Kurti: Po vendosim sundim të ligjit dhe rend publik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u pyet të premten nga gazetarët për deklaratën e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili tha se partnerët evropianë janë të shqetësuar me "lëvizjet e njëanshme të Kosovës".

Kurti tha se Qeveria e tij është duke vendosur sundim të ligjit dhe rendit publik, si dhe duke siguruar paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës - pa dallime.

"Në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë, edhe mbështetjen ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Francën, që e konsiderojmë vend mik, aleat dhe partner shumë të rëndësishëm edhe në Bashkimin Evropian, edhe në NATO”, tha Kurti.

Një ditë më herët, gjatë një vizite në Serbi, Macron tha se lëvizjet "e njëanshme" dhe "shqetësuese” të Kosovës nuk japin sinjal të mirë.

Me këtë deklaratë, Macron iu referua mesa duket disa vendimeve të Qeverisë së Kosovës - përfshirë atë për mbylljen e disa degëve të Postës së Serbisë në veri të vendit - dhe synimeve të saj për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, të cilat janë kritikuar edhe nga pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare.

Ai, po ashtu, tha se Franca është e përkushtuar që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia janë dakorduar qysh në vitin 2013, por marrëveshja nuk është zbatuar kurrë.

Gjatë qëndrimit të Macronit në Serbi, ky vend nënshkroi marrëveshje me kompaninë e Francës, Dassault Aviation, për blerjen e 12 avionëve të rinj luftarakë, Rafale.

SHIKONI EDHE: Serbia nënshkruan marrëveshje me Francën për blerjen e avionëve luftarakë Rafale