Kush është Daria Aslamova?

Daria Aslamova.

Gazetarja ruse, Daria Aslamova, është shpallur të dielën person i padëshirueshëm në Kosovë.

Me vendim të ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, asaj i është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet.

“Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara, cenon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Sveçla në një postim në Facebook.

Daria Aslamova është arrestuar nga Policia e Kosovës në veri të vendit më 6 gusht.

Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë ka raportuar më 7 gusht se media ku punon Aslamova - Komsomolskaya Pravda - ka thënë se ajo është liruar nga autoritetet e Kosovës në mëngjesin e së dielës dhe tani gjendet në Serbi.

Sipas redaktorëve të saj – që është thënë të kenë kontaktuar me Aslamovan – ajo tani është në Rashkë.

Rashka është qytezë në Serbi në afërsi të Jarinjës - pikëkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë.

Aslamova është cituar të ketë thënë se pasi është marrë në pyetje, i është rekomanduar të lëshojë territorin e Kosovës.

Sipas mediumit ku punon ajo, Aslamova ka udhëtuar deri në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë me autobus.

Ajo u ka thënë redaktorëve të saj se edhe zyrtarët kufitarë në Serbi e kanë marrë në pyetje.

Sipas gazetës, Aslamova ka qenë në Serbi dhe Kosovë për të përgatitur “një material special për tensionet e fundit” mes dy vendeve.

Në një postim në rrjetin social Facebook, të datës 5 gusht, ajo shihet në fotografi me peshkopin Stefan të Serbisë.

“Me një bekim të tillë, nuk është e frikshme shkuarja në betejë”, ka thënë ajo në mbishkrimin e fotografisë.

“Raportim nga zonat e luftës”

Daria Aslamova, 52-vjeçare nga Rusia, është korrespodente speciale për të përditshmen ruse, Komsomolskaya Pravda.

Kjo gazetë njihet për qëndrimet e saj pro-Kremlinit.

Aslamova ka punuar edhe në Ukrainë si korrespodente lufte për kanalin që përhap propagandë ruse, Tsargrad.

Ajo është parë si gazetare në shumë zona të luftës përfshirë Çeçeninë, Abhazinë, Nagorno-Karabakun, Osetinë, Taxhikistanin dhe ish-Jugosllavinë.

Përgjatë karrierës së saj, ajo ka intervistuar ish-presidentin irakian, Sadam Hussein dhe presidentin sirian, Bashar al-Assad.

Ajo është arrestuar disa herë në zonat e luftës dhe e ka të publikuar edhe një libër me titull, “Ditari i një vajze famëkeqe”.

Aktualisht Aslamova realizon një emision televiziv të titulluar, “Pikat e nxehta me Daria Aslamovan”.

Raportimet nga Donbasi dhe Mariupoli

Në disa postime në Facebook, ajo shihet se ka qenë në Ukrainë, përkatësisht në rajonet e Mariupolit dhe Donbasit, pas shpërthimit të luftës së Rusisë në këtë shtet.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka urdhëruar më 24 shkurt atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Pushtimi rus i Ukrainës

REL ju sjell informacionet kryesore mbi pushtimin rus të Ukrainës, përfshirë analiza, video dhe fotogaleri.

Tri ditë para nisjes së luftës – më 21 shkurt - Putini pati marrë vendim për dërgimin e trupave ruse në rajonet e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës dhe pati nënshkruar dekretet për të njohur dy rajonet lindore të Ukrainës si Republika Popullore e Donjeckut dhe Republika Popullore e Luhanskut si entitete të pavarura.

Aslamova e ka konsideruar këtë vendim si fitore për këto dy rajone të njohura si Donbas.

“Kam qarë si fëmijë nga gëzimi! 8 vjet të gjatë… dhe ja ku jemi! Fitore”, ka thënë ajo në një postim të 22 shkurtit.

Separtistët pro-rusë kanë luftuar kundër forcave ushtarake në Donbas, prej vitit 2014, kur Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë.

