Kumanova regjistron disa zjarrvënie që dyshohet të jenë kryer qëllimshëm

Fotografi ilustruese nga arkivi.

Në orët e para të mëngjesit të së hënës, në Kumanovë janë regjistruar disa raste të zjarrvënieve të dyshuara si të qëllimshme.

Zjarret kanë përfshirë një lokal afarist, një pjesë të një shtëpie dhe disa vetura, mes të cilave edhe atë të prokurorit të lartë, Xhelal Bajrami.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, prokuroi Bajrami tha se organet kompetente të sigurisë dhe prokurori kujdestar, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë siguruar prova të mjaftueshme materiale për të ndihmuar në zbardhjen e rastit.

“Mendoj se bëhet fjalë për ndonjë kriminel, apo grup kriminelësh që kanë ndërmarrë këtë veprim”, tha Bajrami.

Ai përjashtoi çdo motiv politik lidhur me ngjarjen.

"Nuk dua t’i jap kësaj ngjarjeje ndonjë konotacion tjetër, por mendoj se është thjesht një akt kriminal. Nuk kam dyshim në ndonjë person. Nuk besoj se ka ndodhur me prapavijë politike, aq më tepër sepse unë nuk merrem me politikë prej më shumë se 10 vitesh dhe e përjashtoj këtë mundësi", shtoi Bajrami.

Përkundër prokurorit Bajramit, opozita shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), përmes një komunikate, siç e quajtën “të jashtëzakonshme” për media, akuzoi Qeverinë dhe institucionet në Maqedoninë e Veriut, që siç thanë “nuk po arrijnë të garantojnë siguri për qytatarët”, dhe kërkoi edhe ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.

“Bashkimi Demokratik për Integrim bën thirrje për ndërhyrje urgjente nga faktori ndërkombëtar. Qartë është bërë e ditur se nga kjo qeveri e verbuar dhe e njëanshme nuk mund të presim as drejtësi dhe as përgjegjësi. Vetëm një presion ndërkombëtar mund të ndalojë këtë spirale të rrezikshme të dhunës dhe urrejtjes, e cila po kërcënon paqen dhe stabilitetin në vend”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

Nga kjo parti thanë se, mesazhi që po dërgohet është se “shqiptarët në këtë vend janë të lënë në mëshirën e fatit”.

“Ne kërkojmë që këto sulme të hetohen menjëherë dhe autorët të sillen para drejtësisë. Shqiptarët nuk do të qëndrojnë më të heshtur përballë kësaj padrejtësie, dhe ne do të përdorim çdo mjet demokratik për t’i mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e qytetarëve tanë”.

Në qytetin e Kumanovës, zjarr i është vënë edhe zyrës së kontabilitetit dhe përkthimeve gjyqësore, e cila ndodhet përballë Gjykatës së atjeshme Themelore. Ky subjekt figuron në emrin e Fitor Jakupit, këshilltar i BDI-së në Kuvendin Komunal të Kumanovës.

Makina ka tentuar t’i digjet edhe një koloneli me inicialet E.D, por që është përfshirë vetëm pak nga flaka. Raportohet se është djegur edhe një tjetër makinë , kurse flakët e zjarrit kanë kapluar edhe një pjesë të shtëpisë ku ka qenë e parkuar.

Bëhet e ditur se Prokurori Publik kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat e djegies së të paktën dy veturave dhe një objekti afarist.

Prokuroria tha se janë siguruar prova nga vendi i ngjarjes që do të jenë objekt ekspertize, ndërkohë që po kontrollohen edhe kamerat e sigurisë.

Por, jozyrtarisht mësohet se në asnjë prej vendeve ku është vënë zjarri, nuk kanë punuar kamerat e sigurisë. Grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që të dyshuarit të kenë përdorur bllokues të internetit, që ndërpret filmimet në kamerat e sigurisë.