Përveç që zhvillimet e brendshme në Kosovë do të ndikohen nga rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit, Bashkimi Evropian po analizon edhe ndikimet që mund të ketë ky rezultat në vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që lehtësohet nga blloku evropian.
Në parim, në BE vazhdojnë të thonë se “nuk na takon ne të caktojmë se kush do të jetë përfaqësues i palëve në dialog” dhe se për bllokun evropian është i pranueshëm kushdo që emërohet nga institucionet e Kosovës. Por, duke pasur parasysh se fituesi i zgjedhjeve duhet ta përkthejë këtë fitore në krijimin e institucioneve të reja, atëherë edhe BE-ja do të presë dhe nuk planifikon ndonjë takim të radhës derisa të mos sqarohen gjërat rreth krijimit të Qeverisë së re të Kosovës.
Se BE-ja pret që dialogu të jetë ndër prioritetet kryesore, u pa edhe në reagimet e para nga Brukseli zyrtar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës.
Në një komunikatë të përbashkët, të lëshuar nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, përmendet dialogu si një nga çështjet për të cilat presin angazhim konstruktiv të qeverisë së re.
“Rruga evropiane e Kosovës po ashtu shkon edhe përmes normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve me Serbinë dhe BE-ja pret nga autoritetet në Prishtinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive, me qëllim të vazhdimit të takimeve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe ta shfrytëzojnë rastin që kanë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhet në komunikatë.
Disa diplomatë evropianë në Bruksel, që janë kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, kanë thënë se “janë në dijeni për deklaratat e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti lidhur me prioritetet e tjera, që janë më të rëndësishme sesa dialogu”, por kanë shtuar se pavarësisht kësaj, presin që qeveria e re të fokusohet po ashtu në procesin e dialogut, sepse sipas tyre, bashkësia evropiane është shprehur se “status quo-ja nuk është e qëndrueshme”.
Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka fituar 48 për qind të votave. Pas përfundimit të procesit të votimit, Kurti, i cili është i nominuari i LVV-së për kryeministër, la të kuptohet se dialogu nuk është prioritet i qeverisë që ai mëton të udhëheqë.
Në BE, po ashtu thonë se e kuptojnë se Kosova duhet të përballet me prioritete të tjera po ashtu, sidomos me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, uljen e ndotjes së ambientit si dhe përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor.
“Në të gjitha këto fusha, Kosova do ta ketë mbështetjen e fuqishme të BE-së sepse ne i kemi përmendur gjithmonë këto probleme po ashtu. Por, kjo nuk do të merret si arsyetim për të mos u angazhuar në mënyrë konstruktive në dialog”, ka thënë një diplomat i BE-së.
Disa diplomatë evropianë pohojnë se jo rastësisht në komunikatën e Borrellit dhe Varhelyit, është përmendur edhe nevoja e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës dhe jo vetëm ajo e konstituimit të kuvendit dhe krijimit të qeverisë. Këto burime thonë se “vetëm pasi të zgjedhet edhe presidenti, do të mund të thuhet se është krijuar një stabilitet institucional në Kosovë”.
Ditë më parë, në Komitetin për politikë dhe siguri të BE-së – ku janë përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të bllokut – u diskutua gjerësisht për zhvillimet në Kosovë dhe për të gjithë skenarët e mundshëm pas zgjedhjeve. Shumica e pjesëmarrësve ishin pajtuar se para se të organizohen takime të reja në kuadër të dialogut, duhet që të ketë një qeveri stabile në Kosovë, e cila do të emëronte edhe një ekip për dialogun. Madje, në këtë takim ishte thënë se raundet e reja të bisedimeve ka të ngjarë që nuk do mbahen deri në verën e këtij viti.
Por, gjithçka mund të përshpejtohet pasi rezultati i zgjedhjeve ka krijuar një situatë më të qartë sesa ishte pritur, pas fitores bindëse të Lëvizjes Vetëvendosje, në listën e së cilës ka garuar edhe Vjosa Osmani, ushtruesja e detyrës së presidentit.
Diplomatët në Bruksel pohojnë se janë në pritje të dëgjojnë edhe nga bashkëbiseduesit nga administrata e Shteteve të Bashkuara, për të kuptuar se çfarë qasje do të kenë ata karshi rajonit të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, e në veçanti ndaj dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Në parim, nga Uashingtoni ka ardhur mbështetja që BE-ja të vazhdojë ta ketë rolin kryesor si lehtësuese e dialogut, por në Bruksel ekziston kureshtja edhe për të parë se çfarë raportesh do të ketë administrata e presidentit amerikan, Joe Biden me Qeverinë e Kosovës që pritet të krijohet, si dhe ndaj temave që do të diskutohen në dialog.
Bashkimi Evropian paralajmëron se nuk do të heqë dorë nga kërkesat që të gjitha obligimet nga dialogu që janë marrë deri tash nga palët, duhet të zbatohen pa marrë parsysh se kush është në pushtet. Kjo në rastin e Kosovës vlen posaçërisht për zbatimin e Marrëveshjes për krijimit e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo temë ka qenë njëra ndër arsyet e ngadalësimit të dialogut edhe kur ai rifilloi verën e vitit 2020.
Ndërkohë, në Bruksel po zhvillohen procedurat për vazhdimin e mandatit të Mirosllav Lajçakut, të dërguarit të bllokut për dialogun, të cilit, mandati njëvjeçar i skadon në fund të muajit mars.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë kishte filluar para dhjetë vjetësh. Pas një ngecjeje gati dyvjeçare, procesi rifilloi verën e vitit të kaluar. Por, për shkak se Kosova shkoi në zgjedhje të parakohshme parlamentare, raunde të reja të bisedimeve në nivel të lartë nuk ka pasur që nga vjeshta e vitit të kaluar, ndërkohë që janë zhvilluar vetëm disa takime në nivel të ekspertëve.
Facebook Forum