Çfarë kanë thënë autoritetet e Kosovës për të?

Ministri Sveçla ka thënë se “shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar nën petkun e gazetares”.

“Tentimi i saj për të hyrë në vendin tonë përveç që përkon me zhvillimet në veri të vendit, i dëshmon qartë lidhjet dhe propagandën ruse të cilës i është bashkuar tashmë Serbia dhe që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë”, ka thënë mes tjerash Sveçla.

Autoritetet e Kosovës kanë shprehur shqetësim edhe në të kaluarën për ato që i kanë konsideruar fushata të Rusisë në Ballkan me qëllim të destabilizimit të rajonit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përmendur këtë çështje kur ka takuar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Uashington.

Osmani ka thënë se përpjekjet e Rusisë përhapen në Ballkan nëpërmjet “satelitit të saj të Serbisë”.

“Sekretari Blinken, njësoj sikurse presidenti (amerikan, Joe) Biden, e njohin shumë mirë këtë histori të intencave ruse në rajonin tonë dhe në asnjë moment nuk e largojnë vëmendjen e tyre, gjë që na konfirmuan edhe sot, në mënyrë që bashkërisht të punojmë që t’i ndalim këto tendenca për destabilizim në rajonin tonë”, ka thënë Osmani më 27 korrik.

SHIKONI EDHE: Joseph: Putini përfiton nga mungesa e stabilitetit në Ballkan

Këto përpjekje të Rusisë i ka përmendur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një bisedë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të realizuar më 2 gusht.

Sipas kryeministrisë, Kurti ka thënë se fushata dezinformuese e Serbisë është duke u ndihmuar nga shteti rus.

SHIKONI EDHE: A mund të gjejë media ruse shtëpi të re në Serbi?

Ndalesa për hyrje në Moldavi

Sveçla ka thënë po ashtu se autoritetet e Kosovës kanë qenë në dijeni për veprimtarinë e saj, dhe sipas tij, Aslamovas i ndalohet hyrja në shumë shtete.

Me diçka të tillë ajo është përballur në Moldavi më 2017.

Shërbimi moldav i Radios Evropa e Lirë, ka raportuar atëbotë se shërbimet e sigurisë ia kanë ndaluar hyrjen “pasi ajo nuk ka mundur të arsyetojë arsyen e vizitës”.

Ish-presidenti moldav, Igor Dodon, pati thënë se gazetarja ishte nisur për ta intervistuar atë dhe pati kritikuar autoritetet e sigurisë për një vendim të tillë.

Dodon është njohur po ashtu për qëndrimet e tij pro-Rusisë.

Raportet Kosovë - Rusi

Rusia ka formalizuar praninë e saj diplomatike në Kosovë tre vjet para shpalljes së pavarësisë, në vitin 2005.

Asokohe, për hapjen e Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë ka qëndruar ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Kosova atë kohë është administruar nga Administrata e Kombeve të Bashkuara dhe kryeadministrator ka qenë Soren Jessen-Petersen, i cili së bashku me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Bajram Kosumi, kanë marrë pjesë në ceremoninë e hapjes.

SHIKONI EDHE: Rusia “nuk i ndahet” Kosovës  

Pjesëmarrja e Kosumit në këtë aktivitet njihet si vizita e vetme e një zyrtari të Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë.

Veprimtaria e Zyrës Ndërlidhëse Ruse është e shfaqur fare pak në publik.

Më 22 tetor të vitit të kaluar, institucionet e Kosovës kanë shpallur persona “non-grata” apo të padëshirueshëm dy diplomatë rusë që kanë punuar në këtë zyrë.

Ata janë detyruar të largohen nga Kosova.

Më 31 dhjetor të vitit 2021, Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla e ka shpallur non grata (të padëshiruar) edhe një zyrtar rus të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

SHIKONI EDHE: Gërvalla shpall të padëshiruar zyrtarin rus të UNMIK-ut

Sipas njoftimit të ministres, vendimin e ka marrë me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“[Vendimi është marrë] për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës”, është thënë në njoftim.