Kurti zhvillon takim “përgatitor” me Escobarin dhe Lajçakun, insiston në reciprocitet me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar në mbrëmjen e së mërkurës me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kurti e ka quajtur këtë takim përgatitor para takimit të 18 gushtit mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson BE-ja.

Atyre u është bërë ftesa për dialog pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës më 31 korrik.

Serbët e Kosovës kanë ngritur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj hapit të Qeverisë së Kosovës për të zbatuar dy vendime për targat e makinave dhe dokumentet serbe.

Your browser doesn’t support HTML5

Pse duhet të regjistrohen makinat në RKS?

Barrikadat janë hequr pasi Qeveria ka shtyrë zbatimin e vendimit për 1 shtator.

"Edhe Serbia mund të heqë dorë prej lëshimit të dokumenteve"

Kurti ka thënë para mediave se në takim me Lajçakun dhe Escobarin është diskutuar për “elemente të kornizës për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, si dhe për çështjet aktuale”.

“Pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale, me të gjitha vështirësitë dhe pengesat”.

Ai ka insistuar që Kosova është për reciprocitet me Serbinë.

Your browser doesn’t support HTML5

A do të ketë përparim? Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Prishtinës dhe Beogradit në prag të dialogut

I pyetur nëse ka mundësi që Kosova të shtyjë sërish zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, Kurti ka thënë se “ne po diskutojmë për zgjidhje, jo për shtyrje”.

“Nuk është se e kemi bërë shtyrjen që të bëjmë edhe shtyrje tjera. Shtyrja është bërë më 31 korrik për datën 1 shtator, dhe me atë rast kemi dëshmuar - me datën 1 gusht - se nuk konfiskojmë dokumente, siç ka qenë fushata e dezinformimit. Në anën tjetër, është e mundshme që më 1 shtator nuk do të lëshojmë dokumente, sepse edhe Serbia do të heqë dorë prej lëshimit të dokumenteve në vendkalimet kufitare me Kosovën. Ne dëshirojmë marrëdhënie reciproke”.

Lajçak: Përmes dialogut të shmangen tensionet

Lajçak ka thënë se dëshiron që në takimin e 18 gushtit të ketë marrëveshje, por nuk e ka specifikuar se për çka.

Ai ka thënë se përmes dialogut dëshiron që më 1 shtator të shmanget situata e tensionuar e 31 korrikut.

“Do të kemi diskutime për marrëdhëniet e së ardhmes, si të arrihet normalizimi dhe do të diskutojmë çështjet aktuale. Ne kemi dy liderë me mandate demokratike dhe presim që ata të dedikohen në gjetjen e një zgjidhjeje që siguron se nuk do të ketë krizë”, ka deklaruar Lajçak.

SHIKONI EDHE: Zbulohet agjenda e takimit mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel

Escobar: Diskutuam edhe për Asociacionin

Escobar, ndërkaq, ka thënë se SHBA mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Jemi në kërkim të zgjidhjeve që mundësojnë stabilitet rajonal”, ka thënë ai.

Escobar ka thënë se në takim me Kurtin është diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, Asociacioni duhet të formohet në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës.

“Ne mendojmë se brenda Evropës ekzistojnë mjaft modele që mund të përdoren për të gjetur një zgjidhje stabile dhe produktive për të gjitha palët e përfshira”.

SHIKONI EDHE: Modelet evropiane që mund të përdoren për Asociacionin

Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Vuçiq takoi po ashtu Lajçakun dhe Escobarin

Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka zhvilluar takime me Lajçakun dhe Escobarin.

Pas takimeve me dy zyrtarët, Vuçiq ka thënë se ka rikonfirmuar “vendosmërinë e Serbisë për të bërë gjithçka që të ruajë paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin, si dhe të arrijë zgjidhje kompromisi përmes dialogut, pa presion dhe ultimatume”.

Më herët gjatë ditës Kurti dhe Vuçiq kanë takuar ndaras edhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se i takon Beogradit dhe Prishtinës që të shmangin përshkallëzimin e situatës dhe se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është duke vëzhguar situatën dhe është i gatshëm të intervenojë në rast të destabilizimit.

SHIKONI EDHE: Stoltenberg: KFOR-i i gatshëm të intervenojë nëse rrezikohet siguria