Ndërlidhjet

Ukraina: Rusia ka nisur pushtimin


Raketat dhe bombarduesit rusë godasin objektivat ukrainase
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00

Raketat dhe bombarduesit rusë godasin objektivat ukrainase

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tij.

Në një postim në Twitter, Kuleba shkroi se presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur “pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë”.

Ai tha se Ukraina do ta mbrojë veten dhe se "bota mund dhe duhet ta ndalë Putinin".

"Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm. Kjo është një luftë agresioni", tha Kuleba.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka njoftuar se ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Moskën dhe u ka bërë thirrje qytetarëve ukrainas të mbrojnë shtetin kundër sulmit rus, duke thënë se do të ofrohen armë për t’iu bashkuar luftimeve.

Në një adresim televiziv më 24 shkurt, Zelenskyi u ka bërë thirrje rusëve “që nuk kanë humbur nderin” që të protestojnë kundër sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës.

Zelenskiy i ka thënë kombit se Ukraina ka përjetuar “humbje serioze” nga sulmet ruse dhe ka bërë thirrje për donacione të gjakut.

Sulmi rus trondit ukrainasit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:52 0:00

Një këshilltar i Zelenskyit ka thënë se rreth 40 ukrainas janë vrarë në orët e para të sulmit.

Këshilltari Mykhailo Podoliak tha se "trupat ruse, duke përdorur sisteme artilerie, filluan të bombardojnë infrastrukturën ushtarake në territorin e Ukrainës, aeroportet, depot dhe objektet ushtarake të ushtrisë ukrainase".

"Pas kësaj, operacionet tokësore të forcave të armatosura ruse filluan pjesërisht duke shkelur kufirin shtetëror të Ukrainës në disa rajone".

Presidenti rus konfirmoi se ka nisur, siç tha, një operacion "special" për "çmilitarizimin" e Ukrainës.

Shpërthime dhe të shtëna me armë u raportuan në Kiev dhe qytete të tjera.

Sipas raporteve nga agjencitë perëndimore të lajmeve, qytete të shumta janë nën sulm. CNN raportoi për shpërthime në së paku shtatë qytete.

Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan pranë aeroportit kryesor "Boryspil" në Kiev, menjëherë pasi Rusia njoftoi për operacionin, bëri të ditur agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar mediat lokale.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë mohoi të ketë sulmuar qytetet ukrainase, duke thënë se në shënjestër ka "infrastrukturën ushtarake, mbrojtjen ajrore dhe forcat ajrore me armë të precizionit të lartë", raportoi agjencia ruse e lajmeve RIA.

Në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, dëgjohen sirena
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:30 0:00

Në një fjalim televiziv, drejtuar kombit, Putin u përpoq të justifikonte operacionin, duke pretenduar se ai është i nevojshëm për ta parandaluar Ukrainën nga sigurimi i armëve bërthamore - edhe pse Ukraina nuk ka shprehur synime të tilla.

"Rrethanat kërkojnë që ne të ndërmarrim veprime vendimtare dhe të menjëhershme", tha Putin, duke shtuar se separatistët e mbështetur nga Rusia në rajonin e Donbasit, në lindje të Ukrainës, kanë kërkuar ndihmë.

Ai i bëri thirrje ushtrisë ukrainase të dorëzojë armët dhe tha se Rusia "nuk e ka ndërmend të pushtojë territorin ukrainas".

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e dënoi operacionin, duke e cilësuar atë si një sulm "të paprovokuar dhe të pajustifikuar" ndaj Ukrainës dhe shtoi se bota "do ta mbajë Rusinë përgjegjëse".

Ai tha se Rusia do të jetë përgjegjëse për "humbjet katastrofike të jetëve dhe vuajtjet njerëzore".

Shpërthime dhe të shtëna me armë në Ukrainë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:15 0:00

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e dënoi atë që e quajti sulm "të pamatur" të Rusisë ndaj Ukrainës.

Stoltenberg tha se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka dëmtuar paqen në Evropë dhe është zotuar se aleanca do të mbrojë “secilin inç” të territorit të vendeve anëtare.

“Ne do të përgjigjemi me unitet edhe më të madh”, tha Stoltenberg në një konferencë për media, pas mbajtjes së një takimi urgjent me ambasadorët e NATO-s në Bruksel.

“Ajo çfarë ne bëjmë është mbrojtja”, deklaroi Stoltenberg, i cili konfirmoi se NATO-ja do të mbajë një samit virtual me 30 vendet anëtare më 25 shkurt.

Stoltenberg përsëriti përkushtimin e aleancës ndaj Artikullit 5, i cili parasheh që sulmi ndaj një vendi anëtar, nënkupton sulm ndaj të gjitha vendeve tjera anëtare.

Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, por është në linjë me Perëndimin.

"Kjo është shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar dhe kërcënim serioz për sigurinë euroatlantike”, kishte shkruar më herët Stoltenberg në Twitter.

"Ne dënojmë fuqishëm sulmin e pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës", tha shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, duke u zotuar se blloku do ta godasë Rusinë me sanksionet më të ashpra të ndërmarra ndonjëherë.

Javëve të fundit, Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Tensionet janë rritur edhe më shumë këtë javë, kur Putin ka marrë vendim për t'i njohur rajonet separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si entitete të pavarura dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse atje.

Perëndimi i ka dënuar ashpër këto veprime dhe ka nisur me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Putin, me javë të tëra, e ka mohuar se synon pushtimin e Ukrainës, përkundër pohimeve të inteligjencës perëndimore se ai po përgatitet për luftë.

Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO – gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial – dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.

Ukraina ka synuar t'i bashkohet NATO-s qëkur Rusia ka aneksuar gadishullin e saj të Krimesë në vitin 2014 dhe ka nxitur një rebelim separatist në provincat e saj lindore.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG