Ndërlidhjet

Serbia nënshkruan marrëveshje me Francën për blerjen e avionëve luftarakë Rafale


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (djathtas), dhe ai i Francës, Emmanuel Macron, takohen në Beograd, 29 gusht 2024.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (djathtas), dhe ai i Francës, Emmanuel Macron, takohen në Beograd, 29 gusht 2024.

Serbia ka nënshkruar marrëveshje të enjten me kompaninë e Francës, Dassault Aviation, për blerjen e 12 avionëve të rinj luftarakë Rafale.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ai i Francës, Emmanuel Macron, u takuan të enjten në Beograd, ku nënshkruan memorandume dhe marrëveshje bashkëpunim. Macroni po qëndron për një vizitë dyditore në Beograd.

Pas takimit, Vuçiq tha se Serbia do t’i zotërojë 12 avionë të rinj luftarakë dhe se kontrata për blerjen e tyre kap vlerën e 2.7 miliardë eurove.

“Ky është lajm i madh për ne”, tha Vuçiq në një konferencë të përbashkët me Macronin.

Ai theksoi se Serbia do t’i paguajë dy këste prej 420 milionë eurove në vitet 2024 dhe 2025, por nuk tregoi se kur do të mbërrijnë avionët Rafale në Beograd.

Macroni tha se Bashkimi Evropian (BE) ka nevojë për "një Serbi të fortë dhe demokratike" dhe se vendimi i saj për të blerë avionë Rafale është një "zgjedhje strategjike dhe afatgjatë në këtë drejtim".

“Vendi juaj ka një vend në Evropën tonë, në BE-në tonë”, tha Macron në konferencën për shtyp pas takimit.

Si Vuçiqi, ashtu edhe Macroni, paralajmëruan më herët para vizitës se njëra nga temat kryesore të takimit të tyre do të ishte blerja e avionëve luftarakë Rafale nga Serbia.

Marrëveshja për blerjen e avionëve ushtarakë francezë u nënshkrua nga ministri serb i Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, dhe nga drejtor ekzekutiv i Dassault, Eric Trapije.

Kjo është marrëveshja më e madhe për armët e Serbisë prej se ajo u nda me Malin e Zi në vitin 2006.

Beogradi e ka kufizuar bashkëpunimin ushtarak me Moskën pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 2022 dhe e ka dënuar pushimin, por për dallim nga vendet e BE-së dhe vendet e tjera perëndimore, ai nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës.

I pyetur nga gazetarët francezë nëse blerja e avionëve luftarakë do të thotë se Serbia po kthehet drejt Perëndimit dhe po largohet nga Rusia, Vuçiq tha se Serbia “nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj”.

“Unë e di që Emmanuel [Macron] do të donte që ne të vendosnim sanksione ndaj Rusisë, e di që do të donte, por ne nuk e bëmë dhe nuk na vjen turp për vendimin tonë. Nuk dua të arsyetohem para jush përse po ua shpjegoj lëvizjet e mia politike njerëzve të tij”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se Serbia nuk ka bërë asgjë kundër Ukrainës, se mbështet integritetin e saj territorial dhe e konsideron atë një vend mik.

Ushtria dhe Forca Ajrore e Serbisë janë të varura nga teknologjia sovjetike, por Serbia ka blerë helikopterë dhe avionë transportues nga Airbusi, radarë nga Thalesi dhe raketa tokë-ajër nga Mistrali i Francës.

Serbia zotëron gjithashtu edhe raketa dhe dronë kinezë.

Ky është takimi i dytë i Macronit me Vuçiqin këtë vit dhe vjen pas vizitës së presidentit të Kinës, Xi Jinping, në Beograd në maj.

Bashkimi Evropian mbetet investitori më i madh i vetëm i Serbisë, ndërsa qindra mijëra serbë punojnë në kompani që janë në pronësi të Perëndimit.

Por, Beogradi, i cili kërkon zgjerojë furnizimin me gaz, varet edhe nga gazi rus dhe e ka mbështetjen e Kremlinit në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, të cilën Prishtina e shpalli më 2008.

Për t’iu bashkuar BE-së, Serbia duhet së pari ta përmirësojë demokracinë, sundimin e ligjit dhe gjyqësorin, ta çrrënjosë korrupsionin, krimin e organizuar dhe t’i ndreqë marrëdhëniet me Kosovën.

Politikat e saj duhet gjithashtu të jenë në përputhje me ato të Brukselit, përfshirë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG