Kushtet e LVV-së për dialogun

Fotografi nga arkivi.

Fituesja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ndonëse nuk e ka caktuar si prioritet dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, thotë se ky dialog megjithatë duhet të ketë qasje të re. Në këtë qasje, ndër të tjera kërkohet edhe përfshirja e Shteteve të Bashkuara.

Zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu tha për Radion Evropa e Lirë se dialogu duhet të ketë “së pari karakter transformues, të bazuar në parime e vlera për dallim nga ai transaksional, të bazuar në interesa momentale dhe me logjikën ‘duhet te japësh diçka për të marrë diçka’”.

“Dialogu duhet të jetë trans-atlantik, në kuptim të koordinimit në mes Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, por edhe në kuptim të integrimit perëndimor si synim në vete për të dy palët. Është në të mirë të të gjithëve që ky proces të jetë me parime të qarta dhe me qasje të sinqertë, duke synuar që të jetë gjithmonë në shërbim të popujve e jo qeverive të momentit apo individëve të momentit”, tha Kryeziu.

SHIKONI EDHE: DASH, thirrje Kosovës t'i japë përparësi dialogut me Serbinë

LVV-ja në vazhdimësi e ka cilësuar dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli si jotransparent dhe i ka cilësuar si të dështuara shumicën e 33 marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.

“Shumica prej tyre ose nuk janë zbatuar fare ose pjesërisht. Kjo, bashkë me mungesën e transparencës që e ka përcjellë këtë proces, janë provë e mjaftueshme që dialogu ka nevojë për një qasje të re”, shtoi Kryeziu.

BE-ja kërkon angazhim në dialog

Kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti ka thënë se dialogu është ‘prioritet i gjashtë apo i shtatë’, gjë e cila nuk është pritur mirë në BE. Zyrtarët e këtij institucioni, që e ndërmjetësojnë dialogun, nuk janë përgjigjur saktësisht në pyetjet e Radios Evropa e Lirë, nëse BE-ja është e gatshme të ndryshojë qasjen në dialog, por kanë kërkuar angazhim për të përmbyllur marrëveshjen për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

“Ne po presim formimin e qeverisë së re dhe pos tjerash, ne presim që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive në vazhdimin e takimeve të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe që të shfrytëzojnë rastin që kanë para vetes për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, tha për Radion Evropa e Lirë, njëri nga zëdhënësit e BE-së, Peter Stano.

SHIKONI EDHE: BE-ja pret që Qeveria e re e Kosovës ta ketë prioritet dialogun

BE-ja e ka emëruar përfaqësuesin special për dialogun, diplomatin sllovak Mirosllav Lajçak, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, që synim final ka normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, aty nuk përmendet njohja e ndërsjellë, siç kërkon në vazhdimësi lidershipi kosovar.

Qëndrimi i administratës Biden

Ndryshe nga BE-ja, që eviton të përmendë njohjen e ndërsjellë si synim final në dialog, SHBA-ja kërkon që marrëveshja gjithëpërfshirëse ta sjellë këtë njohje.

Ambasada amerikane në Prishtinë, në një deklarim të mëhershëm, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Uashingtoni e mbështet plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

SHIKONI EDHE: Ambasadori amerikan: Qeveria të formohet shpejt dhe me efikasitet

“Ashtu siç ka thënë presidenti (amerikan, Joe) Biden një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të çojë drejt njohjes së ndërsjellë, të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të të dyja vendeve dhe që të fuqizojë institucionet e tyre demokratike, është qenësore për Kosovën dhe Serbinë që të ecin përpara”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Ndërkohë, ende nuk është e qartë nëse administrata e re amerikane do të angazhojë një përfaqësues special për dialogun Kosovë-Serbi, ashtu siç kishte vepruar ish-presidenti, Donald Trump.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken gjatë seancës në Senat, për konfirmimin e tij në këtë post, tha se do ta konsideronte “emërimin e një të dërguari special për rajonin”.

Qasja e re në dialog, e domosdoshme

Analistët politikë thonë për Radion Evropa e Lirë se dialogu nuk ka alternativë, por e vlerësojnë të rëndësishme që qeveria e ardhshme të fokusohet në programin që e ka prezantuar në fushatë.

Politologu Ramush Tahiri beson se qeveria e re mund të sjellë më shumë substancë në dialog, pasi sipas tij, LVV-ja ka pasur “qasje origjinale në dialogun me Serbinë”.

“Është fakt se normalizimi i raporteve (politika zyrtare e BE-së), nuk mund të ndodh pa njohjen reciproke dhe pa u ditur subjektiviteti i palëve të cilat do t’i zbatojnë marrëveshjet. Me këtë koncept të ri, mendoj se Albin Kurti do të mund t’ia dalë dhe pres që dialogu të jetë më dinamik”, tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

SHIKONI EDHE: Kurti: Nuk i shmangim bisedimet me Serbinë, por së pari drejtësi e punësim

Demush Shasha, drejtor i Institutit Epik, që merret më hulumtime e raporte për proceset integruese të Kosovës, pret që qeveria e re të sjellë transparencë në procesin e dialogut. Ai përmend faktin se në programin e vetë, LVV-ja nuk e ka të përfshirë fare dialogun, por Shasha pret që kryeministri i ri të gjejë një pikë përbashkuese me pritjet e qytetarëve për jetë më cilësore dhe pritjet e partnerëve ndërkombëtarë për vazhdimin e dialogut.

“SHBA-ja dhe BE-ja e kanë të bërë të qartë që dialogu me Serbinë duhet të jetë njëri nga top prioritetet që ata e shohin për qeverinë e ardhshme. Por, për dhjetë vjet, qasja e njëjtë në dialog na ka sjell këtu ku jemi, ku nuk mund të krenohemi për sukses të jashtëzakonshëm. Prandaj, ia vlen që të provojmë një qasje të re sa i përket dialogut me Serbinë”, tha Shasha për REL.

Ai megjithatë beson se kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti e ka një dritare kohore për të mos u marr enkas me dialogun, pasi edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk mund të pritet marrëveshje në dialog, para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Serbi në prill të vitit 2022.

“Është e rëndësishme që Qeveria Kurti gjatë kësaj kohe të merret me dialogun, por në aspektin diplomatik, nën radarin politik, në mënyrë që të përgatitet. Në këtë kontekst, zoti Kurti do të mund t’i paraqiste opinionit politik në Kosovë se cili është kompromisi që Kosova është e gatshme ta bëjë, për hir të anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, shtoi Shasha.

SHIKONI EDHE: Gjermania, Franca bëjnë thirrje për formimin e shpejtë të Qeverisë së Kosovës

Sipas tij, kompromisi më lehtë i pranueshëm do të ishte “eksplorimi i mundësive për një zbatim edhe më të mirë të Pakos së Ahtisarit dhe avancimit edhe të mëtutjeshëm të të drejtave të serbëve në Kosovë”.

Politologu Ramush Tahiri thotë që çdo tendencë për të ofruar zgjidhje që e prek “shtetin qytetar” të Kosovës, do të prolongonte edhe më shumë arritjen e një marrëveshjeje në dialog.

LVV-ja si fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, pritet që të formojë qeverinë e re bashkë me komunitetet joshumicë, duke përjashtuar Listën Serbe. Krijimi i qeverisë pritet të ndodhë pas konstituimit të kuvendit të ri, proces ky që kërkon paraprakisht certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.