulmit në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë këtë javë se njeh pavarësinë e dy rajoneve separatiste në Ukrainë si shtete të pavarura.
Ky vendim është dënuar nga Perëndimi.
Për t’u njoftuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.